Kryeartikull

Për kë ngrihet memoriali?

Bedri Islami

Nuk e di se sa vite kam që nuk kam shkuar në Tepelenë. Edhe kur kam qenë, këtu e katër dekada të shkuara, nuk e kam ditur dhe as nuk më thanë se dikur këtu paska qenë një Aushvic shqiptar, në të cilin kishte kaluar golgotha shqiptare. Kisha parë në Savër të Lushnjes familje të tëra të internuara, thonë se në Lushnje kanë qenë mbi 85 për qind të të internuarve, por, për Tepelenën nuk kisha dëgjuar. Tepelenën e lidhja më shumë me Turanin, se aty kishte lindur miku im poet, Petrit Ruka, dhe pastaj Turanin e lidhja me Tepelenën.

Duke e njohur Petritin, harrakat i pandreqshëm, me të cilin bisedonim deri natën vonë për poezinë dhe miqtë e përbashkët, edhe po ta dija se në vendlindjen e tij kishte pasur kampe internimi, vështirë se do përfytyroja. Mirëpo ja që paska qenë ndryshe. Aty ka pasur, në vitet e para të pasçlirimit, kampe ku janë internuar familje të tëra dhe që, në të shumtën e rasteve vinin nga veriu i Shqipërisë, ose ishin nga familje të njohura, disa nga të cilat i kishin pasur prijëtarët e tyre koaboracionistë të thekur, ministra të një pushtimi gjerman, si duket një ditë edhe mund të dekorohen si bëri Nishani se i shërbyen nazizmit, kishte pasur pasardhës të atyre që kishin vrarë ose kishin dhënë urdhër gjakftohtësisht të vriten kundërshtarët e tyre politikë.

Nuk e përfytyroja dot se si për fajin apo krimin e një njeriu të gjendeshin në një kamp internimi pinjollët e tyre.

Ashtu si nuk e përfytyroj as sot e kësaj dite që në qytezën ku sapo kishin sjellë të internuarit e parë, jetonin njerëz që do të ishin xhelatët e tyre. Me gjithë këtë propagandë që po bëhet për “kampin e Tepelenës” nuk është çudi që të kemi një version të ri të xhelatit shumës ndaj viktimës njëjës.

Sot, me 23 gusht, në Tepelenë, si fillesë e një vargu pasues, në takimin me të shkuarën, do të organizohet “Dita Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare”.

Në fakt, në qendër do të jenë viktimat e një sistemi totalitar, atij komunist dhe kjo duhej bërë që prej kohësh, por, ndoshta largësia ka ndikuar për një zbutje të gjakrave dhe kthimin e kujtesës ndaj gjithë atyre që u dënuan e vuajtën padrejtësisht, duke bartur mbi jetën e fatin e tyre mëkatet, fajet dhe krimet që kishin bërë pararendësit e tyre.

Nuk e kam përfytyruar dot kurrë se si një fëmijë i sapo lindur do të ishte fajtor për bëmat e atit të tij. Nuk e di pse mund të ishin fajtorë Merlikët për atë që kishte ndodhur me Mustafa Krujën si kryeministri më i egër i fashizmit. Nuk e di ende se çfarë faji mund të kishin Mirakajt e tjerë, gratë e fëmijët, pse një prej tyre, Kol Bib Mirakaj u bë kryetar i partisë fashiste dhe disa të tjerë luftuan me armë kundër shqiptarëve të tjerë. Mjaft krime ka bërë gjatë luftës Isa Manastirliu, nga më të llahtarshmet, po përse mund të internehoeshin të afërmit e tij këtë është e vështirë t’ia shpjegosh një njeriu të zakonshëm. Nën drejtimin e Këshillit të Naltë u krijuan forcat e xhandarmërisë në çdo qytet shqiptar, të cilët pastronin rrugën e forcave gjermane, arrestonin, internonin e vrisnin pa marrë leje nga askush, dhe ky këshill i naltë ose Regjencë vërtet kishte katër emra të njohur, njëri nga të cilët padër Anton Harapi kishte pritur me tufa lulesh edhe forcat italiane, por pasojat e klikës së krijuar nuk kishin pse të binin mbi familjarët e zakonshëm. Mund të “kremtohet” me bujë të madhe kryengritja e Kelmendit, ku shkon çdo vit edhe shefi i demokratikasve, por nuk duhet harruar se në pak minuta, ndaj njerëzve, partizanë të batalionit të parë të Brigadës së Parë Sulmuese, të cilët i kishin armët grykëposhtë, si shenjë fjale e jo vrasje, u qëllua ashpërsisht dhe mbetën të vrarë më shumë se 40 prej tyre, njëri nga të cilët edhe Fejzi Micoli, Vullneti, komandanti i batalionit. Asnjëherë dhe askush nuk pyet sot, përse duheshin vrarë. Njëri më tha se “këtu është Malësi e madhe dhe se këtu nuk kanë vend komunistët”, sikur Kelmendi ishte principatë në vete dhe bajraktarët ishin zotërit e saj. Hakmarrja primitive ndaj kelmendasve ishte mizore, miope, e vrazhdë, e gjakueshme.

Është i vetmi vend europian që gjatë luftës, ata që  fituan, kishin shumë më të vrarë, të zhdukur dhe të internuar, se sa kishin humbësit e luftës.

Megjithatë, ajo që ndodhi deri në dhjetorin e vitit 1944, edhe nëse kishte një zgjidhje europiane për kolaboracionistët dhe urdhërdhënësit e vrasjeve, duhej të kishte përfunduar aty.

Por, nuk ishim vendi i vetëm që pas luftës , kërkuam vendosjen e së drejtës. Shtete të njohura perëndimore, si Blegjika apo Franca, Hollanda apo Danimarka, shkuan edhe më tej, sidomos në Belgjikë, ku menduan se duhej bërë pastrimi i një kalvari që kishte rënduar mbi jetën e njerëzve, duke mënjanuar shërbyesit e pushtuesit.

Nuk e di nëse Belgjika do e përkujtojë këtë ditë, por nuk ma merr mendja. Ata kanë tani një “sistem” demokratik, të hapur, të civilizuar, i cili e ka lënë pas një kohe dhe mëkatet e teprimit mund të falen.

Ne rendim të fajësojmë veten për gjithë çka ndodhur. Ne duam të jemi të parët në vuajtje, kur nuk ishim të parët në rebelim. Kërkojmë të ringritim vetëm njërin krah të së shkuarës. Endemi në rebusin, ose me ne, ose me ata. Nëse nuk je i yni, je kundër nesh.

Ne e afrojmë drejt vetes të keqen, pa e ditur se si ka ndodhur diku tjetër. Mjafton të përulemi dhe të humbim dinjitetin, për të qenë më të lakueshëm.

Mendimi se në Shqipëri ka qenë diktatura më e egër në Europë nuk është vetëm i Ministres së sotme të Kulturës, do të thotë të Rilindes, zonjës Kumbaro. Ai është përsëritur aq shpesh dhe aq fort sa që, edhe po të hedhësh në media qindra e qindra fakte të tjera, nuk të zënë vend, sepse ka ndodhur ajo që faik Konica e quante “hipnotizimi nga përsëritja”.

Si duket, kjo i ka ndodhur edhe zonjës së mësipërme. Nuk jam i sigurtë nëse Zonja jonë e kulturës e di se në rrethin e kufirit të trojeve shqiptare është edhe një vend, Kosova, tashmë republikë e pavarur, në të cilën numri i të vrarëve, rreth 45 mijë vetëm pas vitit 1945, është të paktën dhjetë herë më i lartë se të vrarët e të zhdukurit në 45 vite të shtetit komunist shqiptar. Nuk e di nëse në memorjen e saj ka mbetur vend për një shifër zyrtare, por të sakatuar drejt uljes se, pikërisht në Kosovë, të arrestuarit politikë në 45 vite ka qenë mbi 360 mijë vetë dhe burgjet serbe ishin njëlloj po aq të tmerrshëm sa edhe burgjet e shtetit shqiptar.

Nejse, ajo duhet ta dijë më mirë se gjithë ne të tjerët se kultura e një vendi nuk shkon drejt mohimit, por ringjalljes së vlerave, ashtu si duhet ta dinë këtë edhe organizatorët me kaq bujë dhe hopa të një dite të caktuar, e cila duhet mbajtur, duhet ringritur, duhet shpalosur, por që duhet të ketë në përfshirjen e saj shumë më tepër se sa mendohet se ka ndodhur.

Por, 23 gushti më është kujtuar edhe për një ngjarje tjetër, e cila nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me këtë që ndodh sot në Tepelenë, por sidoqoftë e ka një fillesë të përbashkët.

Me 21 gusht, nga mesdita, pas 6 orësh të rrethuar, në zallin e përroit të tharë të Vigut, nga njerëzit e Markagjonit, u vranë pesë djem të rinj, të cilët, më pas, kaluan në histori si 5 Heronjtë e Vigut.

Familjet e tri prej tyre i kam njohur jashtëzakonisht mirë, në njerën prej tyre jam rritur.

Lajmi për vrasjen e tyre erdhi në Shkodër një ditë më pas, me 22 gusht, në buzëmbrëmje. Arif Gjyli, sekretari politik i Luftës, që ishte daja i Naim Gjylbegut, dërgoi një njeri me lajmin se në Mirditë ishin vrarë disa shokë, mes të cilëve edhe Minuku (Ndoc Mazi), Tigri (Ahmet Haxhija), Hyda (Hydajet Lezha), Ndoc Deda dhe, mendohej se i pesti ishte Besniku (Naim Gjylbegaj).

Për këtë të fundit, Naimin, ishte gjithçka në dyshim, pasi ishte një mendim se Marka Gjonët, meqenëse kishin qenë miq me Gjylbegajt, nuk e kishin vrarë.

Disa javë më parë kishte vdekur nga një sëmundje fatkeqe, vëllai i Naimit, Tushi, diku rreth 10 viteve. Lajmi ishte apo nuk ishte i vërtetë. Dikush tha se Marka Gjonët nuk mund të vrisnin nipin e Muharrem Gjylbegut. Nëna e Naimit, megjithëse ishte ende dritë, tha që të mbyllen kapakët e drujta të dritareve të mëdha dhe derës së madhe të oborrit të vihej shuli. Nuk do të presim askënd, nëse im bir është gjallë. As nuk është më im bir. Pastaj tha se duheshin thirrur urgjent dy xhaxhallarët e Naimit, Beqiri dhe Isufi, ish oficerë të lartë, dhe nëse ka ndodhur kështu, duhej ta vritnin. Me domosdo.

Gjithë natën asgjë nuk lëvizi në atë shtëpi. Në mëngjes heshtja ishte aty, dritaret e mbyllura, dera e madhe e mbyllur. Në drekë erdhi lajmi se ishte vrarë edhe Naimi. Atëherë u hapën dritaret, u hap dera e madhe, njerëzit mund të vinin për ngushëllim.

Dhe pikërisht atëherë, në mbylljen e pasdites së 23 gushtit, erdhën xhandarët e Xhafer Devës dhe vendosën t’i vinin zjarrin shtëpisë së madhe të një fisi të njohur. Arrestuan kë gjetën aty, katër vetë. I dorëzuan tek forcat gjermane. Prej tyre, dy i pushkatuan, pa asnjë gjyq, pa asnjë shkak, dy të tjerë i internuan në Prishtinë bashkë me qindra të tjerë, nga të cilët u pushkatuan në një natë 104 vetë.

Nuk besoj se do të jenë dokumentë të kësaj natyre në pavionet që do të hapen nesër në Tepelenë.

E keqja, zonja Ministre, ka patur dy fytyra dhe që të mos harrohen, së bashku, i duhen dhënë të dyja.

Sepse, 23 gushti që po ngrihet, do të harrohet shumë shpejt, ndoshta që me 24 gusht, nëse e vërteta dhe e drejta nuk qëndrojnë sëbashku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button