Politika

Përplasja për KLD-në, rihapet dosja e pronave në plazhin e Spillesë

Çefa u denoncua nga policia për kthimin e 14 mijë m² rërë dhe ujë në truall. Akuza i pushoi hetimet. Braho: Vjedhës ordiner

dosje-pronash

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, e ka quajtur nënkryetarin e KLD-së, një vjedhës ordiner, ndërsa thotë se veprimet e Këshillit janë një kërcënim i hapur ndaj sigurisë së vendit. “Mbledhja e fundit e KLD-së dëshmoi edhe një herë se ky institucion është kthyer në një sekt pa identitet. Është kthyer në një sekt puçistësh të rrezikshëm për drejtësinë, të cilët komplotojnë orë e çast kundër Kushtetutës dhe kundër reformave që kërkon sistemi i drejtësisë. Ata përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit”, u shpreh Braho. Deputeti akuzoi gjyqtarin Gjin Gjoni dhe Këshillin Kombëtar të Konferencës Gjyqësore. “Në krye të kësaj rezolute, si nënkryetar i këtij Këshilli ishte Gjin Gjoni, një njeri i penalizuar. Ai merr pjesë në këtë Këshill dhe jep leksione moralizuese. Shikoni kush e drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë: Elvis Çefa. Një vjedhës ordiner. Vetëm me një firmë ka grabitur 10 milionë metra katrorë tokë në Durrës”. Si deputet i mazhorancës, Braho, i bëri thirrje anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga Parlamenti të japin dorëheqje, në të kundërt tha ai, ka instrumente kushtetues për t’i shkarkuar. “Duhet të largohen sa më parë, është në nderin e tyre të japin dorëheqjen. Në të kundërt, Kuvendi i Shqipërisë do të veprojë. Ata nuk i ka zgjedhur kjo mazhorancë, nuk mund të jenë përfaqësues të kësaj mazhorance”, tha Braho.

Sipas kësaj logjike, pritet që Kuvendi të kopjojë skemat e përdorura nga mazhoranca paraardhëse për të zgjidhur probleme të ngjashme. Gjetja e justifikimeve ligjore me anë të një hetimi parlamentar i mundësoi PD-së të shkarkonte paraardhësin e Elvis Çefës në KLD, Kreshnik Spahiun. Ndërsa më vonë, një taktikë e përafërt u përdor për të larguar nga KQZ përfaqësuesin e LSI-së, Ilirian Muhon.

Duke nisur nga akuzat e rënda të Brahos, gazeta ka mësuar se zoti Çefa, gjatë kohës që ka drejtuar AKKP-në është kallëzuar dhe hetuar penalisht nga prokuroria, por që në fund, nuk është marrë i pandehur apo dënuar. Madje, akuzat ndaj tij kanë qenë të rënda, si shpërdorim të detyrës dhe korrupsionit pasiv. Një ndër dosjet më të bujshme të akuzës, që ka dalë edhe emri i Çefës, ka qenë kallëzimi i Policisë së Shtetit më datë 9 shtator 2001. Kërkohej që të fillonin hetimet për disa zyrtarë të AKKP-së, Hipotekës së Kavajës, Avokaturës së Shtetit, Komunës Gosë dhe disa inxhinierëve gjeodet me profesion të lirë. Kishte dyshime se, duke nisur nga një vendim i Çefës, iu hap rruga kompensimit me pronë të një familjeje. Institucionet kryen të gjitha procedurat dhe e kompensuan familjen në fjalë me tokë shtetërore, por që ishte zonë ranore që shkonte deri në kufijtë ujorë.

Sipas kallëzimit të atëhershëm të policisë, zyrtarët e kallëzuar kishin realizuar nëpërmjet veprimeve të parregullta, njohjen, kthimin dhe regjistrimin e një prone shtetërore në favor të shtetaseve F.S. dhe M.J., pronë e ndodhur në Komunën Gosë dhe Kryevidh të Rrethit të Kavajës. Bëhej fjalë për rreth 14 mijë metra katrorë. Policia pretendonte se vendimmarrja e organit të ZRKKP Qarku i Tiranës dhe veprimtaria administrative e AKKP Tiranë, Avokaturës së Shtetit, Hipotekës së Kavajës, ishte e gabuar, pasi prona e trajtuar me aktet e këtyre institucioneve dhe e regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme, nuk është e pozicionuar në mënyrë të rregullt, i është ndryshuar zëri kadastral, si dhe është kthyer fizikisht pasuri e llojit ranishte e ujë.

Hetimet për këtë procedim penal në Prokurorinë e Tiranës kanë zgjatur dy vjet, ku vetëm më datë 13 shtator 2013 njësia Task-Forcë ka vendosur të regjistrojë procedimin penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Mësohet se për këtë procedim penal janë kryer veprime si vënie në përgjim të komunikimeve telefonike për shumë shtetas, të cilësuar në informacionin referues të DPPSH, apo miratimi i vëzhgimeve dhe përgjimeve ambientale të veprimtarisë të disa shtetasve, të cilët dyshoheshin se ishin autorë të veprave penale apo të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Prokuroria ka pretenduar se “edhe pse sipërfaqja në pronësi të familjes J. nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar pozicionimi gjeografik i kësaj prone, duke i kaluar në pronësi kësaj familje një sipërfaqe e cila është ranishte që shkon deri në kufijtë ujorë të detit dhe që nuk ka përputhje me kufijtë para shpronësimit, veprime të cilat nuk justifikojnë dhe nuk mbështeten në asnjë akt ligjor ku kjo pronë është spostuar nga fshati Greth në fshatin Vilë Bashtovë”. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës tha se ka hetuar edhe nënkryetarin aktual të KLD-së, Elvis Çefa, por dosja shkoi në gjykatë për disa vartës të tij. Ende nuk dihet si u hoq emri i Çefës nga lista e të pandehurve, ndërsa kujtojmë se gjatë asaj kohe, kjo çështje është analizuar me dhjetëra herë nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, por edhe ata të Prokurorisë së Përgjithshme. Madje, edhe vendimmarrja e hetuesve të çështjes është shfuqizuar disa herë, deri sa çështja u “copëtua” dhe shkoi në gjykatë vetëm me “peshqit e vegjël”. Në gjykatë ka shkuar ish-kreu i AKKP-së së Tiranës, D.Dervishaj, A.Aliaj, ish-përgjegjës juridik i kësaj zyre, A.Ceni specialist i thjeshtë, Dh.Papa, specialit topograf, M.Gjinali specialiste topografe dhe disa persona të tjerë.

Gjatë kohës që çështja ishte nën hetim, prokuroria kërkoi arrestimin e personave të dyshuar. Ata u lanë në arrest në burg nga Gjykata e Tiranës, ndërsa masat e sigurimit janë ndryshuar, revokuar, zëvendësuar e më pas shuar nga Gjykata e Apelit e Tiranës, Gjykata e Lartë, apo Gjykata e Tiranës. “Në vijim të hetimeve të nisura, deri në muajin qershor 2012 Prokuroria e Tiranës, ka kryer veprime të tjera hetimore, duke siguruar dokumentacion nga institucione të tjera si Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit dhe institucione të tjera, si dhe duke marrë deklarata apo duke marrë në pyetje shtetas të ndryshëm që kishin dijeni mbi çështjen, kryesisht punonjës titullarë të AKKP-së, ZVRPP Kavajë, dhe Zyrës së Avokaturës së Shtetit, Komunës Gosë, trashëgimtarët e pronës, përfshi këtu dhe shtetasit e akuzuar në këtë gjykim, këta të fundit me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvilloheshin hetime”, – thuhet në një vendim gjykate për këtë çështje.

Por, kjo çështje vijoi të kishte lehtësira edhe gjatë gjykimit. Prokuroria, me një kërkesë surprizë, i kërkoi trupit gjykues të tërhiqte aktet për disa të pandehur, kryesisht ish-vartës të Elvis Çefës. Gjykata ka pranuar kërkesën dhe çështja vijoi të “shfryhej”, teksa në vendimin përfundimtar, për “grabitjen” e rreth 14 mijë metrave katrorë pronë shtetërore, u dënua vetëm një person, me një vit heqje lirie, por që iu konvertua në dënim me kusht. Dosja nisi me një bujë të madhe, por u “shfry” në prokurori dhe gjykatë, ku askush nga zyrtarët nuk u mor i pandehur, megjithëse ishin akuzuar për vepra të rënda, si shpërdorim detyre apo korrupsion, dënime të cilat shkojnë deri në 10 vite burg. Pavarësisht pafajësisë, gjatë hetimit dhe gjykimit doli e provuar se kjo pronë ishte blerë nga një person misterioz për një shumë rreth 100 milionë lekë të vjetra, kur në “treg” vlen dhjetëra miliona euro, pasi nga studimet urbanistike trualli është konsideruar si “zonë turistike”.

 

Prononcimi

Nënkryetari i KLD-së: Deklarata e Brahos? Trillim 

Elvis Çefa: I gatshëm të përgjigjem për çdo akuzë

Elvis Cefa

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, i ka cilësuar akuzat e deputetit Braho si trillime. Ai thotë se nuk i merr në konsideratë këto deklarata, të cilat, sipas tij, vërtetojnë sulmin dhe presionin ndaj KLD-së. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Çefa thotë se prej disa ditësh kanë filluar sulmet ndaj personit të tij dhe deklarata e zotit Braho ka qenë e radhës, por duket se do të pasohet edhe nga të tjera. Megjithatë, numri dy i KLD-së shton se është i hapur për “hetime” për të gjitha vendimmarrjet e karrierës së tij, ndërsa shton se këto nisma duan të kontrollojnë politikisht institucionin e KLD-së. “Deklaratat e deputetit Braho janë një trillim i pashoq dhe qesharak, që nuk meriton as të merret në konsideratë. Ajo vërteton shumë qartë sulmin dhe presionin ndaj KLD dhe ndaj zëvendëskryetarit të tij dhe qëllimin e vërtetë për të futur këtë institucion në kontroll politik. Jam i gatshëm të përgjigjem për çdo akuzë ndaj çdo veprimi timin gjatë karrierës 17-vjeçare në administratë përpara organeve kompetente kushtetuese”, – tha për gazetën Çefa.

Prej disa ditësh, kur KLD-ja rrëzoi me një votim 12-1 propozimin e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni, ka filluar një përplasje mes mazhorancës dhe Këshillit. Qeveria thotë se është gati të ndryshojë ligjin për KLD-në, ku më së shumti rrezikojnë shkarkimin të paktën tre anëtarë, të votuar nga Parlamenti, mes të cilëve edhe Elvis Çefa. Në draftin për këtë ligj, ministria ka parashikuar se këta anëtarë të zgjedhur nga Parlamenti shkarkohen kur shkelin ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa Naço, por edhe ministri Çuçi, apo edhe Manjani, kanë deklaruar se në këtë rast do t’i përdorin numrat në Parlament.

 

Vatnikaj: “Pasardhësi im, vendime për qindra hektarë në bregdet”

Ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, thotë se pasardhësi i tij në këtë detyrë, ka firmosur disa vendime për qindra hektarë në bregdet, në zonën më të mirë turistike. Vatnikaj ka akuzuar ashpër Berishën dhe KLD-në, ndërsa thotë se janë firmosur disa vendime që kanë kthyer këto troje. Ai thotë se e konsideron nismën e mazhorancës për sigurimin apo blerjen e një kopje të arkivave të Firences, për sa i përket dokumentacionit të pronave. “Do të kishim apo do të kemi mundësinë që shqiptarët të dinin faturën reale që do të paguhet ndër vite për kompensimin, përveç kësaj do të korrigjoheshin shumë padrejtësi, apo mali me falsifikime, siç shprehej Berisha. Shqiptarët do të kenë mundësi të shikojnë qoftë dhe testamente të lëshuara nga familje të mëdha të shquara ku qindra hektarë tokë u kalonin në pronësi komuniteteve të ndryshme fetare, duke vendosur si kusht të vetëm që me një pjesë të të ardhurave të paguheshin bursa e katër studentëve çdo vit nga Grac të Austrisë. Gjithashtu shqiptarëve nuk duhet t’i mohohet mundësia që të shohin nëpërmjet krahasimit të dokumenteve arkivore që ndodhen në Arkivën e Shtetit se si mund të bëhet një dokument nga 220 hektarë në 1220 hektarë, thjesht duke shtuar një 1 përpara dhe të afërm të këtyre të promovohen nga pushteti i Berishës që nga KLD-ja, Gjykatës së Apelit si dhe Shkallës së Parë, sepse vetëm kështu bëhet i mundur mbulimi i këtyre falsifikimeve me vendime gjyqësore”, thotë Vatnikaj. Ai shton se “opinioni publik do të shohë se si mund të marrësh 5 milionë euro me kontratë parablerje dhe më vonë të shkosh dhe të deklarosh në prokurori se nuk kam aplikuar për pronë dhe se ‘kërkesën e ka bërë vetë AKKP-ja’, vetëm për faktin se djali i kësaj zonje punonte në kryeministri dhe më vonë nipi bëhej kandidat për President Republike. Nëse do të hulumtoheshin arkiva, do të shihnim se si mund të bëhesh pronar vetëm me një vërtetim kryepleqësie të kohës së Zogut të dalë nga Arkiva e Shtetit, të cilët mbaheshin vetëm e vetëm që poseduesit t’i paguanin shtetit të asaj kohe vlerën e 1/10 të kullotës të dhënë nga shteti në përdorim. Në periudhën që kam qenë Drejtor i Përgjithshëm i AKKP-së, nxora një urdhër ku këto vërtetime kryepleqësie të bashkëshoqëroheshin me dokumente të tjerë arkivore apo kadastralë, ku të provohej pronësia, në të kundërt këto vërtetime nuk do të kishin vlerë të plotë ligjore. Menjëherë pas largimit tim, shfuqizohet ky urdhër dhe pasardhësi i hap rrugën vendimmarrjes me qindra hektarë në zonën e bregut (zona turistike më e mirë)”, – thotë Vatnikaj. Në fund, shton se, nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë do të shohim një reformë të vërtetë si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe të institucioneve që kanë koperuar me këtë sistem.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button