Plani Kombëtar për integrimin evropian 2014-2020, hap i rëndësishëm për kriteret ekonomike e politike
Këshilli i Ministrave miratoi dje Planin Kombëtar për integrimin evropian, 2014 – 2020.
Ky plan kombëtar, është inicuar nga Ministria e Financave, në kuadër të rrites së përpjekjeve nga Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimit Evropian.
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, në dialogun politik që u zhvillua për këtë Plan Kombëtar u shpreh se, “marrja e statusit të vendit kandidat në fund të qershorit nga Shqipëria është një hap përpara në procesin e integrimit, por kjo nuk duhet të bëjë që të ndalen reformat”.
Për këtë arsye, ajo përgëzoi Ministrinë e Financave “që ka inicuar ndërmarrjen e kësaj strategjie të rëndësishme të reformës në menaxhimin e financave publike, për shkak se shqiptarët kanë nevojë dhe meritojnë një menaxhim më të mirë dhe më serioz të financave të tyre publike”.
Kjo reformë përbën një hap shumë të rëndësishëm për të përmbushur më mirë në vendin e parë kriteret ekonomike duke sjellë stabilitet makroekonomik, përmirësim të mobilizimit të burimeve dhe të shpërndarjes, përmirësim të menaxhimit të aseteve, raportim efiçent, financiar dhe transparent dhe të sistemit të prokurimit, si dhe një kuadër të zgjeruar ligjor dhe rregullator.
Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, në dialogun politik
Së dyti, përveç përmirësimit për të përmbushur kriteret ekonomike, kjo reformë do të na mbështesë gjithashtu në përmbushjen e kritereve politike, për shkak se do të përmirësojë dhe forcojë auditimin e jashtëm dhe të sistemeve të kontrollit të brendshëm në institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, çka sjell si rrjedhojë transparencën, efektivitetin dhe efikasitetin e shpenzimeve publike.
Kjo reformë do të sjellë institucione më të forta dhe më demokratike, më shumë stabilitet ekonomik, më shumë transparencë, më shumë të ardhura dhe pasuri më në fund, duke kontribuar në këtë mënyrë jo vetëm për të përmbushur objektivat tona ekonomike, por edhe për të përmbushur objektivat e mbrojtjes sociale, sepse popullsia më e madhe në moshë do të mund të ketë një skemë të përmirësuar të pensioneve, e cila do të përmirësojë jetën e tyre dhe t’i bëjë ata të ndjehen krenarë dhe të vlerësuar për vitet e tyre të kontributit në vendin e punës.
Gjosha u shpreh se “është rikonfirmuar mbështetja e partnerit tonë, Bashkimit Evropian, për çdo hap të rëndësishëm që ne marrim në procesin e integrimit”. “Caktimi i një fondi të veçantë për të mbështetur reformën e menaxhimit të financave publike përmes mbështetjes buxhetore të sektorit në kuadër të asistencës financiare IPA II është një lajm vërtetë i mirë jo vetëm për realizimin e kësaj reforme, por kjo është një shenjë e qartë se Bashkimi Evropian është i bindur se kjo qeveri do të shfrytëzojë si duhet ndihmën financiare që vjen nga qytetarët evropianë”, tha Gjosha.
Ajo siguroi partnerët se, “Qeveria shqiptare do të menaxhojë asistencën financiare të BE-së në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se Ministria e Integrimit Evropian të Shqipërisë gjithmonë do të luajë një rol konstruktiv në rolin e koordinatorit në procesin e integrimit dhe të fondeve të IPA-s”.
Gjate mbledhjes se Keshillit te Ministrave
Në vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2014 – 2020, (PKIE, 2014 – 2020), thuhet se “Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.
Gjithashtu, në vendim theksohet se “Ministria e Integrimit Evropian raporton çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së, 2014 – 2020”.
“Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit Evropian, çdo 3 (tre) muaj (java e tretë e muajit të fundit), për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga PKIE-ja, 2014 – 2020”, vijon vendimi.
Sipas vendimit, ecuria e Planit Kombëtar për Integrimin evropian 2014-2020 do të monitorohet nga Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të cilat do të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE, 2014 – 2020.
“Plani Kombëtar për Integrimin Evropian është përpiluar në të njëjtën linjë me Planin Legjislativ Vjetor të qeverisë si dhe me Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim. PKIE-ja është hartuar në gjuhën shqipe dhe anglisht”, thuhet në vendim.
Ndërsa, vendimi nr.486, datë 25.7.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, 2012 – 2015, dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për përafrimin në legjislacionin shqiptar të çdo akti të legjislacionit të Bashkimit Evropian”, shfuqizohet.