Përplasi qëllimisht me makinë 28-vjeçarin, në pranga agresori
Policia e Durrësit ka vënë në pranga këtë të shtunë një 56-vjeçar, nën akuzën e tentativës së vrasjes.
Burime policore lokale bëjnë me dije se shtetasi Pëllumb Dervishi, banues në fshatin Kuraten, është arrestuar pasi ka tentuar të vrasë duke shtypur me makinën e tij një 28-vjeçar.
Shkak për këtë veprim është bërë sipas burimeve një konflikt i momentit mes Dervishit dhe të riut, i identifikuar me inicialet E.Y, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip “Benz” të të dyshuarit, hetuesit e policisë ia kanë përcjellë çështjen prokurorisë së rrethit për procedimin e mëtejshëm të tij, nën akuzën e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.