☁️
Tiranë 19°C · Vranët 10 May 2026
S&P 500 7,399 ▲0.84%
DOW 49,609 ▲0.02%
NASDAQ 26,247 ▲1.71%
NAFTA 95.42 ▲0.64%
ARI 4,731 ▲0.42%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096
₿ CRYPTO
BTC $80,765 ▲ +0.71% ETH $2,329 ▲ +0.59% XRP $1.4203 ▼ -0.26% SOL $93.5200 ▼ -0.18%
S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0.64 % ARI 4,731 ▲0.42 % S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0.64 % ARI 4,731 ▲0.42 %
EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096
10 May 2026
Breaking
Ekonomia

Përfitueshmëria e sektorit bankar pësoi rënie në vitin 2025 – Tv Klan

Marrë nga Revista Monitor

Viti 2025 shënoi përsëri një performancë financiare pozitive për sektorin bankar. 10 nga 11 banka e mbyllën vitin financiar me fitim, por fitimi i sistemit në vlerë absolute pësoi rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi neto i sektorit arriti vlerën e 34.74 miliardë lekëve, në rënie me 2.8% krahasuar me vitin 2024.

Tendenca e përgjithshme në ulje e normave të interesit, si për Lekun, ashtu edhe për Euron, ndikoi negativisht të ardhurat neto nga interesat, paralelisht edhe me rritjen e shpenzimeve për interesa, të ndikuar në një masë të madhe nga konkurrenca në rritje për tërheqjen e depozitave të publikut.

Përfitueshmëria e sektorit, e shprehur si kthim nga kapitali aksionar, pësoi rënie për të dytin vit radhazi. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave (me standardet IFRS), kthimi nga kapitali aksionar ra në 16.47%, nga 19.1% që kishte qenë një vit më parë.

Pavarësisht fitimeve të kënaqshme në nivel sistemi, zmadhimi i kapitalit të sektorit, i lidhur kryesisht me kërkesat gjithnjë e më të shtrënguara rregullatore të Bankës së Shqipërisë, ka bërë që norma e kthimit nga kapitali në nivel mesatar të bjerë më tej.

Edhe treguesi i kthimit nga aktivet pësoi rënie në 1.59%, nga 1.76% që kishte qenë një vit më parë.

Frenohet rritja e të ardhurave nga interesat

Të dhënat sipas IFRS nuk janë të detajuara në nivel të zërave të veçantë të të ardhurave dhe shpenzimeve, por disa konkluzione mund të nxirren duke analizuar të dhënat që mbështeten në standardet paralele të raportimit të Bankës së Shqipërisë.

Sipas standardeve lokale, për vitin 2025, sektori bankar arriti një fitim neto në vlerën e 35.6 miliardë lekëve, 4.7% më pak krahasuar me vitin 2024.

Të ardhurat neto nga interesat ishin 75.8 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.3% krahasuar me një vit më parë. Stanjacioni i të ardhurave neto nga interesat, së bashku me rritjen me ritme të larta të shpenzimeve, ishte faktori kryesor që fitimi i sektorit bankar në 2025 të pësonte rënie, pas pesë vitesh radhazi në rritje.

Ndërkohë që të ardhurat bruto nga interesat u rritën me 3%, shpenzimet për interesa u rritën me ritme disa herë më të larta, prej 13.5%.

Një ecuri e tillë përputhet me atë që është zakonisht koha e ndryshme e efekteve të ndryshimit të normave të interesit në bilancet e bankave. Në përgjithësi, rritja (ose ulja) e normave të interesit përcillet më shpejt në krahun e aktiveve, ndërsa është më e vonuar në kohë në krahun e detyrimeve.

Rritja e shpenzimeve për interesa është e lidhur edhe me shtimin e depozitave bankare vitin e kaluar. Statistikat treguan se vlera totale e depozitave të sektorit bankar u rrit me 9% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, normat mesatare të interesit të depozitave pësuan rënie të lehtë në monedhën vendase, ndërsa shënuan rritje të vogël në Euro.

Megjithatë, duhet thënë se banka të veçanta, sidomos gjatë sezonit veror, kanë ofruar norma interesi ndjeshëm më të larta se ato mesatare. Veçanërisht, një grup bankash të përmasave të mesme, që po shfaqin ambicie për t’u rritur, po tregohen agresive në çmimin që ofrojnë për depozita dhe duket se kanë pasur sukses në zgjerimin e tyre në treg.

Bankat kanë vazhduar të rrisin të ardhurat jo nga interesat, të lidhura kryesisht me komisionet bankare. Këto të ardhura u rritën me 17% krahasuar me një vit më parë.

Kjo mund të shpjegohet me rritjen e përdorimit të shërbimeve dhe produkteve bankare, por pjesërisht edhe me një tendencë disavjeçare të rritjes së komisioneve të aplikuara nga bankat.

Paralelisht, kostot e sektorit vazhdojnë të rriten me ritme të larta. Sektori bankar, ashtu si edhe sektorët e tjerë të ekonomisë, në vitet e fundit është përballur me rritje të shpenzimeve të personelit dhe të shpenzimeve operative të aktivitetit.

Për vitin 2025, shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në afërsisht 20.2 miliardë lekë, në rritje me 13.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa shpenzimet e tjera të veprimtarisë së sektorit bankar arritën në 38.2 miliardë lekë, në rritje me 14.7% krahasuar me një vit më parë.

Shpenzimet për provigjione (sipas standardeve lokale) pësuan rënie 28.5% krahasuar me një vit më parë, duke dëshmuar për efekte në rënie të kostos së riskut mbi performancën financiare të sektorit.

Normat e interesit pësuan rënie

Viti 2025 u karakterizua nga një ulje e mëtejshme e normave bazë të interesit nga Bankat Qendrore, çka në përgjithësi u reflektua edhe në norma më të ulëta interesi në tregjet financiare.

Banka e Shqipërisë aplikoi vitin e kaluar një ulje të vetme të normës bazë, nga niveli 2.75% në 2.5%, ulje e vendosur në muajin korrik.

Yield-et e titujve qeveritarë, që janë edhe instrumenti kryesor benchmark (referues) në tregun e brendshëm financiar pësuan madje një ulje edhe më të madhe krahasuar me normën bazë të interesit.

Në fund të vitit të kaluar, yield-i i bonove 12-mujore, instrumenti kryesor benchmark, ishte më i ulët se norma bazë, në nivelin 2.44%, 0.32 pikë përqindje më pak se një vit më parë.

Yield-et e titujve qeveritarë shënuan tendencë në rënie gjatë vitit 2025, të nxitur edhe nga gjendja e mirë e likuiditetit në treg, kërkesa e lartë e investitorëve, oferta më e pakët e titujve të rinj të emetuar (ulja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm), si dhe nga rreziqet në rënie të lidhura me borxhin publik.

Banka Qendrore Europiane vitin e kaluar aplikoi një linjë edhe më aktive të uljes së normave të interesit. Normat bazë për Euron u ulën katër herë gjatë vitit. Norma bazë e rifinancimit u ul nga 3.15% që ishte në fund të 2024, në 2.15% në muajin qershor 2025. Norma e interesit të depozitave ditore zbriti nga 3% në 2% për të njëjtin horizont kohor.

Forcimi i sinjaleve inflacioniste bëri që BQE-ja ta ndërpriste uljen e interesave në gjysmën e dytë të vitit. Kjo bëri që rënia e treguesit kryesor benchmark për Euron, Euribori, të ishte më e kufizuar gjatë vitit 2025. Në fund të vitit të kaluar, Euribori 12-mujor ishte pranë nivelit 2.2%, nga 2.5% që kishte qenë një vit më parë.

Tendenca në rënie e normave referuese të interesit, por edhe konkurrenca e lartë mes bankave, bëri që normat e interesit të kredisë për shtëpi të pësojnë përsëri rënie vitin e kaluar.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.19%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë. Norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi zbriti në nivelet më të ulëta që prej mesit të vitit 2022.

Edhe norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash në Euro për vitin e kaluar pësoi rënie të lehtë në 5.18%, nga 5.26% që kishte qenë në dhjetor 2024.

Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.

Një tendencë në rënie shënuan edhe interesat e kredive për bizneset. Norma mesatare e interesit të portofolit në Lek në fund të 2025 ishte 6.17%, nga 6.38% që kishte qenë në fillim të vitit.

Ndërsa norma mesatare e interesit për portofolin e kredisë në Euro zbriti në 5.56%, nga 6.1% që kishte qenë në fund të vitit 2024.

Edhe normat e interesit të depozitave pësuan rënie të lehtë, në terma mesatarë. Norma mesatare e interesit e depozitave me afat në Lek për individët zbriti në 2.4%, nga 2.45% në fund të vitit 2024. Por, në Euro, norma mesatare e interesit të depozitave të individëve u rrit në 1.57%, nga 1.47% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë, për bizneset, norma mesatare e interesit të depozitave me afat në Lek pësoi rënie më të ndjeshme në 2.56%, nga 2.94% që kishte qenë një vit më parë. Edhe në Euro, norma mesatare e interesit të depozitave të biznesit pësoi rënie në 1.97%, nga 2.13% që kishte qenë në fund të vitit 2024.

Mjaftueshmëria e kapitalit arrin nivelin më të lartë historik

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit përsëri gjatë vitit 2025 dhe arriti nivelin më të lartë historik.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të dhjetorit, ky tregues u rrit në 20.36%, nga 19.82% që kishte qenë një vit më parë.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Gjatë tremujorit të tretë, rritja e këtij treguesi ka ardhur njëkohësisht nga shtimi i kapitalit rregullator të sektorit dhe nga ulja e vlerës së aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku.

Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të dhjetorit 2025 arriti në 232.2 miliardë lekë, në rritje me 12.1% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksionar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Kontributin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator në vitet e fundit e ka dhënë performanca e mirë financiare dhe zgjerimi i fitimit të sektorit.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2025 arriti në 1140 miliardë lekë, në rritje me 9.1% me bazë vjetore.

Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat. Rritja e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik në thelb është e lidhur me vazhdimin e rritjes me ritme të larta të kredisë për ekonominë.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si dhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025, raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat arriti në 15.5%.

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

/tvklan.al

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.