Ekonomia

‘Përmbytjet’ – BE akordon 118.000 € për furnizimin e rreth 8.000 banorëve

Komisioni Evropian njoftoi sot mbështetje shtesë për mbulimin e nevojave të njerëzve të prekur nga përmbytjet në Shqipëri.

be14Në njoftimin për mediat bëhet e ditur se për të ndihmuar popullsinë e prekur nga përmbytjet në Shqipëri, Komisioni Evropian do të japë mbi 118.000 € për furnizimin e rreth 8.000 banorëve të zonave më të goditura me paketa ushqimore, pajisje higjiene, batanije, si dhe material informues mbi shëndetin dhe higjienën gjatë përmbytjeve.

Këto fonde do të sigurohen përmes Fondit të Emergjencës për Lehtësimin e Katastrofave (DREF) i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) dhe do të shpërndahen përmes Kryqit të Kuq Shqiptar.

Kjo ndihmë financiare i shtohet ndihmës së siguruar nga disa Shtete Anëtare të BE-së përmes Mekanizmit për Mbrojtjen Civile të BE-së  (EUCPM). Si pjesë e një reagimi të shpejtë dhe të koordinuar, të ndihmuar nga  Qendra Koordinuese për Reagimin ndaj Emergjencave (ERCC) e Komisionit Evropian, Austria, Kroacia, Sllovakia Belgjika dhe shteti pjesëmarrës, Mali i Zi, kanë dërguar në Shqipëri shtretër, batanije, thasë gjumi, tenda, pajisje kuzhine, gjeneratorë, çizme shiu dhe xhupa. Një Ekip i Mbrojtjes Civile i BE-së ndodhet gjithashtu në Shqipëri për të punuar me autoritetet kombëtare dhe për të lehtësuar koordinimin e ndihmës së ardhur.

“Financimi shtesë dhe ndihma bujare e siguruar nga Austria, Kroacia, Sllovakia Belgjika, Hungaria dhe Mali i Zi do t’i ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe do të parandalojë vuajtjet e mëtejshme”, u shpreh Christos Stylianides, Komisioneri evropian për Ndihmën Humanitare dhe Reagimin ndaj Krizave, për të vijuar: “Kur katastrofa godet, thelbësor është reagimi i menjëhershëm, i koordinuar dhe i planifikuar paraprakisht. Ky është një shembull i solidaritetit evropian i vënë në praktikë.”

Gjatë javëve të kaluara, reshjet e dendura dhe të vazhdueshme, si dhe përmbytjet e mëdha kanë dëmtuar mijëra shtëpi në Shqipëri dhe kanë detyruar shumë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Më shumë se 600 familje janë evakuuar nga zonat më të goditura. Përmbytjet kanë dëmtuar gjithashtu rëndë infrastrukturën dhe bujqësinë.

Komisioni Evropian kontribuon çdo vit në Fondin e Emergjencës për Lehtësimin e Katastrofave (DREF) të IFRC. Kjo garanton ndihmë të shpejtë dhe efektive për viktimat e katastrofave dhe forcon ripërtëritjen e popullsive të cënueshme. Sipas marrëveshjes së vitit 2014, Komisioni ka kontribuar me 3 milionë € në DREF për të mbështetur Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në reagimin e tyre ndaj katastrofave në shkallë të vogël për të cilat nuk ka gjasë të bëhet apel ndërkombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button