Plani i Rindërtimit të Krujës/ Strehim, por edhe ofertë turistike për ta lidhur zonën me Pazarin dhe Kalanë
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prezantoi sot planin e Rindërtimit të Krujës, duke theksuar se “zona e re do të ketë jo vetëm qasje për strehimin, por hapësira publike të munguara të lidhura ngushtësisht me komunitetin që do të jetojë aty, si dhe oferta turistike që do t’i shtohet zonës për ta lidhur sa më shumë me Pazarin dhe Kalanë”.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Edi Rama, ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe kryetarin e bashkisë së Krujës, Artur Bushi, Margariti tha se “në zonën e identifikuar si zonë për rizhvillim kemi identifikuar edhe të gjitha banesat kolektive, të cilat kanë pasur dëme të rënda DS4 dhe DS5 dhe brenda zonës së rindërtimit sipërfaqja për prishje është rreth 26 540 m2 dhe kemi konsideruar edhe pjesën jashtë kësaj zone”.
“Në total sipërfaqja e ndërtimit është 35 mijë m2, kemi planifikuar edhe shërbimet publike që të krijojmë mbështetjen e plotë për zhvillim të zonës. Në Krujë kemi mbi 8 300 m2 për zhvillim”, – nënvizoi Margariti.
Sipas saj, duke marrë në konsideratë dëmet më të mëdha territori është i ndarë në dy pjesë, zona më e dëmtuar për Rindërtim dhe zona më pak e dëmtuar për Rigjenerim.
“Sipërfaqja e konsideruar për rigjenerim urban është 53 691 m2, ndërsa sipërfaqja e konsideruar për rindërtim urban është 46 859 m2”, shtoi ministrja.
Ministrja Margariti u shpreh se “në Krujë zona 9.5 ha do të ketë një sipërfaqe ndërtimi totale prej 43 315 m2, kapaciteti i strehimit në zonë do të jetë për 370 familje dhe numri i përgjithshëm i banorëve 1420. Do të jenë 26 banesa kolektive, 730 parkime , 3 ndërtesa social-kulturore dhe sipërfaqe rruge 17 213 m2”.
“Territori për ndërtesat është ndarë në dy ndërhyrje kryesore lagjen e sipërme dhe lagjen e poshtme. Në lagjen e sipërme të zonës do të jenë 100 njësi apartamente, të ndara 28 1+1, 40 2+1 dhe 32 3+1, ndërsa aksi gjatësor i ndërtesave do të pozicionohet përgjatë linjave që diktojnë izohipset topografike. Ndërtesat pozicionohen në mënyrë të kithët me aksin e përroit në veri. Ky pozicionim është thelbësor për stabilitetin struktural në të ardhmen”, – bëri të ditur ministrja.
Më tej ajo sqaroi se “ndërtesat kanë një largësi minimale prej 30 m nga njëra-tjetra në vijë ajrore, që të sigurohet fushëpamje për të gjithë apartamentet. Katet përdhese janë projektuar për të mbartur funksionin e parkimeve të mbuluara, por të hapura publike”.
Ministrja Margariti u shpreh se “është studiuar edhe pjesa e fasadës, e cila do të bëhet me veshje qeramike/terrakote me ngjyra të ndryshme të paletës brenda familjes së ngjyrave të tokës”.
Duke prezantuar lagjen e poshtme, Margariti tha se “në pjesën e poshtme të zonës është konceptuar përqendrimi më i madh i ndërtesave për shkak të topografisë së përshtatshme që ofron kjo pjesë. Këtu do të jenë kopshti, çerdhja, njësitë e shërbimit”.
“Kalaja dhe Pazari i vjetër janë dy pika atraksioni për turistët, por qartësohen thjesht nga sheshi dhe një stacion autobusi. Ndërsa në planin e ri janë hartuar një sërë funksionesh nëpërmjet shëtitoreve panoramikeve dhe shkallareve të vendosura në terrenin e thyer me funksione të ndryshme si një treg, një shesh teatral, si dhe hapësira të tjera që lidhen ngushtësisht me prezencën e ujit. Të gjitha këto do të bëjnë të mundur me një itinerar të dedikuar që të afrojnë turistët, të cilët të mos shkojnë vetëm për të vizituar kalanë dhe Pazarin e vjetër, por të kenë edhe një atraksion të shtuar duke sjellë benefit ekonomik zonës së re të zhvillimit”, – tha Margariti.