Po “lu” diçka; Hahn: PD, brenda sistemit
Orë intensive në prapaskenë për opozitën. Pas kryeministrit, edhe Partia Demokratike i përgjigjet menjëherë një thirrjeje të beftë të Presidentit në ikje Nishani, për një tryezë politike për zgjidhjen e krizës.
Më herët, Fatmir Mediu takohet me ambasadorin amerikan Donald Lu. Ndërkohë, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami arrijnë fitoren e parë. Lulzim Basha thërret mbledhjen e munguar të grupit parlamentar.
Mbledhja është kërkuar jo vetëm nga deputetët kritikë ndaj Lulzim Bashës, por edhe përfaqësues të Bashkimit Europian. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn dhe Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Joseph Dol. Me të tre këta zyrtarë, Basha ka patur dje dhe sot biseda të vështira telefonike. Ata kanë kërkuar që të jenë të pranishëm me një “video-call” në mbledhjen e Partisë Demokratike. Kësaj kërkese, sipas burimeve të Partisë Demokratike, Basha i ka bërë rezistencë fillimisht, por më pas ka pranuar.
Sipas burimeve të Top Channel, zoti Dol ka pyetur Bashën nëse është i gatshëm të pranojë kërkesat e David McAllister dhe Basha nuk e ka refuzuar si më parë këtë kërkesë. Në këtë mbledhje, përveç Josef Dol, i cili është i interesuar nëse PD është e hapur për paketën McAllister, Johannes Hahn ka kërkuar angazhimin e kësaj partie brenda “establishment”-it politik.
“Kjo është mënyra për të luftuar drogën”, mësohet të ketë thënë Hahn në një videokonferencë me grupin.
Lulzim Basha pati bërë një deklaratë të fortë në çadër, në mesditë, ku u duke se shuajti shpresat për një zgjidhje përfundimtare, ndoshta dhe ndërkombëtare: “Kanë bërë gjithçka këto 74 ditë për të na shkurajuar, për të na përçarë, për të na trembur, për të na shitur e për të na blerë, por kanë dështuar. As shqiptarë apo të huaj nuk mund të më kërkojnë pazar me Edi Ramën për stabilitet pa demokraci, duhet ta kuptojnë se ajo që ka lindur më 18 shkurt është më e madhe se PD është më e madhe se opozita, është më e madhe se Lulzim Basha, është e madhe sa Shqipëria dhe shqiptarët. E diela është ditë e madhe për lëvizjen tonë”, u shpreh kreu i opozitës.
Lulzim Basha e mbajti ketë qëndrim, ndërkohë që ambasadori amerikan, Donald Lu ishte në një takim me kryerepublikanin Fatmir Mediu në një përpjekje të re për dialog. “Unë mendoj se gjithmonë ka shanse për dialog sa kohë jemi të përgjegjshëm që duhet të bëjmë më të mirën për vendin dhe jo për interesa jo normale të pushtetit”, tha Mediu.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u shpreh kështu sot, gjatë një takimi në Elbasan me të rinjtë që votojnë për herë të parë: “Do të bëjmë çmos, deri në sekondën e fundit, që arsyeja të triumfojë mbi frikën nga drejtësia dhe Partia Demokratike të marrë pjesë në zgjedhje. Por, që të jenë në zgjedhje, duhet të votojnë vetting-un fillimisht”.
Kur kriza politike në vend po kalon çdo parashikim dhe zgjidhja duket shumë larg, Presidenti Bujar Nishani edhe një herë ka bërë thirrje për gjetjen e zgjidhjes, duke ofruar dhe gatishmërinë e institucionit të tij. Në deklaratën e Presidencës thuhet se: “Presidenti i Republikës,Bujar Nishani po ndjek me shumë shqetësim përmasat që po merr kriza politike në vend. Ndaj edhe njëherë i kërkon Kryeministrit të vendit dhe Liderit të Opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin. Presidenti Nishani ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu”.
Pak minuta më pas, kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se ishte gati të ulej me Lulzim Bashën. Më tej, ishte koalicioni opozitar ai që mirëpriti ftesën e Presidentit Bujar Nishani për dialog, në funksion të zgjidhjes së krizës së rëndë politike që ka mbërthyer Shqipërinë. Për të dalë në këtë qëndrim, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka qenë në zyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kjo ishte koha kur u shpërnda njoftimi se do të ketë mbledhje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.