Më 25 prill zgjedhjet parlamentare i fitoi Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën. Tre ditë më vonë Washingtoni dhe ambasadorja aktive Juri Kim përgëzuan Ramën për këtë fitore, duke shprehur edhe dëshirën e tyre që të bëhet kthesë në bashkëpunimin pozitë-opizitë. Ndërkohë Lulzim Basha që në vigjilje ishte entusiast për fitoren e padiskutueshme, menjëherë më 26 prill, kur e pa që kishte humbur, përsëriti refrenin e njohur se janë vjedhur votat dhe ” Ne do të luftojmë çdo ditë,çdo natë, çdo orë e çast për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Beteja vetëm ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund, deri në fitore.” Pak me vonesë, po edhe drejtuesi real i PD-së, Sali Berisha akuzoi si zakonisht për blerje votash e parregullsi flagrante. Edhe kësaj here ata nuk po duan të analizojnë shkaqet e vërteta të humbjes. Nuk guxojnë t’i bëjnë vetes pyetjen pse Partia Demokratike për të tretën herë rresht nuk votohet nga populli shqiptar. 12 vjet humbëse për një parti nuk është pak. Duhet gjetur patjetër pseja.
Për këtë po filloj të rikujtoj kohën kur Shqipëria mbeti i vetmi shtet komunist në Europë. Në të gjitha vendet e tjera socialiste regjimet komuniste totalitare u rrëzuan. Populli ynë nuk mund të qendronte sehirxhi për fatin e vet, aq më tepër që ekonomia ishte paralizuar dhe punëtorët paguheshin me 70 përqind pa punuar fare…Lindi natyrshëm ajo lëvizje e fuqishme masive popullore kundër PPSH-së, sepse edhe ne e deshëm Shqipërinë si gjithë Europa. Studentët paraprinë. Komunistët u detyruan të pranonin Pluralizmin. Të nesërmen lindi shpresa: u krijua Partia Demokratike. Partia që populli e deshi të ishte si partitë e Europës. Nuk ishte e thënë që Ramiz Alia dhe Sigurimi famëkeq të qendronin indiferentë ndaj kësaj foshnjeje antikomuniste. Për të udhëhequr atë kryengritje paqësore ata caktuan komunistin e zellshëm, sekretarin e Partisë të spitalit shtetëror, mjekun që thirrej edhe për konsulta për gjendjen shëndetësore të diktatorit, shokun Sali Berisha. Më bukur për ta nuk kishte si të shkonte! Populli e pranoi doktor Saliun si udhëheqës, mjaft që ai doli kundër PPSH-së. Në një farë mënyre Alia mbeti i zhgënjyer, ndonëse doktori u shpëtoi jetën. Kriminelët nuk u akuzuan për vrasjet, burgimet, internimet, për luftën e egër klasore, po vetëm për televizorët dhe perdet e tepërta!?
Me këtë kryetar PD luftoi me vendosmëri, pa përdorur dhunë, për të ardhur në pushtet me votën e popullit. Ishte koha e artë kur deputetët socialistë shquheshin për disiplinë të hekurt, ndërsa demokratët krejt lirshëm shprehnin pikpamjet e tyre. Mbaj mend të ndjerin Gramoz Pasho që i tha kryetarit të grupit parlamentar të socialistëve:” Ti e ke mirë se deputetët e tu janë ushtarë, po si t’ja bëj unë që i kam të gjithë gjeneralë?!”. Kjo frymë demokratike për të shprehur hapur mendimet çdo deputet nuk kishte si t’i pëlqente kryetarit Sali, komunistit që brenda disa orësh u transformua në demokrat i flaktë. Që në ato fillime ai nisi përpjekjet për të qenë dorë e fortë, për të mos lejuar as edhe njërin nga partia të shpaloste një mendim ndryshe. Përjashtoi dhe anatemoi disa. Ndër më flagrantët ishte rasti i Kryetarit të Partisë Demokratike Eduard Selami që e flaku vetëm e vetëm pse propozoi që për të ecur punët më mirë, kryetari i partisë duhet të jetë edhe kryeministër. Pas pak kohe, kur fitoi zgjedhjet, vetë Berisha kryetar u bë kryeministër?! Pra, Eduardi kishte patur të drejtë. Pikërisht për këtë ai e pësoi. Ashtu si Enver Hoxha që i eleminoi tërë shokët bashkëluftëtarë, nën shëmbullin e tij veproi edhe Sali Berisha. Ndryshimi i vetëm është se Berisha nuk i burgosi ose vrau, po të mos harrojmë se erdhën kohë të tjera. Ky lloj spastrimi nuk ka asgjë të përbashkët me praktikën e partive demokratike europiane. Edhe përpjekja e tij për të ndryshuar kushtetutën që të shtonte kompetecat si president tregonte se Sali Berisha sa për sy e faqe paraqitej demokrat, ndërsa në thelb kishte mbetur po ai sekretari i zellshëm komunist i kohës së diktaturës. Ishte populli ai që nuk votoi për atë përçudnim që Berisha donte t’i bënte kushtetutës. Megjithatë devijimi i hapur i Partisë Demokrtatike nga parti që lindi për të qenë europiane, në një parti të shartuar dukshëm me praktikat e marksizëm-leninizmit, ndodhi kur Berisha i humbi zgjedhjet. Kurrsesi nuk prasoi humbjen. Motivi gjithmonë i njëjtë si avazi i Mukës:” Na vodhën zgjedhjet!” Nisën gjoja protestat paqësore ku digjeshin makina, sulmoheshin institucionet e shtetit, hidheshin shashka dhe bomba molotov. Ishte ai frymëzuesi dhe urdhruesi i hedhjes në erë të shtyllave të tensionit të lartë për panik. Ishte Berisha që me tanket e Gardës së Republikës rrëzoi kryeministrin Nano, që pushtoi Radio-Televizionin Shqiptar. Qe Berisha ai që ishte gati të niste një luftë vëllavrasëse Veri-Jug. Ishte PD ajo që theu embargon ndaj Milosheviçit, duke prerë në besë vëllezërit kosovarë… Të gjitha këto veprime kriminale nuk kanë asgjë të përbashkët me emrin Parti Demokratike. Edhe pse Bota e detyroi të kthehej kokëulur në selinë e PD-së ai nuk hoqi dorë nga dhuna edhe kundër manifestuesve paqësorë. Për viktimat e 21 Janarit, megjithëse dihet, akoma nuk është venë në pranga personi që urdhëroi për ato vrasje… Nuk ka faj se Berishën marksizëm- leninizmi e ka mësuar që në pushtet vihet vetëm përmes grykës së pushkës. Me këtë frymë janë ushqyer idhtarët e partisë Demokratike. Edhe kur Sali Berisha zyrtarisht dha dorëheqjen, pse humbi zgjedhjet, ai gjithmonë mbeti kryetar i asaj partie. Lulzim Basha nuk është gjë tjetër veçse një zbatues i porosive të doktorit. Edhe me Lulin demonstratat e dhunshme nuk na u ndanë. Refreni pas çdo humbje është po i njejti. Nuk njohin fitoren e kundërshtarit. Kërkojnë zgjedhje të parakohëshme. Më të freskëta sulmet kundër kryeministrisë dhe djegiet e makinave bashkë me shashkat i takojnë edhe katër viteve të fundit. Këtë radhë bashkë me ta ishin edhe idhtarët e LSI-së. Së bashku ulurinin duke mbajtur në duar edhe parrullat: ”Rama ik!” Nuk e di se në ç’vend të Europës partitë opozitare kanë përflakur sheshet dhe kërkuar thirrjen që kryeministri i zgjedhur nga populli të largohet, pa ndodhur ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme?! Edhe kësaj here, për turp të dheut, duhej të kërcënoheshin nga përtej detit, për të mos përflakur Shqipërinë, për të mos u bërë një gjakderdhje e kotë për karriket e këtij ose atij politikani.
Për sa përshkrova përmbledhtazi ky është portreti i Partisë Demokratike që nuk ka asgjë të përbashkët me fjalën demokraci dhe aq më shumë me emërtimin demokraci europiane. Kjo është arsyeja pse populli ka 12 vjet rresht që nuk voton për këtë parti. Kjo nuk është në të mirë të Shqipërisë. Një opozitë jo europiane siç është PD-ja, do të thotë që edhe pas 4 viteve sërish të fitojnë socialistët?! Si mund të zgjidhet ky lëmsh shkaktuar nga komunisti Sali Berisha?
Po qe se kryetar i PD-së vazhdon të mbetet formalisht Basha, PD-ja ka për të mbetur kjo që është. Në rast se ai jep dorëheqjen ose e detyrojnë të largohet, atëhere lind një shpresë që PD-ja të çlirohet nga praktikat komuniste. Në rast se edhe kryetari i ri i mundshëm do të jetë idhtar i Berishës, nuk ka për të patur ndryshim. Atë mund ta sjellë vetëm një kryetar intelektual i ndershëm kur partia të heqë një herë e përgjithmonë dorë nga fryma Berishjane, nga dhuna leniniste, nga mospranimi i humbjes, nga mos- shtrëngimi i dorës kundërshtarit kur ai fiton, nga shpifjet dhe akuzat e pabazuara…Atëhere po, populli ka për ta votuar, po qe se bindet për programin e saj. Kur them populli, nuk kam parasysh idhtarët e njerës apo tjetrës parti. Vetëm me votat e tyre asnjë parti nuk mund të vijë kurrë në pushtet. Kërkohet vota e votuesve pa parti, vota e popullit që vëzhgon dhe hesht, po ama që e di mirë se për kë voton. Populli shqiptar nuk ka për të votuar kurrë për cilëndo parti të shartuar me praktikat e diktaturës komuniste.
Lind pyetja pse shqiptarët na qenkan kaq të thekur për të majtët ose pseudo të majtët, siç shprehen disa? Spjegimi është i thjeshtë. Duke patur një trashëgimi që populli e urreu, socialistët ditën dhe mundën pa bërë zhurmë, të transformohen. Është e vërtetë që ata nuk bënë as edhe një mbledhje për të anatemuar Enver Hoxhën, madje Nano tha se çdo njeri ka një baba. Është e vërtetë që Nano nuk kishte ndërmend të kthente pronat ose të linte lëvizjen e lirë të njerëzve. Nuk harrohet thënia e tij që ishte dakort për porta të hapura, po jo ama të shqyera. Ndërkohë, si njeri liberal që është, ai përçoi një frymë të re demokratike në atë parti. Edi Rama e thelloi edhe më tej gamën e ideve përparimtare. PS u bë një parti tjetër, sepse bën përpjekje të jetë si simotrat e saja europiane. Ka shumë rëndësi fakti që Edi Rama nuk ka qenë kurrë komunist. Populli duke krahasuar këto dy parti: njera si shartim i shëmtuar demokratiko-komunist dhe tjetra me prirje socialiste europiane, me ndërgjegje ka mbështetur socialistët. Jo vetëm për aspektin organizativ, po edhe për programin, iniciativat, planet, vendosmërinë. Populli ka të drejtë të ketë vërejtje për Ramën, si për çdo udhëheqës, sepse edhe ai gabon, po ama njerëzit e ndershëm nuk mund të mohojnë këmbënguljen e tij të jashtëzakonëshme për t’u qendruar punëve në kokë, për ta zhvilluar Shqipërinë. Nuk mund të thotë asnjeri se ai është pa vizion, pa horizont, pa kulturë, pa iniciativë dhe pa guxim. I krahasuar me Bashën, Edi Rama qendron disa shkallë më lart, prandaj dhe socialistët u votuan më shumë. Prandaj dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpejtuan ta përgëzojnë.