Politika

Pëllumbi: Rama rimandatohet, s’do të ketë surpriza në Kongres

Nga Artemisa Hoxha

Kongresi i ardhshëm i Partisë Socialiste, i cili do të zhvillojë punimet më 19 mars, nuk do të ketë asnjë surprizë për sa i përket faktit se për kreun e partisë më të madhe në vend do të ketë zgjedhje apo jo. Edhe pse tashmë për këtë post kanë shpallur kandidaturën e tyre dy prej deputetëve, Ben Blushi, një deputet me përvojë dhe kontribute në radhët e PA dhe nga ana tjetër, Eduard Ndocaj, deputet i ri i ardhur në radhët e Partisë Kristiandemokrate. Po si i komenton një prej senatorëve të vjetër të Partisë Socialiste, njëherësh dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare, Servet Pëllumbi, debatet e brendshme brenda së majtës pikërisht për këtë çështje, rimandatimin e Edi Ramës në krye të PS-së apo realizimin e një procesi zgjedhor për këtë post?

Profesor Pëllumbi, i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, konfirmon se në kongresin e ardhshëm nuk do të ketë asnjë surprizë që mund të sjellë ndoshta një kryetar të ri të partisë dhe e shikon Partinë Socialiste më të fortë se kurrë, çka sipas tij po e demonstron edhe në qeverisjen e vendit. Ai shprehet që për kreun aktual duhet të ketë rimandatim, surpriza të tjera sipas tij do ta dëmtonin të majtën. “Nuk besoj të ketë surpriza, pasi ato, në rastin konkret, veçse e demontojnë partinë dhe mendoj që në PS ka forca që mënjanojnë këta faktorë dëmtues. Unë e shikoj në shtratin e forcimit të mëtejshëm Partinë Socialiste”, thotë senatori i PS-së. Më tej, Pëllumbi thekson se demokracia e brendshme brenda partisë ka rëndësinë e saj, por çdo gjë duke zbatuar statutin e partisë. “Unë i shikoj zgjedhjet në bazë të statutit, jo jashtë tij, por edhe të interesave të momentit për qeverisjen dhe për Partinë Socialiste. Zhurma për kandidime të tjera nuk më emocionon fare. Ka të tjerë prioritete PS, sigurisht që demokracia e brendshme në parti ka rëndësinë e vet, por tashmë ka të tjera prioritete dhe çdo gjë duhet parë në përputhje me to dhe jo thjesht për të parë germën e demokracisë”, shprehet profesor Pëllumbi. Për të forcuar pozitat e veta në parti, kryesocialisti Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë me takime në bazë, të cilat në të njëjtën kohë i shërbejnë edhe fazës së zgjerimit dhe zgjedhjeve brenda Partisë Socialiste. Ndërsa përballë ka dy deputetë që kanë shpalosur ambiciet e tyre për të marrë drejtimin e partisë më të madhe në vend, kreu i së majtës nuk ngurron që në përgjigjen për kritikat e Ben Blushit ta japë përballë anëtarësisë së partisë. Vetëm pak ditë më parë, Blushi shpalli kandidaturën e tij për kreun e PS-së. Sipas tij kjo parti duhet të realizojë më parë zgjedhjet brenda saj, pasi kryetari nuk mund të ketë një mandat 7-vjeçar. Teksa pritej që të ishte ndoshta një garë e fortë për drejtimin e partisë mes një prej deputetëve të vjetër dhe me eksperiencë në PS, siç është Blushi, deputeti më i ri në radhët e së majtës, Ndocaj, befasoi me shpalljen e kandidimit të tij për të marrë drejtimin e së majtës, edhe pse nuk vjen nga radhët e kësaj partie, por një partie tjetër në koalicionin me të majtën, PKD, që drejtohet nga Nard Ndoka. Gjithsesi, deputetët brenda së majtës, duke filluar që nga nënkryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, e deri te numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, janë shprehur se në Kongres nuk do të ketë asnjë proces zgjedhor për kreun e Partisë, por thjesht një rimandatim të Edi Ramës. Për këtë pjesë, pra mandatin e kryetarit të partisë, përveçse faktit që është shkruar në statutin e partisë që ai jep dorëheqjen kur partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative, ajo që do të shtohet është edhe pika e rimandatimit të tij në rast se partia i fiton këto zgjedhje. Ndërkohë që e majta e ka nisur fushatën pikërisht nga qyteti ku Rama ka marrë mandatin e deputetit, Vlora, pritet që këtë javë ajo të zhvendoset në Elbasan e më pas në Fier, ku paralelisht vijojnë procedurat për zgjedhjet e delegatëve, të cilët duhet të zgjidhen në 61 bashki deri në fund të muajit shkurt. Njëherësh me ta duhet të përfundojnë edhe zgjedhjet për 61 drejtuesit e partisë në çdo bashki dhe krerët e organizatave socialiste. Në mesin e shkurtit do të ketë edhe një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila do të japë direktivat e tjera për partinë para mbajtjes së Kongresit më 19 mars.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button