Ekonomia

Për çfarë duhet Këshilli i Investimeve?

InvestimeIntervistë me znj. Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve

Stabiliteti, besueshmëria dhe transparenca ligjore dhe institucionale janë parakushtet e tërheqjes së investimeve. Këto janë edhe fushat ku Këshilli i Investimeve do të punojë për të siguruar besim për investitorët në Shqipëri, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël, të huaj apo vendas, që operojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Cili është qëllimi i krijimit të Këshillit të Investimeve dhe si do të funksionojë ai? 

Këshilli i Investimeve, i cili u lançua nga ministri i Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes më 15 prill 2015 – është një platformë për dialog midis sektorit privat dhe qeverisë, i mbështetur nga institucionet financiare ndërkombëtare.  Objekti i punës së Këshillit të Investimeve është lehtësimi i një dialogu konstruktiv midis qeverisë dhe sektorit privat dhe formulimi i rekomandimeve për përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri. Rekomandimet do të shërbejnë si një bazë për vendimmarrje nga Kryeministri në fushën e klimës së investimeve. Puna e Këshillit të Investimeve mbështetet nga një Sekretariat, me ekspertë të rekrutuar nga BERZH dhe mbështetur me fonde nga qeveria italiane. Sekretariati do të luajë rolin e një njësie koordinuese për aktivitetin e Këshillit të Investimeve, duke komunikuar rregullisht me përfaqësues të biznesit dhe të komunitetit ndërkombëtar për të kuptuar sfidat që përballet sektori privat në Shqipëri. Ekspertët e sekretariatit, ligjorë, financiarë dhe ekonomikë, do të përgatisin analiza dhe vlerësime mbi bazën e çështjeve të ngritura nga biznesi dhe do të prezantojnë rekomandime konkrete në anëtarët e Këshillit të Investimeve – Qëllimi është që zëri i biznesit të konsiderohet në procesin e reformave ekonomike të vendit. Sekretariati do të mbajë raporte direkte me biznesin, shoqatat e biznesit apo edhe me donatorë e atashetë tregtarë të ambasadave të huaja. Problematikat e evidentuara, analiza e tyre me një këndvështrim zgjidhjeje dhe rekomandimet do të shërbejnë si bazë e hartimit të axhendës dhe organizimin e mbledhjeve të Këshillit.

Pse u pa i nevojshëm krijimi i një mekanizmi të tillë, ndërkohë që aktualisht funksionon dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar, si një institucion që dëgjon zërin e biznesit? Si ta bëjmë dialogun eficient, me rezultate konkrete?

Më lejoni të përmend që ky instrument nuk u vendos rastësisht sot, por ka një fillim që daton më shkurt 2014, me firmosjen e një Dokument – Marrëveshjeje në Londër nga kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i BERZH-it në Londër, z. Chakrabarti. Më tej, Memorandumi i Mirëkuptimit firmosur në nëntor 2014, qartësoi më shumë angazhimin për një bashkëpunim në fushën e dialogut midis sektorit privat dhe qeverisë, fuqizimin e klimës së investimeve dhe promovimi i qeverisjes së mirë. Krijimi i Këshillit të Investimeve është një nga elementet e parë të kësaj iniciative të përbashkët. Në këtë kontekst, në lidhje me raportin me KEK, mendoj që Këshilli i Investimeve do të trajtojë problematika të fokusuara kryesisht në klimën e investimeve, me një diskutim në nivel më teknik, me një këndvështrim dhe metodë pune “bottom up approach”.. Ndërsa KEK është një instrument i cili është në nivel më të lartë, trajton problemet në nivel më strategjik dhe drejtohet nga vetë Kryeministri. Në këtë kontekst, mendoj që rekomandimet e Këshillit të Investimeve mund të shërbejnë si inpute teknike të fokusuara në klimën e investimeve dhe që mund të shërbejnë si bazë për mbledhjet dhe debatet e KEK. Pra mendoj që të dy instrumentet janë komplementare. Në parim, mendoj që KEK dhe Këshilli i Investimeve përbëjnë pjesë të një sistemi që ndihmon në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe reformave, me qëllim që të arrihen rezultate konkrete. Angazhimi dhe besimi midis palëve përbën çelësin e suksesit. Palët janë me interesa të ndryshme, por kanë një qëllim të përbashkët. Besoj se është kjo që bën këtë iniciativë unike.

Shqipëria e ka tashmë një agjenci për nxitjen e investimeve të huaja dhe promovimin e SME-ve dhe Eksporteve (AIDA). Ku ndryshon roli i Këshillit të Investimeve nga AIDA?

Në radhë të parë, doja të thoja se Këshilli i Investimeve është një instrument, apo organ këshillimor që do të ndihmojë debatin midis përfaqësuesve të shtetit, përfaqësuesve të sektorit privat dhe donatorëve që janë edhe financues të sektorit privat. Objektivi do të jetë një dialog profesional dhe transparent. Ndërsa AIDA është një institucion shtetëror që e ka për funksion të përhershëm dhe do të thoja “organik”, nxitjen e IHD-ve apo promovimin e eksporteve. Dallimi midis funksionit të AIDA-s dhe Këshillit të Investimeve lidhet me faktorë juridikë, institucionalë apo edhe rregullatorë. Në përgjithësi, do të thoja se kemi të bëjmë me instrumente që plotësojnë njëri- tjetrin për një dialog transparent dhe të qëndrueshëm në një shoqëri që synon të integrohet në BE. Mendimi im është që këta aktorë, nëse koordinohen mirë dhe janë në komunikim të vazhdueshëm, plotësojnë njëri-tjetrin dhe mund t’i sjellin mjaft vlerë të shtuar dhe një perspektivë unike procesit të vendimmarrjes në fushën e politikave të klimës së investimeve në qeverisje.

Nga puna juaj e deritanishme, cilat janë pengesat kryesore të identifikuara për klimën e investimeve, si atyre të brendshme, ashtu dhe të huaja. Cilat do të ishin disa nga zgjidhjet e propozuara për problemet e njohura si çështja e pronësisë, mbyllja e biznesit, procesi falimentimit etj…

Mendoj që pyetjet tuaja përmbajnë edhe problemet për të cilat është propozuar ngritja e instrumenteve apo platformave të tilla si Këshilli i Investimeve. Pengesat kryesore janë tashmë të evidentuara në raporte standarde (raporte ndërkombëtare) si p.sh. “Të Bësh Biznes 2014”, “Raporti i Tranzicionit 2014” nga BERZH, Raporti i Konkurrueshmërisë, apo edhe në sugjerimet që dërgohen nga përfaqësuesit e biznesit në institucione qeveritare apo donatore. Qëndrueshmëria dhe besueshmëria e politikës së qeverisë ndaj biznesit, politikës fiskale apo edhe asaj rregullatore, mendoj se përbën kushtin themelor të investimit për çdo biznes si të huaj edhe të brendshëm. Sigurisht mund të përmend edhe faktorë të tjerë si pronësia, informaliteti, ekzekutimi ligjor i kontratave apo transparenca e energjisë, por zgjidhjet e problemeve janë të ndërlidhura dhe komplekse. Çështje si mbyllja e biznesit apo procesi i falimentimit janë të lidhura me rregullime ligjore paraprake, me ekzekutime institucionale si dhe me dispozitat përkatëse. Pra ka një radhë gjërash që duhet të ndiqen, puna ka filluar me parë se sa të ngrihej Këshilli i Investimeve, ne do të monitorojmë procesin dhe do të mbajmë të informuar biznesin.

Çfarë mekanizmash do të përdorë Këshilli për t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së problemeve të identifikuara dhe si do të funksionoje ky proces? Nëse nuk do të funksionojnë mekanizmat e planifikuar, çfarë zgjidhjesh të tjera mund të propozohen (ideja është p.sh. sa mund të arrini t’i imponoheni qeverisë për t’i hapur rrugë një investimi që has pengesa)?

Dua të theksoj se sekretariati është një strukturë që do të drejtojë pjesën e organizimit të punës të Këshillit të Investimeve, ndërsa vendimet do të ndërmerren nga anëtarët e Këshillit të Investimeve dhe jo nga Sekretariati. Pra qeveria do të vendosë nëse rekomandimet e Këshillit të Investimeve do të zbatohen apo jo. Përgatitja e një axhende si rezultat i identifikimit të problemeve me anë të një procesi sa më gjithëpërfshirës, d.m.th jo i imponuar nga lart, përbën edhe fillimin e punës së Sekretariatit. Me miratimin e axhendës, ekspertët e Sekretariatit do të punojnë për një analizë të thelluar të problemeve si nga këndvështrimi i biznesit, por edhe atij shtetëror. Rekomandimet do t’i paraqiten Këshillit të Investimeve për diskutim dhe konsensus në një afat prej 10 ditësh në avancë (në përputhje me VKM) dhe rregulloren e brendshme të Këshillit. Me miratimin nga Këshilli i Investimeve, sugjerimet do t’i dërgohen Kryeministrit për një vendimmarrje të mëtejshme. Sekretariati do të publikojë dhe ndjekë të gjitha hapat deri në marrjen e vendimit apo mosmiratimit në heshtje të problemit.

Nëse një biznes, qoftë vendas apo i huaj, do të haste probleme në projektin e tij të investimit, ku mund të ankohet konkretisht dhe si do të ndiqet ai?

Aktualisht ka disa përpjekje nga qeveria në këtë drejtim, veçanërisht me Ligjin e përgatitur rishtazi të investimeve strategjike. Ndërkohë Sekretariati ka edhe një funksion që ka të bëjë me ankesat e biznesit, por jo me marrjen përsipër të zgjidhjeve pasi është vetëm një strukturë këshillimore dhe informuese, por jo vendimmarrëse. Në këtë kontekst, do të thoja se Sekretariati do të jetë si “Zëri i Biznesit” brenda Këshillit të Investimeve duke dëgjuar, duke evidentuar dhe duke prezantuar problemet, por nuk ka autoritetin për t’i zgjidhur ato.

Sa do t’i promovoni investimet e gjelbra, apo ato që nxisin rritjen e qëndrueshme. Cilët janë sektorët që konsideroni më prioritare për të tërhequr investime?

Do të theksoja edhe një herë se Sekretariati nuk ka politika të veçanta sektoriale dhe nuk është përgjegjës për promovimin e investimeve. Kjo strukturë është ngritur për të mbështetur punën e Këshillit të Investimeve në fushën e klimës së biznesit dhe antikorupsionit. Vendimet nuk merren nga Sekretariati por nga Këshilli i Investimeve, bazuar edhe në analizat profesionale të ekspertëve të sekretariatit.. Në parim, mendoj se stabiliteti, besueshmëria dhe transparenca ligjore dhe institucionale janë parakushtet e tërheqjes së investimeve. Këto janë edhe fushat ku Këshilli i Investimeve do të punojë për të siguruar besim për investitorët në Shqipëri, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël, të huaj apo vendas, që operojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button