Përkeqësohen pagat në sektorin privat
Ulet indeksi i pagës mesatare me 3% dhe rritja reale bie me 4.8% krahasuar me 2013-n
Nga Zamir Alushi
Biznesi ul pagat, ndërsa rrogat e buxhetorëve mbeten në vend. Analiza e Bankës së Shqipërisë, e mbështetur në të dhënat e INSTAT-it dhe në raportin “Vrojtimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit”, flet për një tendencë në rënie të pagës mesatare. Ky tregues në ekonomi ra me 3% në tremujorin e parë të vitit 2014, pas rritjes mesatare me rreth 2.3% të shënuar gjatë vitit 2013. Në ndryshim nga sjellja historike e këtij treguesi, paga reale ra në sektorin e industrisë me 6.1%, e kushtëzuar kryesisht nga rënia e tij në nëndegën e industrisë nxjerrëse (17.86%). Në sektorin shtetëror, paga reale qëndroi thuajse e pandryshuar në krahasim me një vit më parë. Zhvillimet e mësipërme janë në linjë me vlerësimet e bizneseve për këtë periudhë. Të dhënat më të fundit nga vrojtimet e besimit, sinjalizojnë për ngadalësim të mëtejshëm të pagave në tremujorin e dytë të vitit, në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Papunësia
Rritja e papunësisë është faktori që ushtron presionin më të madh në pagat mesatare. Megjithatë, pritshmëria duket disi më optimiste te konsumatorët. “Pritjet e konsumatorëve për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm janë pak më optimiste se në tremujorin e kaluar, pasi balanca aktuale ra me 5.4 pikë (ulja e balancës tregon për papunësi të pritur në rënie)”, theksohet në raportin e BSH-së “Vrojtimi i besimit të biznesit dhe të konsumatorit”.
Kostoja e punës
Prej një kohe të gjatë, hendeku i prodhimit në ekonomi është negativ, çka nënkupton që bizneset kanë mundësi për të prodhuar më shumë nga sa kërkohet aktualisht. Kjo reflektohet si në tregun e punës, ashtu edhe në normën e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese. Norma e papunësisë vijoi prirjen rritëse, duke shënuar vlerën 18.3% nga 17% në fund të vitit 2013. Nga ana tjetër, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, megjithëse shënoi rritje në tremujorin e parë, mbetet rreth 3.7 pikë përqindje poshtë mesatares afatgjatë. Treguesi i produktivitetit të punës për sektorët jobujqësorë të ekonomisë vijoi prirjen rënëse të ritmeve vjetore edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2014
(-6.8%). Ky zhvillim u përcaktua nga rritja modeste e vlerës së shtuar, kundrejt rritjes së punësimit në aktivitetin ekonomik jobujqësor. Rënia vjetore e produktivitetit të punës dhe e pagës mesatare reale në një masë më të madhe se më parë (-4.8%), ndikuan në ngadalësimin në 2% të ritmit të rritjes së kostove të punës për njësi të prodhuar. Ndërsa ngadalësimi i kostove të punës, u shoqërua nga rënia e kostove prodhuese në aktivitetin industrial në vend. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit ishte -0.5% në tremujorin e parë të vitit 2014. Zhvillimet e mësipërme dëshmojnë se presionet inflacioniste nga kostot e punës dhe ato prodhuese në tremujorin e parë të vitit 2014, kanë qenë në rënie.
Rritja reale e pagës
Paga nominale dhe reale shënoi norma rritjeje negative në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë.I deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, ky tregues ra me rreth 4.8%, krahasuar me vitin e kaluar. Në sektorin publik, në vitin 2013, krahasuar me vitin 2012, sipas INSTAT-it, rritja reale e pagave ishte 4,1%, ndërsa në sektorin privat 2%.
Papunësia
Norma e papunësisë vijoi prirjen rritëse, duke shënuar vlerën 18.3% nga 17% në fund të vitit 2013
Rënia
Paga reale ra në sektorin e industrisë me 6.1%, e kushtëzuar kryesisht nga rënia e tij në nëndegën e industrisë nxjerrëse (17.86%). Në sektorin shtetëror, paga reale qëndroi thuajse e pandryshuar në krahasim me një vit më parë