Opinion

Përse Franca?

Nga Andi Bushati

Menjëherë pas sulmeve në teatrin Bataclan dhe në disa zona të tjera të Parisit, i pashë shumë nga miqtë e mij në Facebook, të mbulonin fytyrën e tyre me flamurin tringjyrësh.

Pashë se si ndjenja e solidaritetit sa vinte dhe rritej. Pashë gjithashtu se si vala e urrejtjes ndaj njerëzve që tentojnë të vrasin në emër të një vargu të keqinterptetuar të kuranit, sa vinte dhe shtohej.

Por bashkë me këtë lëvizje masive, në rrjetet sociale, madje edhe midis shqiptarëve, filluan të ngrenë kokë edhe disa pikëpyetje të tjera:

Përse duhet që njerëzit të identifikoheshin me flamurin tri ngjyrësh?

Përse ata që sot kishin makijuar fytyrat e tyre me blu, bardhë dhe kuq, nuk e kishin bërë një gjë të tillë edhe kur demonët e së keqes morën 130 jetë në Turqi?

Përse po të njëjtët kishin shpërfillur dramën e Beirutit?

A nuk vlejnë edhe 44 jetët e humbura në Liban dhe më shumë se 200 të plagosurit e atjeshëm, sa qytetarët e “dorës së parë”, francezë?

A e kanë ngritur ata flamurin e vendeve në fatkeqësi kur ra tërmeti në Haiti, kur cunami goditi Japoninë, apo kur ra avioni në Malajzi?

A e kemi mbuluar kryeministrinë me flamur për krimet e tmerrshme në rripin e Gazës, për vrasjet e të rinjve liberalë dhe hedonistë në Norvegji, për Darfurin, kurdët apo shumë të tjerë?

Në fakt të gjitha këto dilema të ngritura në mënyrë sporadike aty- këtu, në formën e një statusi në Facebook, në formën e një cicërime në twitter, në formën e një anti- fotoje në instagram, të shpien tek një pikëpyetje:

Përse u godit Franca dhe pse po mbrohet me kaq pathos ajo?

Përse terroristët vendosën ta godasin për herë të dytë pas 10 muajsh? Përse e kanë shndërruar në targetin e privilegjuar në Europë?

Në fakt ka disa arsye se përse toka e vjetër e galëve është bërë epiqendra e urrejtjes të fondamentalistëve islamikë. Ato janë së pari strategjike dhe së dyti simbolike.

Le të fillojmë me të parat.

Disa nga dëshmitarët e shpëtuar nga masakra në teatrin Bataclan treguan se kamikazët e veshur me jelekë eksplozivi dhe me kallashnikovë në duar, bërtisnin se e gjitha kjo qe pasojë e angazhimit të Francës në Siri. Kjo është edhe arsyeja e parë. Megjithëse Parisi iu bashkua me vonesë (shtator 2015) bombardimeve kundër shtetit islamik, ai qe një nga të parët që i tha po fillimit të tyre në kuadrin e një koalicioni të udhëhequr nga SHBA-të.

Një arsye e dytë është historike. Franca si një fuqi e vjetër koloniale, qe ajo që pas shkatërrimit të perandorisë otomane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar, së bashku me Britaninë, krijuan shtete me kufij arbitrarë nën sovranitetin e tyre. Për të mbrojtur të krishterët e Lindjes, u krijua atrificialisht edhe Libani, një aleat tadicional i Izraelit i mbrojtur nga Parisi. Kjo është një arsye më tepër se përse xhihadistët e urrejnë Francën po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara.

Një argument tjetër është se terroristët e shohin Francën, me një popullsi të konsiderueshme myslimane, si terrenin më të përshtatshëm për të mbjellë farën e një konflikti të mundshëm.

Natyrisht, vetë vendi i lirive dhe të drejtave të njeriut i ka dhënë një dorë për këtë. Me forcimin e lëvizjeve identitare, me shtimin e zërave, madje dhe të atyre që deri dje konsideroheshin si intelektualë të majtë, që po e demonizojnë rrezikun e një islamizimi të shoqërisë, me fobinë për laicitetin dhe me makthin ndaj grave të mbuluara në mjediset publike, vetë Franca e ka shtuar mundësinë për konflikt. Ajo është shndërruar në vendin që xhihadistët dashurojnë ta urrejnë.

Por, përpos këtyre, arsyet e goditjes janë edhe simbolike.

Jo më larg se një ditë pas ngjarjes makabër, një nga karikaturistët e Charlie Hebdo, Joann Sfar, kishte paraqitur me 12 skicime (shiko lajme Lapsi.al) thelbin e vërtetë të asaj që po ndodhte. Në një nga diciturat ai shkruante: “Njerëzit që vdiqën këtë mbrëmje kishin dalë për të jetuar, për të pirë, për të kënduar. Ata nuk e dinin që u kishin shpallur luftë”. Ai vazhdonte: “Parisi është kryeqyteti ynë. Ne e duam muzikën, dehjen, gëzimin. Franca është një vend i vjetër ku të dashuruarit përqafohen lirisht”.

Pak më pas, një koment i thjeshtë i një shkruesi anonim në New York Times bëri xhiron e mediave sociale franceze, sepse glorifikonte të njëjtin gëzim për jetën dhe të një njëjtën mënyrë jetese. Madje aq popullor u bë, sa gazeta Le Monde, u detyrua të bëjë një sqarim për të thënë se ai nuk qe një editorial i të përditshmes prestigjoze amerikane, por thjeshtë reagimi i një komentuesi anonim në këtë faqe.

Ky i panjohur kishte shkruar se Franca përfaqësonte gjithçka që fanatikët fetarë urrejnë: “Një tas kafeje aromatike në një tarracë, femra ta bukura me funde të shkurtra që qeshin lirisht, aromën e bukës së ngrohtë dhe një gotë verë mes miqsh, pak parfum, zhurmat e fëmijëve që luajnë në kopshtin e Luksemburgut, të drejtën për të mos besuar në Zot, atë për të tymosur, flirtuar, bërë dashuri jashtë martese, për të lexuar çfarëdo dhe për t’u arsimuar gratis, atë për t’u tallur me klerikët po ashtu si me politikanët…”.

Pikërisht këtu duhet kërkuar edhe një nga arsyet se pse Franca u godit. Jo vetëm si një vend, por edhe si një simbol. Si simboli i një mënyre jetese. Si simboli i lirive dhe të drejtave të njeriut. Si simboli i “joie de vivre”.

Pikërisht për këtë, shumëkush, në mënyrë instiktive, (ashtu sikurse kish vënë 10 muaj më parë statusin “Je suis Charlie”), vuri këto ditë në Facebook, flamurin tri ngjyrësh mbi portretin e tij.

Prandaj, ata që vendosën të bëjnë këtë zgjedhje, nuk kanë pse të japin llogari se përse nuk janë identifikuar më parë edhe me simbole të tjera: turke apo norvegjeze, haitiane apo palestineze.

Kjo nuk është një çështje preferencash mes kombesh, as një klasifikim i rëndësisë së tyre. Kjo është një çështje botëkuptimi.

Ata që e bënë nuk u njësuan thjeshtë me Francën. Ata bënë një apel për vetëmbrojtje.

Për mbrojtjen e mënyrës sonë të të qenit dhe të jetuarit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button