Policët italianë, javën tjetër; kontroll kufirit me Greqinë për terroristët
Policët italianë që do të monitorojnë kufirin tokësor shqiptar pritet të mbërrijnë në vendin tonë që javën e ardhshme.
Të parët që do t’i bashkohen policisë shqiptare janë instruktorët dhe më pas ekspertët. Fillimisht do të ketë furnizim me mjete më moderne për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit.
Duke e diskutuar edhe në nivelin teknik dhe jo vetëm atë politik bashkpunimin, ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano dhe ai i shqiptar Saimir Tahiri diskutuan edhe për detaje konkrete të mënyrës se si do monitorohet kufiri.
Ndërsa një pjesë e italianëve do të jenë në monitorimin e kufirit të gjelbër, të tjerë do të asistojnë në pikat e kalimit kufitar.
Gjithçka është për të parandaluar terorizmin. Kalimi i terroristëve të fshehur mes emigrantëve është një alarm i të gjithë shteteve të rajonit, por askush nuk ka deri më tani një informacion konkret se si do të depërtojnë drejt BE-së.
Ndaj Shqipëria iu drejtua një ndër partnerëve të saj me të cilin pati sukses në luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike. Takimi u krye vetëm një ditë pasi edhe Deprtamenti amerikan i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin serioz të Shqipërisë me Italinë.
Në këtë mënyrë, ekspertët shqiptarë të sigurisë mendojnë se do të bllokojnë çdo mundësi të kalimit individual të terroristëve nga Shqipëria.
Asistencën, sidomos atë të burimeve njerëzore, e kërkoi Ministria e Brendshme, e cila do që italianët, të cilët kanë një përvoje më të mirë në këtë fushë, të jenë për një kohë të pacaktuar prezent në kufijtë tokësorë shqiptarë.
Përsa i perket kufirit detar, ato kanë të bëjnë me një shkëmbim informacioni më të intensifikuar në ditët në vazhdim, ndërsa patrullimet e përbashkëta ka kohë që funksionojnë mes palëve.