Opinion

Për pak më shumë dinjitet njerëzor

NDUE DEDAJ

Lufta e “vogël” e klasave

Ndue-DedajLufta e klasave ka qenë përbindëshi i dukshëm dhe i padukshëm i regjimit komunist. Nuk ishte vetëm lufta gjëmimtare që zhvillonte Hoxha kundër “klasave të përmbysura” e grupeve kinse komplotiste, që nga mbledhja themeluese e PKSH-së e derisa u shua, me burgje, gjyqe, ekzekutime, dëbime, internime, por dhe ajo lufta e “vogël” që nuk ishte aspak vogëlimë. Ai ishte nxënës dhe kur vinte Dita e Dëshmorëve, nxitonte si të gjithë të tjerët të merrte kurorën e ta vinte te lapidari i heroit, por sapo afrohej, zgjatej dora e dikujt (qoftë dhe e mësuesit të tij) dhe ia hiqte nga duart, duke e kaluar kurorën te fëmija që vinte më pas në rresht, pasi ai nuk mund ta kishte atë nder, se ishte me biografi të keqe, ani se ende nuk mund ta kuptonte se çfarë ishte ajo njolla që e kishte vetëm ai e ndoca të tjerë. Njolla e biografisë sa vinte e zmadhohej në sytë e tij, si re e ngarkuar me breshër. Pak nga pak ai niste të kuptonte se punët e tij do të rridhnin krejt ndryshe nga ato të shumicës së klasës, shkollës, botës; si biografikeqas që ishte nuk do të vente dot në shkollë të mesme, nuk mund të ishte anëtar i Frontit (jo) Demokratik. Për të nuk kishte punë shteti, në mos vetëm në minierë. Atij nuk i thoshte kurrë askush të lumtë! Shkurt, për të kurrë nuk do të binte dielli. Nëse do të vente në dasmë te kushëriri me biografi të mirë, do ta linin veçan si një të paftuar, ose dhe mund t’i kujtonin si me “takt” që të ikte fare prej aty e të ruante delet. Ja, të gjitha këto ishin gjëra aq të vogla, sa nganjëherë vetëm ai vetë mund t’i vinte re. Ai mund të ishte vetëm hije, të rronte si hije, të ikte si hije. Jeton sot si zonjë në mes të kryeqytetit një grua e vjetër që kur ishte komuniste në fshat i qe hakërryer keqas një nxënëseje të klasës së gjashtë, teksa shkolla mblidhte misrin me aksion në “Ditën e Enverit”, e asaj vogëlushes simpatike me fytyrë të purpurt nga djersa i qe shkapërderdhur duja e kashtës në duar: “Mos, he t’u thaftë dora, se ta shkul dhëmballën e shëndoshë!” Në format e edukimit militantja sypatrembur nuk hapte gojë, se ishte një analfabete e gjysmë e nuk i lidhte dy fjalë bashkë, por luftën e klasave e kishte mësuar si gjeli këngën. Kurse ajo vajza e dikurshme, sot grua dyzet e pesë vjeçe, që nuk iu dha e drejta e shkollës së lartë, dhe pse nuk merrte asnjëherë poshtë notës tetë, kurrë nuk e paditi në këto njëzet e pesë vjet tutoren e saj ideologjike, që kujdesej që shteti t’ia hiqte “dhëmbët” qysh e vogël, që të mos kafshonte M-L dhe fantazmën e tij të kuqe…

Po pse po e cekim atë realitet të kaluar? Për t’i kujtuar shumëkujt se tash që shkruhen kujtime të asaj kohe vetëm me “disidencë”, nga Xhelil Gjoni e të tjerë, a thua ka vend për pak ndershmëri me veten!? Nëse askush nuk qe bakeqas, kush atëherë ishte ai që e bëri luftën e klasave të madhe, apo të “vogël”? Kemi dëgjuar plot njerëz të asaj kohe të thonë: “unë nuk i heq asnjë presje asaj që kam bërë dje”, ndër ta dhe shkrimtarë që shkruan pa kursim vjersha për Partinë. Kjo është një krenari e bjerrë, pasi “presjet” na bien dhe në demokraci, jo më në diktaturë. Prandaj që të mos na bien dhe “pikat” nga të tjerët, të paktën “presjet” t’i heqim vetë. Ja, këtu nis hapja e dosjeve. Dhe tani që ato do të hapen, ku do të përdoret me gjasë modeli gjerman, dihet se atje nuk u ndaluan vetëm byroistët të ushtronin pushtet në demokraci, po dhe profesorët e marksizmit nuk u lejuan pas ’90-s të jepnin lëndën e tyre në shkolla, madje dhe ata të letërsisë së realizmit socialist.

E vërteta e së djeshmes kërkon kurajë të thuhet!

Mirëpo në vend që të ketë reflektim dhe përpjekje për pak më shumë dinjitet njerëzor, disa borizanë të diktaturës, sa herë dikush prek tabunë komuniste, bëjnë zakonin e vjetër, “…e mprehin shpatën/ edhe njëherë për situatën”. U thanë dy fjalë për luftën e “vogël” klasore, pa mendoni sikur të ishte folur për luftën e madhe të kllasave, atë me Burrel e Spaç! Atëbotë nuk do të mjaftonte gjithë ky dimër për t’(mos)u marrë vesh me disa ish-profesorë e lektorë të marksizmit, gjithandej Shqipërisë, që shijojnë me andje të mirat e kapitalizmit, të cilët ish-nxënësit e tyre i tradhtuan, si ata që aderojnë në partitë politike të djathta e të majta, si ata që nuk bëjnë pjesë në ndonjë sosh.

Në emër të dinjitetit njerëzor është detyrim qytetar e intelektual të evokohet qëndresa morale e njerëzve që kurrë nuk britën për persekutimin që u bëri ai sistem me farefis. Dikush e ka bërë reflektimin me aderimin në partitë politike, dikush tjetër përmes medias së lirë etj. Kur ndodhi rebelimi komunist rus i vitit 1991, patëm reaguar përmes editorialit politik “Ëndërr dhe zhgjëndërr e një nate vere”, në gazetën “Zëri Rinisë”, kundër rikthimit stalinist, që pati gazmuar dhe ish-ët tanë të sfilitur betejave ideologjike pa bereqet. E kuptojmë se duhet kurajë e madhe për të shqiptuar të vërtetën, edhe po të kesh dëshirë ta bësh këtë, jo më të përpiqesh ta shfarosësh me të njëjtin stoicizëm bolshevik si dje. Kemi të bëjmë me çështjen më madhore të shekullit XX, prandaj nuk pritet që analiza përfundimtare të ndodhë sot, ama atyre që shkruajnë ngutshëm artikuj, kujtime, monografi duke glorifikuar regjimin e kaluar, iu duhet kujtuar: si shumë “disidencë” po futni në kujtimet tuaja veterane, sikur askujt të mos i ketë hyrë ferrë në këmbë nga ai regjim!? (Aa, nëse dikë e ha meraku se me një të rënë të lapsit po fshijmë gjithçka, nuk është aspak kështu, idealistët, të ndershmit, fisnikët nuk i mungojnë asnjë kohe, nuk i kanë munguar as atij pushteti, por ata nuk kanë qenë regjimi, për të mos thënë se regjimi fshihej pas tyre për t’u dukur qengj, kur ishte ujk, po kjo është një temë tjetër.)

Nuk është e drejtë të vazhdohet të luhet cicmic më historinë, se mos shpëtohet diçka nga nderi i humbur, siç është qesharake të citohen slogane të venitura personalitetesh të mëdha, kinse në favor të komunizmit. Dështimin e madh të atij rendi botëror nuk e shpëton asgjë, as vetë themeluesit e asaj doktrine. Një poet i njohur grek e pati pagëzuar komunizmin si “rinia e botës”, në kohën kur ende nuk kishte dalë nga ëndrra, por nuk di se si do ta kishte quajtur në ’89-n, po të mund të zgjohej nga qielltoka e të shumëve, kur po binte “Muri i Berlinit”, i cili kishte bërë që vëllai “lindor” të ruante për tridhjetë vjet me syrin në shqekëz e gishtin në këmbëz faqen e Murit nga ana e tij, që të mos e kapërcente si diversant vëllai “perëndimor” kapitalist. O Zot, kishte ndodhur si në mitet greke-romake, Muri kishte brof nga nëndheu si një përbindësh i zi militar, teksa ata fëmijë po luanin futboll në lagje, për t’i lënë një jetë të ndarë, në dy porta të hekurta, në armiqësi e në duel iliadesk mes tyre, paçka se ishin vetëm një metër “mur” larg njëri-tjetrit!” E ai “mur” nuk qëndronte vetëm atje mes dy Gjermanive, por ishte zgjatur nga rrugicat e Korçës te kullat tona në shkrepa, murndarës i vëllait partizan me vëllain “reaksionar”. A mund të ketë shpjegim sot nga profesorët e yllit të kuq, që vëllai të ishte komunist, me detyra të larta në pushtet e me të gjitha nderet, kurse e motra të mos kishte as triskë Fronti, vetëm pse ishte martuar me një burrë antikomunist? A nuk ishte vetë kreu më i lartë i vendit që të motrën e kishte lënë në mëshirë të fatit rrugëve, vetëm pse ajo kishte qenë e martuar me një nacionalist që vetë i vëllai udhëheqës ia kishte pushkatuar? Nëse dikush e arsyeton këtë, përpos se në tragjeditë e Shekspirit, atëherë ne mund ta ulim disi tempin “antimarksist”, paçka se kemi qenë dhe jemi jo-komunistë. Na mbetet vetëm të përsërisim pareshtur dhe me duresë hamletiane: e vërteta nuk mund të thuhet nga të gjithë, por të paktën të mos na marrë frymën e rrejshmja, se dje paskëshim pas qenë “disidentë” e nuk e paskëshim ditur!?… Kujtohuni pak si nuk e përdori kurrë Pjetër Arbnori për katër vjet foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i të cilit ishte, për të bërë “gjyqin” e perskutorëve të tij politikë, apo poeti ministër Visar Zhiti tryezën e qeverisë për të njëjtin qëllim. Kjo nuk ka ndodhur ngaqë të vuajturit e dinë mirë çmimin e lartë të dinjitetit njerëzor, por dhe gjyqin e pashmangshëm të epokës. Ata nuk kanë idhuj tokësorë dhe kështu e kanë shpëtuar shpirtin e tyre, kurse borizanët e kauzës së shuar, që u ka mbetur ora në pardje, më kot përpiqen t’i shpëtojë Bertold Brehti i madh, që ishte fshikulluesi dramatik i çdo forme diktature.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button