Përpunuesit e mëdhenj të qumështit kërkojnë eksportin
Prodhuesit e bulmetit “Mireli” e “Erzeni”, dy biznese në rritje të përvitshme, mbyllën vitin e kaluar me 7% rritje më shumë për qumështin dhe prodhimet e freskëta dhe gati 20% për djathërat. Ambicia për pronarët e tyre mbetet eksporti jo vetëm në rajon. Për ta, problemi kryesor janë fermat ende larg standardeve, që nga sipërfaqet e tokave në dispozicion, deri te ushqimet për blegtorinë. “Ne standardet i kemi të gjitha dhe kemi nisur kontaktet me të huaj, por pengohemi te lënda e parë, që mbetet jashtë kontrollit me fermat dhe lopët. Pa plotësuar kushtin që te toka ku ushqehet bagëtia dhe deri në prodhimin pas përpunimit të vendosen dhe kontrollohen standardet, ne do të jemi të penalizuar për eksport në tregjet europiane”, ngre shqetësimin Sajmir Begaj, bashkëpronar tek kompania “Erzeni”.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në vend numërohen rreth 360 biznese të përpunimit të qumështit dhe mbi 30 fabrika të mëdha, të cilat kanë 10 herë më shumë kapacitet përpunues nga sa prodhojnë sot, çka flet për diferencë të madhe mes prodhimit të qumështit dhe përpunimit, edhe pse niveli i lartë i prodhimit të qumështit në fermat e vogla tregon mundësi më të mëdha për lëndën e parë për përpunim. Në gjithë vendin, sipas statistikave, numërohen 500 mijë krerë gjedhe dhe të imta në tërësi 4 milionë kokë. Për sa kohë në tregun informal shitet qumësht me bidonë 1.5 litra i pasterilizuar, hapësirat për përpunim legal janë më të mëdha dhe ndonëse zhvillimi i ndërmarrjeve në vend duhet të frenonte importin e qumështit, të dhënat e tregtisë flasin për rritje të qumështit të papërpunuar. Për më tepër, përpunues të mëdhenj flasin edhe për përpunim jashtë vendit nga disa fabrika, që konkurrojnë në mënyrë të pandershme përpunesit brenda vendit. Dhe ndërsa fermat e vogla ku mbi 70% kanë 1-2 krerë lopë, fabrikat e mëdha kanë investime mbi 1 milion euro.
“Mireli”, problem grumbullimi, konkurrohemi nga tregu informal
Për bashkëpronaren e biznesit familjar të kompanisë “Mireli” në Synej, Mimoza Caca, ky është problemi kryeso. “Grumbullimi vazhdon të mbetet problem dhe jemi të detyruar të pranojmë furnizime në sasi të ndryshme, rrjedhimisht me çmime të ndryshme. Për furnizimet 50-200 litra qumësht, çmimi i shitjes nga fermerët luhatet në 42-50 lekë/litër”. Për sa kohë kur në treg ka lëndë të parë dhe shumë vështirësi në grumbullim, humbjet për prodhuesit e përpunimit të qumështit do të jenë të mëdha. Megjithatë, në përpjekje për të zgjeruar tregjet e shitjes, pronarët e fabrikave të mëdha vijojnë të rrisin investimet dhe Caca tregon se këtë vit ka rritur investimet me 26 milionë lekë, ndërsa prodhimi është rritur me 36 milionë lekë më shumë.
Problemi më i madh për të mbetet konkurrenca e pandershme me ndikim te shitjet, ndërsa ende mungojnë zgjidhjet ligjore. “Në këto kushte, edhe pse duam paketimin e linjës ‘Tetrapack’, prodhimet nuk ecin si duhet në treg, kartoni kushton dhe njerëzit vijojnë për zakon të blejnë qumështin me bidona. Që pas vitit 2005 jemi penalizuar duke paguar 20% TVSH për lëndën e parë, ndërsa tregu informal i shitjes të qumështit me bidonë kudo, na konkurron padrejtësisht. Si biznes, shteti duhet të na shikojë si partnere dhe të na ndihmojë me masa, që favorizojnë prodhimin vendas me çmime të referencës si në gjithë botën”, shpreh shqetësimet në biznes Mimoza.
Pronarët e fabrikës “Mireli” shpresojnë te paketa e re fiskale dhe strategjia e re për bujqësinë, sepse fabrika e tyre e certifikuar me standardet e BE-së është e gatshme të dalë në eksport, por që pengohet pasi fermat blegtorale sado të vogla, janë ende larg standardeve në rritjen dhe ushqimin e blegtorisë. “Ne e sigurojmë lëndën e parë këtu, por tregu shqiptar i qumështit ende nuk futet dot në tregjet e BE-së”, thotë Caca.
Fabrika “Mireli” nisi në vitin 1992 biznesin e përpunimit të qumështit me 50 kg qumësht, për të mbërritur tek një fabrikë moderne në 4000 metra katrorë në tokën e tyre në Synej të Kavajës. Në 23 vjet, familja Caca investoi në teknologji moderne dhe sot grumbullon qumështin nga Synej deri në kufi me Beratin, përfshirë fshatrat e mëdha si Cerma, Rrogozhina, Divjaka etj. Në fabrikën e madhe me dy kate, nis dhe përfundon cikli i përpunimit të qumështit dhe nënproduktet e tjera me teknologji moderne, që nis me pranimin, analizat e pritjes së qumështit me teknologjinë italiane AVA, repartin e ftohjes dhe përpunimit, pasterizatori FRAU.
Mimoza Caca tregon se një pjesë e mirë e blerësve janë kosovarët me banesa në bregdetin e Durrësit, që i përdorin në verë e dimër, ndërsa pikat e shpërndarjes së prodhimit nisin nga Shkodra deri në Vlorë. “Ne prodhojmë 15 lloje nënproduktesh qumështi si: Mozzarela, djathëra të llojeve të ndryshme kaçkavall, kos me përqindje të ndryshme yndyre, qumësht, gjalp, ricotta”, tregon ajo llojshmërinë e produkteve të markës “Mireli”, fabrika, që zotëron certifikatën e cilësisë ISO Hassap.
“Erzeni”: urgjent zbatimi i paketës së re fiskale, duam eksport
Drejtuesi i fabrikës “Erzeni” në Samaticë të Beratit, Erzen Begaj, shpreson tek zbatimi urgjent i paketës fiskale të bujqësisë, që mund të ndezë “dritën jeshile” për arritjen e standardeve europiane për lëndën e parë. “Duhen urgjent ndërhyrjet për të mbështetur me subvencion fermat e prodhimit të qumështit, pasi kostoja e prodhimit është shumë e lartë e për pasojë, nuk mund tëarrihet standard në cilësi dhe sasinë e qumështit”, tregon ai. Si një prej prodhuesve të fabrikave të përpunimit të qumështit, Begaj shton: “Për ne është e nevojshme të vihet urgjent në funksion paketa e bujqësisë, prej nga kërkojmë barazim të TVSH-së shitje-blerje dhe subvencion për lëndën djegëse, solar e gaz për kaldajat”.
Ai tregon problematikat urgjente në industrinë e përpunimit të qumështit dhe fermave blegtorale, ku kryesor mbetet çmimi i lartë i qumështit dhe konsideron “emergjencë kombëtare” situatën në blegtori. “Shteti duhet të kontrollojë gjithë njësitë e përpunimit të qumështit, sepse gjendja e shumicës është jashtë çdo standardi, sjellin konkurrencë të padrejtë në treg, përveçse janë jashtë çdo taksimi. Ata duhet të pajisen me TVSH, se nëse vihen nën kontrollin shtetëror, vetëm prej tyre, shteti fiton minimalisht 9.000.000 lekë/vit. Por është detyrë e shtetit që të ndalojë shitjen e qumështit të papasterizuar në rrugë a dyqane, sepse përvecse konkurrencë ilegale, është rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit. Rreziqet e qumështit të pakontrolluar që shitet në cdo cep, sjell dhe rreziqe nga ambalazhi mbledhur pse jo, edhe në kazanë, deri te niveli i lartë i antibiotikut prej mjekimit të pakontrolluar të lopëve. Çdo qytetar që ble këtë lloj qumështi është i painformuar mbi këto cështje. Qumështin e blejmë te fermeri dhe për kontrollin për cilësinë, që është shumë i madh, shpenzojmë çdo ditë 15 mijë lekë për nivelin e antibiotikut, sepse ka fermerë që e bëjnë këtë dëm”, tregon problemet e qumështit.
Sot fabrika grumbullon qumësht nga 2000 ferma në zonën nga Berati, Myzeqeja e vogël, Patosi, Semani, Libofsha, ku çmimet më konkurruese në tregun vendas, u ka siguruar vijimësi në prodhim në fabrikë me 40 lloj produktesh të ndryshme me investimet moderne në teknologji dhe një magazinë frigoriferike të mqdhe në Tiranë. Ndërsa në fabrikën e dytë që e kanë në Kotë të Vlorës, përpunohet qumështi i të imtave për prodhim djathërash të deles, dhisë e kaçkavall disa llojesh. Sivjet investimet në linjat e reja të përpunimit arrijnë në rreth 1 milion euro dhe një stad të ri zhvillimi me teknologjinë e fundit italiane “Reda”, ende e re edhe në Europë. Kjo teknologji ka rritur cilësinë e produktit në parametrat e standardeve më të mira të cilësisë në yndyrë, heqjen e mbetjeve më të imta, bakteriofuga, etj.
Prodhimi vjetor i qumështit në dy fabrikat arrin në 1,4 milionë litra qumësht, por pronarët nuk janë të kënaqur sepse kanë kapacitet përpunues shumë më të madh me teknologjitë e instaluar.
Sajmir Begaj menaxhon filialin e shitjes “Erzeni” në Tiranë. “ Pasi në 2006 me kredi bankare, ndërtuam pjesën e re në fabrikë, futëm pajisjet e reja, si kaldaja, linja e pasterizimit, që rriti standardin, makineritë e paketimit, rritëm prodhimin në treg dhe ecëm duke kapur në vitin 2008 tregun e Tiranës dhe sot, gjithë vendin, ku furnizojmë sistemin e restoranteve në qytetet kryesore. Ne e dimë se çdo investim ka rritur fabrikat, kemi treg në gjithë Shqipërinë, certifikatën ISO për fabrikat dhe produktet me markën ‘Erzeni’ me ndihmën e programeve gjermane”, tregon ai rritjen e biznesit familjar, ndër më kryesoret në Shqipëri për prodhim dhe cilësi.
Për të, informaliteti është dëm monetar. “Gati 90% e prodhuesve janë biznes i vogël, jashtë çdo lloj kontrolli fiskal, ndonëse qumështin e marrin njëlloj si ne. Ndryshimi është se ne kemi investime që nxjerrin produkt të standardizuar, ata vijojnë me prodhim artizanal, pra ka konkurrencë të pandershme në treg, ku dëmin më të madh e paguan prodhuesi i madh. Ne kemi investime, paguajmë energjinë, kurse të vegjlit deri dhe zjarrin për prodhim e bëjnë duke djegur goma të vjetra. Edhe ne, qumështin e blejmë te fermeri, por kontrollin e cilësisë e kemi shumë të madh me kosto për të mbajtur standardet”, tregon ai.
Ambicia për pronarët e fabrikave “Erzeni” është eksporti dhe jo vetëm në rajon, por problemi kryesor gjendet te fermat. “Këto ende janë jashtë kapjes së standardit, që me sipërfaqet e tokave në dispozicion, ashtu dhe llojit të ushqimit për blegtorinë e trashë apo të imët dhe kjo situatë na pengon në eksport. Urgjent kërkohen masat përmes strategjisë së grumbullimit, ku qumështi mbetet më delikati. Ne kemi nisur kontaktet me të huaj, por pengohemi te lënda e parë, fermat dhe lopët. Pa plotësuar kushtin që te toka ku ushqehet bagëtia dhe deri në prodhimin pas përpunimit të vendosen dhe kontrollohen standardet, do jemi të penalizuar për eksport në tregjet europiane”, ngre shqetësimin Sajmir Begaj.
Familja Begaj në Samaticë të Beratit në vitin 1992, falë nismës së të zonjës së shtëpisë, në 16 dynymë tokë dhe 4 lopë nisi biznesin familjar në dy magazina të vogla me prodhimin e djathit dhe gjalpit me një linjë të vogël prodhimi, për të mbërritur sot te fabrika moderne e përpunimit të qumështit “Erzeni”. Në vitin 1996, Isuf Begaj zgjeroi biznesin me mjedis të madh e kushte shumë të mira për përpunim qumështi për djathë e gjalpë e shitjet direkt në tregun e qyteteve pranë dhe kur regjistroi biznesin, zgjodhi emrin e njërit prej pesë djemve, Erzen, emër lumi, që për familjen solli mbarësi. Vit pas viti, rriti investimet bashkë me fabrikën, shtoi produktet dhe tregun deri në Vlorë, një zonë që për familjen solli fabrikën e dytë në fshatin Kotë, të orientuar kryesisht për përpunimin e qumështit të të imtave për djathë kaçkavall, dele dhe dhie. Sot, të pesë djemtë e familjes Begaj drejtojnë secili nga një drejtim në dy fabrikat dhe magazinën e madhe moderne në Tiranë.
Qeveria rrit fondet për subvencionim- përfitues dhe blegtorët
Krahasuar me vitin 2013, sivjet qeveria ka dhënë 70% më tepër fonde në dispozicion të fermerëve, me vlerë 12 milionë euro, ku 40% më shumë janë për subvencione për pagesat direkte të fermerëve, kryesisht për prodhimet me avantazh konkurruese në treg me produktet e rajonit dhe Bashkimit Europian, si mishi i qengjit, kecit, qumështi i dhisë, djathërat.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, që pranon shkallën e informalitetit në sektorin bujqësor, shprehet se “një nga prioritetet e skemave mbështetëse është formalizimi i prodhimit, duke insistuar në mbështetjen e skemave të orientuara drejt rezultatit”. Sot sfida mbetet dhe për pikat e grumbullimit, si mundësi për formalizim dhe regjistrim si subjekt. Ministria e Bujqësisë ka tashmë planin për të nisur kontrollet e cilësisë dhe sigurisë direkt në fermë, te lopa për qumështin dhe mishin,sëmundjet infektive, ushqimi, zinxhiri i marrjes së prodhimit, shpërndarjes deri te tregjet dhe konsumatori. Me paketën e re fiskale, me ndërhyrjen në Ligjin e TVSH, barazohet taksa në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore në 20%, ku përfitues do të jenë për prodhuesit, do të stimulohet blerja e produkteve vendase përmes rritjes së formalizimit.