Policia gjen 8 granata dore dhe mbi 2 mijë e 200 fishekë në dy objekte të pabanuara në Zubin Potok
Operacioni u zhvillua të martën në fshatrat Parucë dhe Ranqiq, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët; deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar.
Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në dy lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut, gjatë një operacioni të zhvilluar të martën. Siç njofton Policia në komunikatën që e përcjellin Indeksonline dhe Sinjali, kontrollet u kryen nga njësitë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët se në ato lokacione mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Në rastin e parë, në një objekt të pabanuar në fshatin Parucë, që shërbente si stallë për ushqimin e bagëtive, policia gjeti dhe sekuestroi 141 fishekë të armës së gjatë, 21 fishekë të armës së gjatë me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, katër granata dore, një tytë të pushkës së gjuetisë dhe 48 gëzhoja. Në të njëjtin lokacion u gjetën edhe një pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, sfera e kapëse për fishekët e gjuetisë, një maskë gazi ushtarake dhe një bajonetë ushtarake.
Ndërsa në fshatin Ranqiq, në një tjetër objekt të pabanuar, u gjetën një armë e shkurtër (pistoletë), katër granata dore dhe 2 mijë e 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Në të dy lokacionet u sekuestruan gjithsej tetë granata dore dhe 2 mijë e 220 fishekë.
Në vendin e ngjarjes dolën edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat i tërhoqën mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar. Sipas raportimit të Sinjalit, deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar, ndërsa Prokurori i Shtetit ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të raportojnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, në numrin emergjent 192.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.