Kosova

PDK: Këta janë 57 militantët e Vetëvendosjes të rehatuar në Ndërmarrjen Banesore të Prishtinës

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, sot ka bërë publik emrat e atyre njerëzve të cilat kjo parti i quan militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat sipas PDK-së janë të punësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore të Prishtinës.

Siç thuhet në një njoftim, sekretari i PDK-së së Prishtinës, Bujar Cakolli, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po i ikë llogaridhënies për punësimin e 486 personave në dy vjetët e fundit, shumica e të cilëve janë pjesë e rrjetit të dhunshëm të Dardan Molliqajt.

Cakolli ka thënë se nuk është çerdhe e punësimit të militantëve të Vetëvendosjes vetëm administrata e Komunës së Prishtinës, por edhe ndërmarrjet publike që administrohen nga bandat e tyre.

“Kemi parë përpjekjet e tyre për t’i ikur këtij skandali të punësimit partiak në Komunën e Prishtinës. Kemi parë përpjekjet për t’i dhënë konotacion tjetër kësaj teme, për ta relativizuar duke përmendur emra të përveçëm. Por, deri më tash, nuk kemi parë përgjegjësi dhe llogaridhënie prej tyre për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ai.

Ai ka “prezantuar fakte të tjera për punësimin e militantëve të Vetëvendosjes në Ndërmarrjen Publike Banesore të Prishtinës”, kryetar i bordit të së cilës është Lazër Nrecaj, kurse kryeshef, Nexhat Kryeziu, që të dy këta kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ndërmarrja Banesore e Prishtinës gjatë viteve 2015-2016 ka punësuar mbi 35 militantë të bandës së Vetëvendosjes me kontrata dhe 22 të tjerë për shërbime të veçanta, ku shumica e tyre vijnë nga qytete të tjera dhe aktivitet kryesorë kanë pasur hedhjen e gurëve, molotovit dhe përcjelljen e njerëzve me direktiva të Dardan Molliqajt”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, Ndërmarrja Banesore e Prishtinës, sipas planit të biznesit të vitit 2014, kishte të planifikuar 73 punëtorë. Kurse, pas marrjes nën menaxhim nga banda e Dardan Molliqajt, sot kjo ndërmarrje ka mbi 120 të punësuar.

 

“Nëse i referohemi planeve të biznesit të ndërmarrjes pas vitit 2014, ajo nuk ka ndonjë aktivitet shtesë, që do të arsyetonte këtë rritje prej 80 për qind të numrit të të punësuarve”, ka thënë ai, duke prezantuar edhe listën e të punësuarve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë ndërmarrje banesore.

Cakolli ka prezantuar edhe një hulumtim të shkurtër në rrjete sociale ku sipas tij shumica e tyre bëjnë edhe propagandë politike për Lëvizjen Vetëvendosje.

Sekretari i degës së PDK-së, Bujar Cakolli, ka thënë se pjesa dërmuese e këtyre militantëve janë pjesë e rrjetit të dhunshëm të Dardan Molliqajt, i cili bashkë me Albin Kurtin, gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë pushuar asnjëherë së foluri për kapjen e shtetit, por në të njëjtën kohë, përveçse kanë dhunuar demokracinë tonë të brishtë, kanë kapur edhe Komunën e Prishtinës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button