Kronika

Përmbytjet e Vjosës, nga dhjetori 2005 në 2015-ën

Prurjet e lumit Vjosë, prej dy ditësh kanë shënuar një rekord parametrash për një periudhë të paktën 60 vjeçare.

faaaAktualisht, në zonën e komunës Novoselë, ku shfaqen pasojat, niveli i ujrave është në treguesin më të madh për periudhën në fjalë, i krahasueshëm vetëm me atë që u shënua në muajin dhjetor të vitit 2005, kur Vjosa u shfaq në dimensionin e vet më të frikshëm në të paktën 50 vite.

Në dy ditët e fundit, ujrat e lumit Vjosë mbushën shtratin me një ritëm e intensitet të pashfaqur më parë prej kushedi sa dekadash dhe deri tani kanë përmbytur të paktën 1000 hektarë tokë bujqësore, 14 banesa, dhjetra të tjera janë të ekspozuara përballë një rreziku të prekshëm. Ndërkaq, ditët e pritshme me reshje shiu të kësaj jave, nuk ngjallin aspak optimizëm për situatën në vazhdim.

Një argjinaturë e dëmtuar rëndë në afërsi të fshatit Bishan, një tjetër në afërsi të fshatit Novoselë, qendër e komunës, si dhe një kompleks fenomenesh natyrorë, nga ato që shfaqen rrallë në ato dimensione sa këtë herë, minimizojnë çdo përpjekje dhe angazhim të strukturave zyrtare, që ndodhen prej më shumë se tre ditësh në terren. Dhjetra efektivë dhe mjete të ushtrisë, të policisë e shërbimit zjarrfikës, janë përfshirë në një operacion të gjerë për të shpëtuar jetë njerëzish. “Po bëhet gjithçka për të minimizuar pasojat, për të larguar banorët nga rreziku, për të parandaluar çdo katastrofë njerëzore”, thotë për ATSH-në prefektja Etjona Hoxha, që nuk largohet për asnjë çast nga terreni.

Në fakt, problematika e krijuar në zonën e Novoselës, është e akumuluar në vite. Ajo, sipas specialistëve, nuk mund të zgjidhet as brenda një dite, apo një jave dhe as brenda një muaji. Gjërat mund dhe duhet të ishin bërë vite më parë. Prandaj dhe për momentin po punohet për të shmangur maksimalisht pasojat, ndërkohë që më pas do të punohet për perspektivën, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

-Situata e krahasueshme me atë të vitit 2005-

Përmbytjet e shkaktuara nga dalja nga shtrati e ujrave të lumit Vjosë, në fillim të dhjetorit të vitit 2005, janë më të mëdhatë që janë rregjisruar në të paktën 60 vitet e fundit në zonën e komunës Novoselë, 20 km në veri të Vlorës dhe në zona të tjera pranë këtij lumi. Rreshjet e dendura të shiut përgjatë gjithë basenit ujëmbledhës të këtij lumi, u shoqëruan me prurje të jashtëzakonshme. Të moshuar, banorë të fshatrave të kësaj komune shpreheshin atëherë se, pasoja të tilla, fryrje të lumit Vjosë, nuk kishin parë prej të paktën 5 dekadash.

-Problemet nisën mëngjesin e 2 dhjetorit 2005-

Rreshjet intensive të shiut, që vazhdonin prej më shumë se dy ditësh, nisën t’i shfaqnin pasojat mëngjesin e datës 2 dhjetor të vitit 2005. Niveli i lumit Vjosë, ishte ngritur së tepërmi dhe ujrat nisën të vërshonin jashtë shtratit. Ato prekën fillimisht tokat bujqësore në fshatin Mifol, rreth 4 km në lindje të urës që mban të njëjtin emër, në aksin rrugor Vlorë-Fier. Më pas, situata u përkeqësua pothuajse në të gjitha fshatrat përgjatë këtij lumi.

Mifoli, Novosela, Fitore, Dëllënjë, Bishan, u përfshinë nga përmbytjet. Të paktën 400-500 hektarë me tokë bujqësore u mbuluan nga ujrat, ndërkohë që qindra banesa u vunë përballë një situate të rëndë. Në zonën nga fshati Mifol deri në afërsi të urës, ujrat kapërcyen trasenë e hekurudhës dhe rrugën kombëtare Vlorë-Fier, duke përmbytur edhe tokat bujqësore në thellësi të territorit, me drejtim fshatin Akërni. Kjo, nuk kishte ndodhur asnjëherë. Asnjë prej banorëve sado të moshuar, nuk kishte rregjistruar në memorjen e vet dimensione të tilla të daljes së Vjosës. “Jam 65 vjeç, por nuk mbaj mend që Vjosa të ketë dalë deri këtu”, më thoshte Miçoja, banor i fshatit Mifol, duketreguar me dorë në drejtim të fushës në pjesën jugperëndimore të trasesë së hekurudhës.

Ndërkohë, uji kishte mbuluar tërësisht rrugën dhe qarkullimi i automjeteve nga Vlora në drejtim të Fierit dhe anasjelltas, ishte bllokuar pothuajse plotësisht. E njëjta situatë e rënduar shfaqej edhe në veri të Urës së Mifolit, nga fshati Ferras deri në afërsi të Levanit. Më shumë se 2000 hektarë tokë janë përmbytur nga uji në të dy anët e lumit Vjosë.

-“Garbi” fenomeni natyror që pengon derdhjen normale të lumit në det-

vlore1 Ndërkohë, Jorgji, një 72 vjeçar nga Novosela, shprehej në atë dhjetor të 9 viteve më parë se, dalja e Vjosës nga shtrati, lidhet me një fenomen të çuditshëm. “Kur fryn era nga perëndimi, që ne në Myzeqe e quajmë “garbi” dhe në veri “shirokë”, valët e detit me drejtim nga bregu, nuk lejojnë derdhjen normale të Vjosës. Ajo fryhet dhe gjen rrugën më të shkurtër për të shkarkuar ujrat, duke u përhapur në tokat përreth”, më thoshte 72 vjeçari.

Dhe në fakt, “garbi”, sipas terminologjisë së zonës, era e fortë që fryn nga perëndimi, shfaqet si subjekt i mitologjisë, që u bashkohet fenomeneve të tjera të shumta që po ndodhin edhe këto ditë fundjanari e fillim shkurti në Novoselë, duke e shtuar dukshëm dimensionin e rrezikut.

-Selenicë, uji përmbyt më shumë se 200 hektarë tokë-

Ndërkohë, në atë dhjetor të 2005-ës, gjendja paraqitej mjaft e rënduar në zonën që administrohet nga bashkia e Selenicës, 30 km në lindje të Vlorës. Më shumë se 200 hektarë tokë bujqësore u përmbytën nga ujrat e Vjosës, që kishin mbuluar edhe rrugën që lidh këtë qytet me Vlorën, duke bllokuar plotësisht qarkullimin e automjeteve të të gjitha përmasave. Uji nxorri jashtë funksionit edhe stacionin e pompave, duke ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit. Selenica izolohet nga Vlora, ndërkohë që mungesa e ujit, rrezikon të shfaqë pasoja të rënda.

-2005, Infrastruktura mbrojtëse e Vjosës, jashtë funksionit-

Mungesa e investimeve prej të paktën 15 vjetësh, e kishte nxjerrë jashtë funksionit infrastrukturën mbrojtëse të lumit Vjosë. Argjinaturët e ndërtuara në periudhën e para viteve ’90-të, ishin të amortizuara dhe joefektive. Në gjendje të bllokuar ishin edhe kanalizimet, kolektorët, sistemet e kullimit etj. Ndryshimi i parametrave, kërkonte ridimensionimin e gjithë sistemit mbrojtës, gjë që nuk ishte bërë prej vitesh. Për rrjedhojë, Vjosa shfaqej kërcënueshëm si asnjëherë tjetër më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button