Përfundon ndërtimi i rrjetit të ujërave të zeza në përroin e Agait-impianti ne Shënavlash
Në drejtorinë e Ujësjellës- Kanalizime Durrës është zhvilluar takimi përmbyllës për ndërtimin e sistemit të rrjetit të ujërave të zeza nga përroi i Agait – Ura e Dajlanit dhe shkarkimin e tyre tek impianti i përpunimit të ujërave të ndotura në Shënavlash.
Në këtë takim morën pjesë një delegacion i BE-së i kryesuar nga Am Conibear, si dhe nga drejtues të projektit që është zbatuar gjatë vitit 2013.
Drejtori i Ujësjellës- Kanalizimeve Durrës, Spartak Kovaçi, theksoi se pas marrjes në dorëzim të këtij investimi, gjatë periudhës së garancisë prej një viti, nuk ka pasur asnjë problem në lidhje me tubacionin e shtruar, ndërtimin e pusetave dhe stacionet e pompimit.
Përfaqësuesit e delegacionit të BE-së theksuan se investimi që i përket lotit të dytë për investimin në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza në vendin tonë, qe është i vetmi që është mbyllur deri tani sipas parashikimeve dhe që nuk ka pasur asnjë problem gjatë zbatimit të tij.
Projekti
Investimi në fjalë është një grant i KE me vlerë 10 milion euro dhe parashikonte ndërtimin e rreth 12.8 km tubacion të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza nga përroi i Agait në Shkëmbin e Kavajës deri tek impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Për ndërtimin e këtij rrjeti janë përdorur tubacione të diametrit nga 280 mm deri në 1000 mm dhe 2.8 km linjë kryesore është ndërtuar në zonën e Plazhit. Investimi është marrë në dorëzim një vit më parë nga Ujësjellës- Kanalizime Durrës dhe gjatë periudhës së garancisë prej një viti ky rrjet së bashku me stacionet e pompimit ka funksionuar normalisht duke mos pasur asnjë problem serioz. Investimi në fjalë është realizuar nga kontraktori italian Giovanni Putignano & S.r.l dhe firma shqiptare Adriatik sh.p.k.
Përgjatë gjithë rrjetit në fjalë janë 10 stacione pompimi, 5 nga të cilat janë ndërtuar tërësisht të reja. 5 stacionet ekzistuese janë rehabilituar duke u përshtatur me investimin në fjalë. Ndërtimi i linjës së re të ujërave të zeza është i rëndësishëm pasi përgjatë zonës turistike të shkëmbit të Kavajës deri në impiantin e trajtimit të ujërave të zeza nuk ka më derdhje të ujërave të zeza në rrugë apo det. Tashmë këtij investimi pritet ti bashkëngjitet edhe investimi i pritshëm për ndërtimin e rrjetit sekondar dhe tercial për zonën e plazhit të Durrësit, nga zona e Agipit deri tek përroi i Agait, investim i cili është pjesë e komponentit të kredisë së Bankës Botërore me vlerë 65.2 milion euro.
Ujërat e zeza, çfarë pritet të ndodhë në plazh dhe qytet?
Ujësjellës- Kanalizime Durrës ka përfunduar projektin për rrjetin sekondar dhe tercial të zonës së banuar nga Agipi deri tek përroi i Agait, në kufi më komunën e Golemit. Ndërtimi i linjave dytësore dhe tretësore zgjidh një herë e mirë problemin e ujërave të zeza që derdhen në mës të lagjeve apo në rrugë, duke displinuar përfundimisht problemin në fjalë. Ky investim pritet të nisë sapo të përfundojnë procedurat e tenderimit për ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe komponentët e tjerë të investimit me fonde të Bankës Botërore. Në lidhje me qytetin e Durrësit, situata e ujërave të zeza është pak më problematike.
Dega teknike e UKD –së ka nisur projektimin në lidhje me ndërhyrjet që do të bëhen për rehabilitimin e rrjetit dhe stacioneve të pompimit. Aktualisht në stacionin nr 8, që gjendet tek pas murit rrethues të portit, ky stacion i derdh tepricat në det dhe kërkesa drejtuar BB-së ka qenë që të mundësohet ndërtimi i linjës së re nga stacioni nr 8 deri tek stacioni nr 7 që gjendet tek rrethrrotullimi i Kënetës në afërsi të stadiumit. Në këtë aks parashikohet të bëhet ndërtimi i linjës me gravitet si dhe rehablitimi i stacionit pompues nr 7. Një linjë e re pritet të ndërtohet edhe për zonën e Currilave, duke mbledhur ujërat e zeza nga stacioni fundor në Currila në drejtim të Brrylit, shëtitores Taulantia me destinacion stacionin nr 8 në hyrje të kësaj shëtitoreje. Gjithashtu, në këtë aspekt pritet të ndërtohet i njëjti modul linje nga stacioni 7 deri tek ai nr 9, i cili është stacioni i fundit para mbërritjes së ujërave të ndotura tek impianti. Ndërtimi dhe rehabiltimi i këtyre linjave mundëson që ujërat e zeza të mos bashkohen më me ujërat e bardha dhe në impiant të shkojnë vetëm ujërat e ndotura.