Peng realizimi i filmit “Kërshëndellat”
Rekuiem në kujtim të regjisorit të njohur Ismail Ymeri (1956-2016)
Regjisori Ismail Ymeri (Baks, Drenicë) ka ndërruar jetë në mbrëmjen e së enjtes në Stokholm. Takimi i herëpashershëm me shkas. Realizimi i një nga veprave më të njohura kinematografike të realizuara në Kosovë në vitin 1982. Më ndihmoj të takoj mikun e tij, skenaristin e njohur Nexhati Tafa tri vite më parë. Personalitete që mungon në enciklopeditë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, edhe ashtu të pakta të hartuara deri më sot! I mbeti peng realizimi i filmit “Kërshëndellat” për të cilin punoj një kohë të gjatë…
ENVER S. MORINA
Një kumt, tashmë, i përditshmërisë që nuk “po ndalon”! Ka ikur nga kjo botë regjisori Ismail Ymeri (1956-1916).
Viti 1982. Në Kosovë kohë e vështirë por me plot jetë. Një vit më parë kishin ndodhur demonstratat e studentëve e njohur si Pranvera e Kosovës. Regjisori me bashkëpunëtor erdhi në Kijevë. Në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”, klasë në klasë, kërkonte nxënës për filmin e tij “Lepuri me pesë këmbë”. Në mesin e tyre përzgjodhi edhe Beqir Gashin, shokun e bankës. Ne u mërzitem sepse ai do të mungonte edhe në lojën e futbollit që bënin dy ekipet e klasës, por ai do të përjetësohet në shiritin e celuloidit.
Dhjetë vite më parë takova për një bashkëbisedim për intervistë gazete. Dy intervistat e gjata janë një kontribut që më kanë dhënë dije për rinjohjen e rrjedhave të kinematografisë shqiptare në përgjithësi por edhe rinjohjen e krijimtarisë filmike të regjisorit.
Dhe ndihma e tretë, vendimtare për ta takuar skenaristin e njohur Nexhati Tafa. Miku i ngushtë i regjisorit Ismail Ymeri, skenaristi Nexhati Tafa përherë ka hezituar që të bisedoj për krijimtarinë e tij, jo vetëm, si skenarist. Skenaristi ka qënë edhe ideator i një nga revistat më të njohura për kinematografi “Ekrani” që fatkeqësisht doli në vetëm tre numra! Mbetët i paharruar takimi në Petrelë.
Me ndihmën e Smajlit, siç dëshironte ta thërrisnim, takuam Nexhati Tafën dhe në një takim miqësor do të bisedojmë vetëm për vetëm. Dhjetëra të tjerë, para meje, në çastin e këtij kumti kanë menduar për filmin “Lepuri me pesë këmbë” dhe për shfaqjen e këtij filmi në kinema e televizion të shoqëruar edhe me një “monografi” portret për regjisorin. Familja Desku nga Siçeva e Klinës (dëshmorit Jetullah Desku) i mbetët përherë mirënjohës sepse regjisori Ismail Ymeri përjetësoj me një film dokumentar ceremoninë e varrimit të Jetullahut vrarë në “shërbimin” ushtarak në ish-Jugosllavi në vitin 1990)!
Në të dy intervistat e realizuara me Ismail Ymerin, por edhe në takimet dhe bisedat me të kam folur për Beqir Gashin, heroin e kombit, vrarë nga forcat serbe, në dhjetor 1998 në vendin e quajtur “Të Likenët e Hasit” së bashkë me katërdhjetë e një bashkëluftëtar.
Një regjisor që në fondin e tij krijues ka filmin artistik të metrazhit të shkurtër “Duart e pastra” (1981), filmat artistik “Lepuri me pesë këmbë” (1982), “Migjeni” (1989), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), etj., pastaj dokumentarët “Kosova-ndërgjegje e vrarë e Evropës” (1990), “Shqiptarët në shekuj” (1991), etj. pastaj ishte një ndër themeluesit e Teatrit “Dodona”, pas luftës ka hapur në Prizren Akademinë për Film, Teatër, Televizion dhe Radio, etj. po me keqardhje themi se mungon në enciklopeditë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, edhe ashtu të pakta të hartuara deri më sot!
Një nga studentët e tij, regjisori Besnik Zogaj që jeton dhe krijon në Suedi do të shprehet: “Pata fat përsëri që një shtytje dhe përkrahje të madhe të kam edhe nga profesori im Ismail Ymeri i cili edhe ai jeton në shtetin fqinjë Suedi,dhe pa përtesë më jep këshilla dhe sugjerime kohë pas kohe. Poashtu profesori jep një kontribut shumë të madh edhe për urat lidhëse mes këtyre vendeve dhe Kosovës. Ai në Kosovë dha gjenerata ku sot tregojnë suksese ne Kosovë dhe me gjerë, që njeri prej tyre jam edhe unë…”
Vepra kinematografike “Lepuri me pesë këmbë” është një film që gërshetohet guximi ekperimental kinematografik i regjisorit me angazhimin sprovues te të rinjve përkrah aktorëve tashmë të njohur dhe vija rrëfimtare mjaftë e thjeshtë e kuptimplote me mizanskena të realizuara artistikisht. Nga këndi i të sotmes në pyetjen për filmin “ekperimentalisht” real me përmasat kinematografike që theu konvencat e kohës, sidomos për interpretimet e “adoleshentëve”, autore shprehet vite më parë: “… Më 1981 isha absolvent i Akademisë së Filmit në Zagreb, kur drejtori i “Kosova Filmit”, Azem Shkreli, më pat ofruar për ta punuar filmin ”Lepuri me pesë këmbë”, me skenarë të Rifat Kukajt. Veç sot jam i vetëdijshëm për ta kuptuar një vendim aq të guximshëm që realizimi i filmit të më besohet mua, të sapodalë nga Akademia, që edhe nuk kisha ndonjë “të njohur” në pushtetin e atëhershëm për të ma pasur hatrin. Si duket bindja ishte krijuar që nga koha sa isha student, në të cilën Shkollë të Lartë A. Shkreli ligjëronte lëndën e dikcionit, pastaj edhe realizimi i filmit të shkurtër artistik ”Duart e pastra”, i realizuar më 1980. “Kosova Filmi” me atë film mori pjesë në Festivalin e Filmit të Shkurtër Artistik në Beograd, më 1981, i cili u shfaq disa ditë pas demonstratave të studentëve në Universitetin e Prishtinës. Filluan dyshimet, përndjekjet nga pushteti serb, u bë ekspertiza, me dyshim se kemi përdorur foton e Titos, ndërsa ne kishim përdorur të mbretit të Iranit, Pahlavit, por çuditërisht i ngjante Titos. Fati ynë ishte që Istref Begolli ishte anëtar i pleqësisë së Festivalit dhe në rol kryesor luante edhe Faruk Begolli, pastaj piktori Myslim Mulliqi ishte anëtarë i jurisë. Filmi u sulmua nga kritikët serbë. Pas një përjetimi të tmerrshëm, pasi shpëtuam pa ndonjë dënim, për ndonjë çmim as që pritej. Në korrik 1981 filmi ”Duart e pastra” u dërgua në festivalin e akademive të filmit “Cillect” në Karlovy Vary, në Çeki, ku u zgjodh më i miri. Poashtu së bashku me 8 filma të tjerë, u dërgua në Festivalin e Venedikut. Mund të them se jam shqiptari i parë që është paraqitur në Festivalin e Filmit në Venedik. Filmi u shfaq në TV e Prishtinës dhe që nga ajo kohë më nuk është shfaqur. Kjo mund të ketë qenë shtytje e vockël për A. Shkrelin që të më ofroi këtë projekt. (…) “Lepuri …” ishte një përvojë e madhe për mua. Pas një pune të gjatë dhe intervistimene me mbi 2.000 fëmijëve në Malishevë, Kijevë, Xërxe, Rahovec dhe rrethinë, përzgjodhëm 37 për film. Përkrah aktorëve me renome, si: I. Begolli, M. Qena, A. Spahia, Xh. Qena, M. Ajeti, Xh. Çorraj, Ç. Lajçi, B. Muçaj, D. Tahiri, A. Shala, interpretuan fëmijët që as që kishin imagjinuar ndonjëherë për role në film. Puna me përkushtim me fëmijë dhe aktorët, rezultoi në rrumbullakësimin e projektit. Ky filmi u shpërblye në Festivalin e Pulës, me Arenën e Artë për muzikë. Gazeta kinematografike ”Variety” e Los Angjelosit, më 1983 botoi shkrimin e kritikut të filmit Roonalld Hallowey, ku vlerësohej si punim monumental i diplomës, dhe përfundonte: “Mbajeni mend këtë emër (I. Ymeri), është regjisor i së ardhmes!”
Sa herë shohim filmin “Lepuri me pesë këmbë”, sa herë takojmë Nexhati Tafën dhe shohim filma të realizuar me skenar të tij, sa herë përkujtohet përvjetori i vrasjes së heroit të kombit Beqir Gashi, sa herë rishikojmë ceremoninë e varrimit të dëshmorit Jetullah Desku, një emër mbetët midis nesh: Ismail Ymeri!
I përjetshëm kujtimi për të!
Prishtinë, 14 korrik 2016
Portreti i regjisorit Ismail Ymeri