Po ju tregoj se si “ma zgjidhi hallin” Artan Lame
Përpara disa muajsh, kam publikuar në gazetë një bisedë timen në rrjetet sociale me një zonjë. Kam publikuar më saktë shqetësimin e kësaj të fundit. Ajo kish ndjekur kuturisjet televizive të Artan Lames në përpjekje për të shpjeguar atë që kish në kokë të bënte lidhur me legalizimin e pronave, mirëpo nuk gjente asgjë konkrete në këto shpjegime. Fillimisht, më shpjegonte hallin e saj, e më thosh se kish blerë një apartament me një kontratë të rregullt e të noterizuar, mbi bazën e së cilës shitësi, d.m.th pronari a ndërtuesi i pallatit, i premtonte se në harkun e pak muajve do t’i jepte hipotekën në dorë; kish marrë një kredi për ta bërë këtë blerje, dhe si kolateral në bankë kish vënë pronat e të afërmve të vet. Muajt kalonin dhe ajo s’po e merrte hipotekën. Ku nuk kish shkuar, por kudo e përcillnin duke i thënë se nuk e njihnin si palë në këtë histori. Dhe në fund, më thosh se e ndjek me vëmendje kronikën politike të ditës me shpresën se do të gjejë një përgjigje për shqetësimin e vet, por informacioni që jepet mbi këtë çështje, edhe pse ka qenë i bollshëm dhe i ditëpërditshëm, ish i belbët, i pjesshëm, i paqartë, shushatës. Ajo dëgjonte, por nuk merrte vesh se si do të bëhej me hallin që e kish zënë. Në mendje më kanë mbetur fjalët e fundit të saj: “Sikur të kisha uzurpuar tokën e dikujt tjetër, dhe të kisha ndërtuar pa leje, do të isha trajtuar me më shumë merak, dhe ndoshta do ta kisha futur me kohë dokumentin e legalizimit në xhep”.
Ndjekësit e zellshëm të shtypit do ta kenë vënë re se në atë shkrim unë i bëja apel a lutje drejtorit të ALUIZNI-t, Artan Lames, që t’i jepte një përgjigje kësaj zonje. Ia bëja këtë apel, ngaqë në thelb kishim të bënim me një problem të mijëra zonjave e zotërinjve të tjerë, e jo me problemin e një personi. Por duke jetuar me idenë se kjo puna e pronave në përgjithësi apo pronave të pahipotekuara e të palegalizuara në veçanti është shndërruar në një rebus të pazgjidhshëm, nuk mendoja se Lame do bëhej i gjallë. “Nuk ka se ç’të thotë”, ia bëja me vete, “e prandaj do bëjë sikur s’e ka vënë re këtë ‘ndërmjetësim’ timin”.
Lame në fakt, u përgjigj. Qysh të nesërmen. Zonja e Facebook-ut e kish parë, dhe më dërgoi një “falënderim”, por mua m’u bë se këtë falënderim ma jepte me pahir, ngaqë shkrimi i Lames – kështu m’u duk mua, që jam ushqyer (e kam ushqyer të tjerët nga pozitat e opinionistit) gjithë kohën me dyshimin për funksionarët e shtetit shqiptar – ish sa për të larë gojën. Në atë shkrim, Lame bënte një histori të problemit në fjalë, kthehej mbrapa në kohë, në vitin 1993, nxirrte në evidencë kompleksitetin e bartur e të shtuar në kohë të situatës, jepte disa këshilla praktike në respekt të ligjit, dhe në fund, thosh se “e gjitha kjo kërkon kohë; nuk është bërë për gjithë këta vjet dhe po përpiqemi ta bëjmë tani; vullnetin e kemi; na duhet vetëm koha”.
Përsëris: Artan Lame m’u duk në atë rrethanë si një zyrtar rrufjan, dhe kjo nuk kish lidhje me të aq sa kish lidhje së pari me një frymë të përgjithshme dhe të përjetshme të kësaj administratës sonë të Lal Krosave që nuk zgjidh probleme, por veç i krijon ato e zvarrit zgjidhjen e tyre, e që gjen shprehje te deviza “fjalën e mirë e gurë në trastë”, dhe së dyti me një ngecje e pështjellim të frikshëm ligjoro-burokratik që i është bërë vit pas viti çështjes së pronave në Shqipëri.
E me këtë ide kam jetuar deri dje, kur në inbox-in tim gjeta këtë shënim: “Mirëdita z.Nano! Sot kam marrë nga administratori i pallatit njoftimin nga firma ndërtuese ku kemi blerë apartamentin që të bëjmë tërheqjen e certifikatës së pronësisë, sigurisht kundrejt një procedure të thjeshtë ligjore”. Dhe pas kësaj, zonja V shpërthen në falënderime për Artan Lamen, dhe e mbyll me urimin që “vetëm ngjarje të mira dhe në favor të qytetarëve të dëgjojmë çdo ditë”.
E di që ky ngazëllim i saj, i nxjerrë në publik prej meje, mund të marrë një lexim politik, më saktë të politizuar. Fraza e fundit, ku shprehet urimi që “vetëm ngjarje të tilla në favor të qytetarëve të dëgjojmë çdo ditë”, e thënë privatisht nuk merr asnjë ngarkesë politike (zonja V është në rregull; ajo privatisht e ka bërë këtë punë), por e thënë faqe botës (këtë “të pabërë” po e bëj unë) merr trajtën e një propagande. Mirëpo nuk është se më intereson, apo më bezdis, ky lexim. Kjo është e para. Së dyti, unë nuk e di se çfarë po ndodh konkretisht andej nga “ndërmarrja” e Artan Lames, nuk kam ide nëse ai po punon mirë apo keq (që ai e ka marrë me pasion atë punë, këtë e di; edhe po të mos e dija, do ta merrja me mend), nuk di nëse hareja e zonjës V. është thjesht një ngjarje individuale, apo ndahet nga shumë njerëz të tjerë, nuk e di nëse procesi i legalizimit, kështu si po e bëjnë socialistët, është pikërisht gjëja që duhet bërë, nuk e di më në fund, nëse ky proces po kryhet mbi bazën e premtimeve të bëra gjatë fushatës. Por më vjen mirë që diçka është duke u bërë, e që në këtë mes po mbaron koha e pritjes për një numër familjesh shqiptare të mbetura pengje të llogarive politike e elektorale të njerëzve me pushtet. Së treti, këtë shënim të zonjës po ua sjell thjesht për të kompletuar një kronikë, që ka zënë fill me një “letër” të saj e që mbyllet po me një “letër” të saj.