Po t’kish burrni Berisha do thoshte: Hetomëni dhe mua!
ANDREA STEFANI
Tashmë të gjithë e dinë se ish-kryeministri Sali Berisha është koka e tragjedisë së 21 janarit ku u vranë 4 protestues të pafajshëm. Të gjithë të tjerët të përfshirë në këtë krim kanë zbatuar, edhe pse kundërligjshëm, urdhrat e Berishës, duke iu nënshtruar arrogancës dhe tërbimit të tij autokratik. Por për asnjë çudi, sepse ka vite që ndodh rëndom në Shqipëri, kryefajtori mbetet i pandëshkuar, ndërsa ata që janë thjesht vegla apo arma e krimit të frymëzuar prej tij, detyrohen të japin llogari para drejtësisë. Rrjedhimisht kallëzimi penal ndaj ish-drejtuesve të policisë, Burgaj dhe Kuliçaj, edhe pse i pashmangshëm, madje i dobishëm, përsëri të lë një shije të hidhur se po hetohet koburja dhe jo ai që përdori koburen.
***
Nuk dua të them se Kuliçaj dhe Burgaj nuk janë fajtorë. Duke mos pranuar të zbatojnë një urdhër ndalimi të lëshuar nga prokuroria për disa anëtarë të Gardës së Republikës, ata kanë shkelur ligjin, pra kanë bërë një shkelje të dënueshme nga ligji. Me refuzimin për të zbatuar një urdhër të prokurorisë, ata e kanë penguar atë në kryerjen e detyrës së saj në zbardhjen e autorëve të masakrës së 21 janarit. Vetëm kaq është e mjaftë që ata të hetohen dhe të gjykohen sipas ligjit. Gjykimi me drejtësi i këtij rasti është mirë të shndërrohet në precedent të ndëshkimit të zellit të pështirë prej skllavi për t’i shërbyer me fanatizëm liderit edhe duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën. Një zakon i shëmtuar i ngulitur si këpushë në trupin e administratës publike që thith pa reshtur gjakun dhe frymën e shtetit ligjor, ku askush nuk mund të veprojë dhe dalë mbi ligjin. I vetmi fanatizëm i lejuar në shtetin ligjor është ai ndaj ligjit. Ky fanatizëm është fryma e ligjit që ngrinte aq lart Monteskjë.
***
Por, ndërkaq, nuk mund të na shpëtojë nga shikimi edhe fakti që Burgaj dhe Kuliçaj kanë qenë edhe viktima të një organizimi piramidalo-autokratik, të cilit i kanë shërbyer duke u nënshtruar. Ata u janë nënshtruar kapriçiove dhe urdhrave të autokratit Berisha, që për të penguar hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, deklaroi publikisht se nuk do të lejonte ndalimin e disa drejtuesve të Gardës, me pretekstin se ajo do të mbetej pa komandim. E gjitha ishte një sofizëm banal nga ato që shpik Berisha sa herë bie vetë brenda në kurthet që ka ngritur për të tjerë. Burgaj dhe Kuliçaj, si drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ndodheshin mes dy urdhëresave. Njëra ishte ajo që vinte prej ligjit dhe që thotë se prokuroria është organi i hetimit në shtet dhe se kur ajo kërkon të ndalohet një person, policia duhet ta zbatojë pa asnjë hezitim urdhrin e dalë nga prokuroria. Urdhëresa tjetër vinte nga Kryeministri Sali Berisha, i cili këmbëngulte të mos zbatohet urdhri i prokurorisë. Në një shtet me pushtete të ndara nuk do të kish asnjë dyshim se policia do të zbatonte urdhëresën që buronte nga ligji dhe do të neglizhonte sugjerimet e kryeministrit, pavarësisht “arsyeve” që jepte ai. Por në Shqipëri, ku ndarja e pushteteve është vetëm në letër dhe jo në realitet, tradita dhe mënyra si “rregullohen” punët, të thonë t’i bindesh liderit dhe jo ligjit. Prandaj dhe drejtuesit e policisë, në atë kohë Burgaj dhe Kuliçaj, vendosën t’i binden jo ligjit, por Maliqit, pra, Saliut.
***
Kjo është një mënyrë të vepruari që ne e trashëgojmë nga partia shtet. Madje është edhe më keq. Sepse, në regjimin e Enver Hoxhës partia dhe vetë Tirani bënin kujdes që urdhrat që jepnin të mos binin në konflikt me ligjet në fuqi që vetë i kishin miratuar. Ligjet në fakt ishin shprehje e vullnetit apo gjakimeve të partisë dhe liderit në pushtet. T’i zbatoje ato ligje, në fakt, ishte të zbatoje vullnetin, kapriçion e autokratit, por njëherazi, po të mos i zbatoje, ishte fare e lehtë të ndëshkoheshe nga autokrati për moszbatim ligji. Kapriçioja e Tiranit dhe ligji ishin bërë një.
***
Sot, në sistemin që duam të ndërtojmë, ligjet nuk janë përherë të qepura sipas dëshirave apo epsheve të kryeministrave a presidentëve. Në këtë sistem nuk është ligji që i nënshtrohet vullnetit të kryeministrit, por kryeministri që dihet t’i nënshtrohet ligjit që përfaqëson vullnetin publik. Të marrësh përsipër t’u qëndrosh besnik epsheve të kryeministrave që shkojnë e vijnë, do të thotë të dhunosh ligjin në mënyrë permanente. Dhe mund ta bësh një krim të tillë me mendimin se Tirani është aq i fuqishëm dhe aq lart mbi ligjin sa do mund të të mbrojë edhe ty nga ndëshkimi i ligjit dhe drejtësia. Dhe kështu ka ndodhur në shumicën e rasteve në Shqipëri në këto dy e kusur dekada. Por ky është një model i shëmtuar që duhet të marrë fund. Sepse është embrioni i partisë shtet dhe kanceri i shtetit ligjor. Dhe që shteti të shpëtojë nga ky kancer duhet të ndëshkohen nga drejtësia abuzimet me postin si këto të kryera nga Kuliçaj dhe Burgaj që vlerësuan më shumë besnikërinë ndaj Berishës sesa ndaj ligjit dhe Kushtetutës. Por, ndëshkimi i krimit të 21 janarit nuk do të jetë asnjëherë i plotë nëse drejtësia do të mjaftohet me kaq, duke mos vënë para përgjegjësisë ligjore, frymëzuesin dhe nxitësin e akteve antiligjore, ish-kryeministrin Berisha. Në fakt, Berisha, po të qe burrë, nuk duhej t’i linte në fatin e tyre shërbyesit e tij që e shkelën ligjin pikërisht se ishin shërbyes të tij dhe jo të ligjit. Po të ishte burrë Berisha duhej t’i thoshte sot prokurorisë: Hetomëni mua të parin!