Për Pëllumb Kullën, ish-Sigurimin dhe Heronjtë
Nga Gjon Bruci
Shkrimi me titull “Një luftë që s’ka mbaruar” i Pëllumb Kullës, botuar në gazetën “Dita” të datës 14 Nëntor 2017, pavarësisht nga pëlqimet apo mospëlqimet e lexuesit, mendoj se hap një temë interesante, e cila nuk duhet të kalojë pa vëmendje nga ana e intelektualëve, por edhe e lexuesve të thjeshtë.
Them interesante dhe madje e rëndësishme sepse bëhet fjalë për periudhën e konsolidimit të pushtetit popullor të dalë nga LANÇ, një periudhë 10 vjeçare, ku qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin të shëronin plagët e luftës e të nisnin një jetë të re, iu desh të luftonin dhëmb për dhëmb kundër bandave të reaksionit.
Në këtë luftë “të dytë”, e cila përfundoi me fitoren e Pushtetit të popullit, ranë mjaft shqiptarë, të cilët sipas veprës që kryen, u quajtën nga koha disa Heronj, e disa armiq. Pikërisht këtë “hendek” të hapur para 6 – 7 dekadash midis shqiptarëve, autori na propozon që duhet mbushur, me qëllim që “Lufta që s’ka mbaruar”, më në fund të mbarojë!
“Qysh në krye të shkrimit, më saktë në një shënim të veçantë që përcjell titullin e tij, autori shkruan: “Shumë luftëtarë kanë dhënë jetën, për shkak të anës së gabuar në barrikadë, për shkak të urdhërave jo të studiuara të komandantëve në caktime pozicionesh apo urdhëra të hyrjes në beteja të pamundura. Ne, heroizmin e këtyre luftëtarëve do ta shikojmë të shkëputur nga gabimet. . .”!
Me modesti ndaj intelektualit të mirënjohur Pëllumb Kulla, krijimet artistike të të cilit unë i kam ndjekur e i ndjek me shumë endje, dua t’i kujtoj një shprehje të popullit e cila thotë: “Të rrimë shtrëmbur, por të flasim drejt”! Ç’është e vërteta, mirë është që të rrimë drejt dhe të flasim drejt. Por populli e ka ditur se jo të gjithë i kanë mundësitë të rrinë drejt, kjo për arsye fizike apo morale qoftë, ndaj thënien e tij filozofike e ka përcjellë me një “defekt” të domosdoshëm. Nëse autori do të marrë në konsideratë këtë thënie popullore, me siguri do të pajtohet me shumë nga mendimet e mia për çështjen për të cilën diskutojmë.
Bota ka njohur shumë trima të çartur, plot luftëtarë me emër, kordhëtarë të shkathët etj. etj., por jo të gjithë janë quajtur Heronj. Historia njeh Heronj vetëm ata që kanë rënë për një çështje të madhe të Atdheut e të popullit prej nga kanë dalë. Mercenarët, si ato të bandave diversioniste të viteve 1944 – 1954 nuk kishin asnjë motiv të qenësishëm në shërbim të popullit, përveçse motivin e realizimit të planeve të të huajve, tek të cilët kishin gjetur strehë dhe ishin të detyruar tu shërbenin.
Të paktën kapot e këtyre bandave diversioniste të atyre viteve, nuk ishin gjë tjetër veçse kontigjenti që gjatë LANÇ u vu në shërbim të pushtuesit dhe kur pushtuesi u mund, ata vrapuan pas tij si zagari pas të zot, me shpresën se me ndihmën e tij mund të riktheheshin përsëri në postet ku për qindra vjet soji i tyre kishte shtypur e shfrytëzuar popullin fukara.
Fakti që “Luftëtarët” në fjalë mbas arratisjes gjetën strehë pikërisht tek armiqtë historikë të shqiptarëve dhe që prej tyre merrnin jo vetëm udhëzimet por edhe armët me të cilët bënin masakra mbi shqiptarët e thjeshtë dhe pasurinë e tyre, ua heq atyre të drejtën të quhen Heronj, pavarësisht nga guximi apo trimëria e treguar në luftën e tyre të dështuar. Por edhe trimëria e këtyre luftëtarëve ishte mjerane.
Në asnjë rast ata nuk luftuan ballas e në frontin e luftës kundër forcave të mbrojtes, por fshehur pas ferrave, duke vrarë kryesisht fshatarë të thjeshtë, gjer dhe gra e vajza, siç ishte rasti i Heroinave mirditore, të cilat i masakruan për të vetmen arsye se kishin shkuar në ndërtimin e Hekurudhës, apo në kurset kundër analfabetizmit.
Në vijim të “akteve” të këtyre “Luftëtarëve”, unë do të sjell një episod që lidhet me shtëpinë dhe familjen time në fshatin malor Lufaj të Mirditës. Në zbatim të Vendimit të Komitetit të Maleve, një komitë prej 30 – 40 diversantësh të komanduar nga kolonel Llesh Gjomarku (vëllai i Mark Gjomarkut), në një natë të errët të qershorit 1946 mbërriti në Lufaj të Selitës “për të pushkatuar para popullit të Bajrakut” fshatarin e thjeshtë dhe babain tim Zef Bruçi, i cili kishte marrë përsipër pa asnjë shpërblim detyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor.
Në pamundësi për ta kapur Kryetarin e Këshillit, banda na fjalë dogji shtëpinë e tij, duke lënë në dritë të hënës gratë dhe fëmijët e kësaj shtëpie. Po e pranojmë për një çast se babai im e meritonte pushkatimin, sepse kishte strehuar Bardhok Bibën me shokë. Po gratë dhe kalamajtë e vegjël të shtëpisë ç’patën bërë, që këta banditë “Luftëtarë” i lanë pa strehë?!
Autori i nderuar Pëllumb Kulla, me të drejtë shpalos shqetësimin që edhe sot pas 7 dekadash, lufta verbale “midis luftëtarëve të sigurimit”, përfaqësuar nga Asim Aliko, Mark Dodani, Hekuran Pobrati, Pal Melyshi, etj. dhe “luftëtarëve të bandave”, po vijon duke mos lënë shanse për “paqëtimin” e shqiptarëve apo për “mbarimin e luftës”! Dhe si argument që kjo luftë verbale të mbarojë dhe hendeku midis luftëtarëve të të dy fronteve të mbushet e sheshohet, na sjell dy shembuj: njërin nga Lufta civile e amerikanëve, dhe tjetrin nga Spanja e vitit 1936.:
“Në asnjë rast, – shkruan autori, – në SHBA nuk përkujtohen heroizmat e amerikanëve mbi amerikanët e tjerë”. Dhe duke na sjellë shembullin tjetër më të afërt, autori kujton ligjëratën e Frankos në përkujtimin e një prej betejave të tij më të famshme: “E tani, – tha Gjeneralismi, – cilët do të nderojmë dhe cilët jo? Kush ishin mbi këtë truall të përgjakur dëshmorët dhe cilët ishin antidëshmorët? Nuk ka dallim. Të dy palët janë dëshmorët tanë”.
Të dy shembujt e mësipërm, çalojnë nga një detaj mjaft i rëndësishëm. Në Luftën Civile të Amerikës, ashtu si dhe në Spanjë, luftëtarët amerikanë apo spanjolë nuk ishin vënë në shërbim të të huajve, siç ishin vënë “luftëtarët” e komitave tona të periudhës 1944 – 1954. Nëse autori ka harruar, po e kujtoj se për shëmbull, Kryetari i Komitetit famëkeq të maleve, kolonel Mark Gjomarku kishte qenë ministër i qeverisë fashiste në vitet 1939 – 1943. Dhe jo vetëm ai, por të gjithë kapot e bandave patën qenë të lidhur me njëmijë fije ose bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të pushtuesit nazifashist. Është ky “detaj” që ua ndalon atyre mundësinë e shpalljes luftëtar Heronj.
Padyshim që meraku i Pëllumb Kullës për “Luftën që s’ka mbaruar” edhe pas shtatë dekadave, është i drejtë. Luftëtarët e bandave reaksionare, vërtet nuk mund të quhen Heronj, por nga ana tjetër, të gjitha mundësitë kanë qenë që, vepra e tyre e zezë të arshivohej në dosje dhe të mos gërgitej, siç thotë shkodrani. Se në fund të fundit edhe ata janë njerëzit tanë. Por gërgasit e kësaj “dosje” kanë qenë vetë personazhet e tyre; të mbeturit të gjallë apo trashëgimntarët e atyre që ranë në përpjekje.
Pas shtatë dekadash nga ajo kohë, pjesëtarët e bandave reaksionare të periudhës 1944 – 1954 ishin gati të harroheshin. Por ishin pikërisht ata vetë, pasardhësit e tyre e madje edhe politikanët e llojit Berisha, Nishani e kompani që personazhet e këtyre dosjeve të zeza i nxorën nga pluhuri i kohës dhe harresës për t’i “shndritur” me medalje e buste të pamerituara. Për të mos përmendur dëmshpërblimet me të holla, që shumica e këtye personazheve kanë marrë për meritat e vrasjes së rreth 650 shqiptarëve, shumica prej tyre ushtarë të thjeshtë, fshatarë e punëtorë të varfër, intelektualë që kishin marrë përsipër zhdukjen e analfabetizmit, gra e vajza që donin të martoheheshin pa e vendosur “thesin” mbi krye ditën e dasmës së tyre.
Në vijim dua t’i kujtoi autorit dhe një traditë të hershme të shqiptarëve të veriut: Sipas dokeve zakonore, në mortin e të vrarit mund të vinte edhe vetë vrasësi, pa patur frikë se do ta kërcënonin apo ta vrisnin. Por vrasësi duhej të vinte me pushkën me grykë poshtë. E kundërta ka ndodhur e po ndodh me ish diversantët dhe disa nga trashëgimtarët e tyre.
Jo vetëm vijnë me “grykën e pushkës” përpjetë, por madje duke kënduar e tundur verdhushkat e shpërblimit dhe diplomat e nderit pa nder, të akorduara nga pushtetarët perversë të tranzicionit shqiptar. Në këto kushte, sigurisht hendeku i ndarjes midis Heronjëve dhe Diversantëve nuk mund të mbushet dhe për pasojë as lufta nuk mund të mbarojë.
Sa për të shkruarit e moderuar të Mark Dodanit, apo gjuhën e intoksikuar të viteve gjashtëdhjetë të Luan Pobratit, lidhur me SHBA, unë do të mjaftohem me faktin se vetë personalitetet amerikane dhe Departamenti i shtetit, grupet diversioniste ndaj vendit tonë i kanë quajtur të jashtëligjshme. Nëse për emërtimin “grupe diversante” do të kërkohet një tjetër, atëhere për “Luftëtarët” që vinin me nëndetëse, apo hidheshin me parashutë për të vrarë, djegur e mbjellur panik në popull, termi më i saktë është “Grupe terroriste”.
I nderuar Pëllumb Kulla, jo më kot në titull të shkrimit tim modest vura fjalën e urtë të popullit: “Të rrimë shtrëmbër, por të flasim drejt”. Unë nuk mund ta gjykoj pozicionin tuaj të djeshëm, sepse nuk ju njoh nga afër. Mund të keni plotësisht arsye të qëndroni “shtrëmbër”. Por nuk keni asnjë arsye të mos flisni drejt. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një personalitet të artit, siç jeni ju.
Unë bashkohem me mendimin e zotit Xhevdet Shehu, shprehur në shënimin bri shkrimit tuaj në Dita, kur thotë se: “Përderisa ata (anglo-amerikanët) që organizuan atë mësymje paraushtarake (banda diversioniste-shenimi im) kanë kërkuar ndjesë, besoj se nuk ka nevojë për sqarime dhe arsyetime të mëtejshme, aq më tepër për të justifikuar dekoratat e ish-presidentit Bujar Nishani në fundin e mandatit të tij”.
Dhe për ta mbyllur po me frazën e goditur të Zotit Shehu: “Turpi mbetet turp, dhe antishqiptarizmi mbetet antishqiptarizëm”.