Përse duhet rinovuar SHISH
Nga Bedri Islami
Dekonspirimi i një aksioni, të nisur nga shërbimet inteligjente të vendeve partnere, është njëri ndër sinjalet më të rëndësishme të kohëve të fundit për degradimin, prej kohësh dhe jo vetëm tani, të Shërbimit Inteligjent shqiptar. Duke qenë ndër më të rëndësishmit, aksioni nuk është i vetmi me përmasa trazuese, të cilat duhet të kishin tërhequr posaçërisht vëmendjen e qeverisë, por edhe të institucioneve të tjera.
Transporti ilegal i një shume të madhe të eurove, nisur nga një rrugëtim që duhej të ishte i njohur dhe në vëmendje të shumë strukturave shqiptare, sidomos të atij inteligjent, i cili ka më shumë degëzime dhe bashkëpunime për të bërë të mundur, jo vetëm kapjen në kohë të sinjaleve, por edhe renditjen e mbarë të punëve, është ndër ato goditje ndaj së cilave ka pasur heshtje prej shumë kohësh.
Shumëkujt mund t’i jetë dukur e çuditshme se si shefi i opozitës është i gatshëm të dekonspirojë një punë të mundimshme të shumë strukturave perëndimore dhe humbjen me këtë rast të fillit të një rrjeti kriminal të mirorganizuar, me shtrirje në shumë vende europiane, por kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi, për të dhe bandën politike pas tij asgjë nuk është më e rëndësishme se mbajtja e lidhjeve të vjetra, herë politike e më shumë financiare , me të gjithë ato që kanë qenë në një sistem të përbashkët.
Të kërkosh përgjegjësi pse Basha, si lider i opozitës, tek i cili, ose kanë shkuar tani lidhjet e hershme të Berishës me shërbimin inteligjent, ose e dhëna ka kaluar përmes Berishës tek ai, është e kotë. Njeriu i papërgjegjshëm, në cilëndo pozitë të jetë, ai mbetet i tillë dhe do të vazhdojë të jetë, deri kur shteti do të mund të vërë në lëvizje mekanizmat e tij institucionalë.
Më i papërgjegjshëm se sa ai, është burimi që e ka përcjellë informacion tepër sekret drejt opozitës, dhe, nëse në këtë shërbim janë vendosur rregulla strikte, të cilat ndiqen, nuk do të ishte edhe aq e vështirë të ketë një fill, drejt së cilës mund të shkohet. Dekonspirimi është krim dhe si krim duhet të ndiqet.
Themelore në të gjithë këtë është se puna e përgjegjshme e disa institucioneve europiane, të cilat, jo vetëm i kanë kushtuar vemendje të veçantë, por edhe kanë bërë shpenzime të konsiderueshme, shkon dëm nga ajo që është krijuar në këtë institucion, ku lajme dhe informacione të një rëndësie të dorës së parë, bëhen “buka” e opozitës, por jo vetëm kaq, hidhet në erë, kaq lehtësisht, një denoncim shumë më i madh se sa kjo që ndodhi.
“Toyota”-t, brenda së cilës u gjendën thasët me 3,4 milionë euro, pavarësisht faktit se nuk do të mund të ishte e vetmja rrugë transferimi e parave të drogës apo e aktivitetit tjetër kriminal, drejt një organizate të krimit, rëndojnë më pak se sa dëmi që u bë. Besimi ndaj Shërbimit Informativ Shqiptar shkoi edhe një herë në fund të këmbëve nga partnerët e huaj.
Ka pasur arsye të ndryshme që është bërë kjo rrjedhje informacioni.
Nuk ka qenë e rëndësishme vetëm goditja e institucionit të qeverisë apo të shumicës qeverisëse. Akuza e Bashës ndaj Ballës më shumë erdhi nga qeshja e këtij të fundit, si një përtallje, se sa nga fakti se mes trafikantëve dhe shefit të deputetëve të opozitës, mund të kishte ndonjë lidhje. Edhe Basha e di këtë. Informacioni i tij ishte i përgjysmuar edhe për shumën e parave dhe ajo që dinte ai, ishte përtej një Balle, qoftë ky edhe Taulant, ishte përtej asaj që pritej.
Mbi të gjitha ishte sinjali i dhënë drejtpërdrejtë i grupit kriminal, i cili duhej të ndërpriste vazhdimin e asaj që ishte menduar dhe të shpërndaheshin. Nëse do të ishte lënë vazhdimi i asaj që ishte menduar do të ishin zbuluar shumë lidhje të fshehta apo jo; përmes një grupi të vogël personash do të ishin zbuluar gjëra shumë më të rëndësishme, që nga lidhjet e tyre në Shqipëri dhe deri tek vazhdimi i tyre aty ku droga ishte shpërndarë, ishte shitur, ishin bërë organizimi i këtij rrjeti në perëndim.
Tani kjo duket si një mision i pamundur. Dekonspirimi e bëri të pamundur këtë.
Përmes dekonspirimit Basha dhe rrjeti i njerëzve rreth tij, si për shembull Grupi Çiftelia, kërkonin me çdo kusht, kërkojnë edhe tani, të bëjnë goditjen e radhës mbi Policinë e Shtetit, sidomos pas dështimit spektakolar të Babales dhe, po ashtu, edhe inskenimet e tjera që kanë përgatitur janë vazhdimi i babaleve të tjerë.
Edhe më parë opozita ka pasur e vazhdon të ketë informacione të klasifikuara si tepër sekrete, të cilat, jo pak herë, më parë shkojnë drejt zyrave të Berishës, se sa drejt shefit të qeverisë. Disa muaj më parë opozita u bë gati të dekonspirojë aksionin për goditjen e transportit të kokainës përmes tregtisë së bananave, sapo morën vesh se gjithçka ishte e përndjekur dhe se tashmë asnjë hajdarmataj nuk do të mund të mbyllte ndjekjen penale, duke sjellë në ndihmë të një alibie qeharake, se nuk ka autor. Pikërisht kjo rrjedhje informacioni, i cili do të bëhej publik nga minuta në minutë nga opozita, shpejtoi arrestimet e sekuestrimet, pa patur mundësi të ndiqej një rrjedhë normale, çka ishte pritur dhe sugjeruar edhe shërbimet partnere.
Në të dyja rastet burimi i dekonspirimit e kishte njërën këmbë në shërbimin informativ.
Ndaj duhet përmbysur raporti mes specialistëve dhe militantëve partiakë, të cilët, të dërguar aty pas vitit 2005, as nuk kanë zënë mend dhe as nuk do të zënë mend se, në fillimin e çdo gjëje, i duhet shërbyer vendit e jo politikës opozitare, kushdo të jetë në opozitë.
E strukturuar nga një figurë e njohur e kohës së zezë të Gazidedes, kur shërbimi u vendos mbi lirinë e mendimit, mbi ndjenjën e opozitës dhe si njësi shtypëse, gjërat u përsëritën edhe një herë, strukturat u grumbulluan përsëri sipas parimit të shërbimit dhe gjërat e domosdoshme, themelore, u shikuan si gjëra në kalim dhe pa perspektivë të zhvillimit.
Në Shqipëri, si askund tjetër në vendet ballkanike, ku shërbimi informativ kishte disa dekada përvojë, rritja e radializmit islamik, kthimi i vendit në një strehë dhe pikënisje e xhihadistëve apo grupimit terrorist ISIS, lejimi i krijimit të një strukture paralele të ngrehinave dhe kultit islam, ishin ndër “vogëlsirat”, me të cilat u kujtuan të merren teplr vonë, ose aspak.
Shefi i qeverisë, Rama, megjithëse e dinte se ky shërbim, jo vetëm nuk ishte në atë përmasë sa e përcaktojnë ligjet e shtetit, por edhe ishte bërë bashkë me ish presidentin Nishani, për të kundërshtuar dhe kundërvënë qeverisë së vitit 2013, përsëri, ndoshta i joshur nga ato pak informacione që kalonin nëpër tavolinën e tij, bëri dy veprime që nuk duhej të ishin bërë: dekoroi në fshehtësi ish shefin e shërbimit sekret, Visho Ajazi, numri dy i diktatit të kohës së Gazidedes, por, si të mos mjaftonte e gjithë kjo, pak kohë më vonë, pas një marrëveshje ende të pazbardhur, e dërgoi atë ambasador të rëndësishëm.
E gjitha kjo, si të donte të dërgonte mesazhin politik se, kush mund të më shërbejë, sado pak, pavarësisht nga ajo që ka ndodhur, mund të jetë i përkëdheluri i pushtetit, mund të bëjmë marrëveshje dhe të të shpërblejmë. Kur ndodh me shefin e shërbimit, kushdo ka të drejtën e mendimit të një shpërblimi të ardhshëm, nëse mos nga shefi i qeverisë, nga ai i opozitës.
Shërbimi Informativ është ende si gjysmagjeli: me kryetar të shërbimit dhe pa kryetar të shërbimit. Njeriu që kryen sot detyrën e zëvendësit nuk dekretohet nga presidenti Meta, ndërsa shefi i qeverisë deklaron se nuk do të bëjë propozim tjetër. Megjithë figurën e tij të devotshme dhe dëshirën për të bërë një reformë të fuqishme institucionale, mosdekretimi e bën të pafuqishme si duhet figurën e tij.
Shërbimet partnere të inteligjencës, nëse vazhdon e gjithë kjo lojë e dekonspirimit të aksioneve të mëdha, përmes së cilave do të ndodhte edhe goditja e më shumë se e një grupimi kriminal, me siguri do të ndjejnë zhgënjimin e tyre dhe, para se të ndodhë kjo, duhet të ketë një reformë të ndjeshme, e cila nuk presupozon thjesht lëvizjen e disa njerëzve dhe delegimin e të tjerëve si miliantë partiakë, por krijimin e një gjendjeje të re, krejt tjetër, që sjell siguri kombëtare.
A është e mundur të bëhet kjo?
Nëse qëndron nën hijen e politikës, nuk do të bëhet.
Nëse do të qëndrojë nën dritën e vet, është e mundur.