Politika

Pollo: Nuk ka hapje negociatash para zgjedhjeve parlamentare

Shqipëria mori rekomandim me kushte për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, që sipas deputetit socialist, Taulant Balla, pjesë e komitetit të përbashkët Shqipër-BE në Bruksel, mund të ishte i pastër.
Duke folur në Top Story, Balla tha se nëse nuk do të ishte ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligji i Vettingut nga ana e Partisë Demokratike, rekomandimi i Komisionit për hapjen e negociatave të anëtarësimit do të ishte pa kushtëzime.
“Nëse PD nuk do kishte çuar Vettingun në Kushtetuese, rekomandimi do të ishte i pastër, pa kushtëzime”, deklaroi ai.
Deputeti socialist kujtoi amendamentin e propozuar nga opozita në Komitet.
“U kërkua zyrtarisht nga PD që paragrafi 2, ku Komiteti kërkon hapjen e negociatave të riformulohet duke hequr rekomandimin për hapjen e negociatave. Ishte një gabim, lërjani fajin aldos, por mos dilni ta mbroni më sepse ishte turp mënyra sesi u bë”, tha Balla.
Gjithashtu në Top Story, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha riktheksoi se Komisioni njohu progresin e bërë nga Shqipëria, sidomos në vitin e fundit e veçanërisht me reformën në drejtësi.
Lidhur me kushtet e vendosura për hapjen e negociatave, Gjosha tha se është një proces krejtësisht normal.
“Kriteret janë normale dhe në varësi të ecurisë dhe rezultateve të prekshme të reformës në drejtësi. Kjo është krejtësisht normale dhe askush nuk besoj që ka pritur që të mos përmendej nga Komisioni reforma në drejtësi kur dihet sesa është folur për të”, tha Gjosha.
Ministrja mohoi se mes kushteve janë edhe dekriminalizimi, kanabisi dhe zgjedhjet.
“Të gjitha këto përmenden në raportin e progresit, por nuk janë kushte. Kushtet janë të qarta”, u shpreh Gjosha.
Ndërkohë, të pranishëm në panel, deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Genc Pollo thanë se qëndrimi i mbajtur nga opozita atje nuk ka qenë kundër hapjes së negociatave.
“Është minimalisht një përshtypje e gabuar sikur PD ka qenë kundër. Dita e rekomandimit është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe për këtë ditë PD punoi për 8 vite rresht sa ishte në Qeveri. Rekomandimi që u bë nga Komisioni për të hapur negociatat është një vlerësim i jashtëzakonshëm për punën që kemi bërë ne gjatë kësaj kohe dhe kontributin e opozitës për reformën në drejtësi. Ne e sollëm atë reformë që nisi keq në normat kushtetuese. PD atë ditë festonte, ndaj përshtypja që PD apo opozita ka probleme me këtë, është falsitet i kuzhinës mediatike të Qeverisë”, deklaroi Bylykbashi.
Bylykbashi tha se kushtëzimin Brukselit ja ofron Qeveria duke përmendur këtu zgjedhjet, dekriminalizimin dhe kanabisin.
Genc Pollo tha se nuk pritej rekomandim pa kushte. Ai tha se nuk ka hapje negociatash para zgjedhjeve parlamentare.
Genc Pollo tha se nuk pritej rekomandim pa kushte. Ai tha se nuk ka hapje negociatash para zgjedhjeve parlamentare, ndërsa vlerësoi vendimin e Komisionit si inkurajim për vendin, por jo, sipas tij, për progresin real që ka bërë vendi.
“Kemi një situatë anormale të drogës dhe në këtë rrethanë Komisioni bën një rekomandim me kushte. Komisioni Europian dhe vendet anëtare janë të shqetësuara për këtë. Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë me progresin e brendshëm të Shqipërisë, por ishte një vendim për të inkurajuar vendin”, u shpreh ai.
Bylykbashi tha se PD mbështetj hapjen e negociatave, por iu referua një togfjalëshi të përdorur nga Ditmir Bushati në 2011,  për një ‘masë kritike’ kushtesh. Ai u shpreh i bindur se negociatat do të bëhen me Partinë Demokratike në pushtet.
“Duhet të hapen negociatat, por duhet plotësuar ajo masa kritike e kushteve. Së pari, të mos kesh kriminelë në parlament dhe qeveri, të mos kesh këtë drogëm që ke sot, të plotësosh kriteret e OSBE/ODIHR për zgjedhjet dhe korrupsioni. Vendimi merret nga Këshilli, do të jetë një ditë e rëndësishme për shqiptarët, por negociatat do t’i bëjmë ne”, deklaroi deputeti demokrat.
Taulant Balla kërkoi që të paktën ngë çështjet e integrimit, politika shqiptare të bëhej bashkë, ndërsa Genc Pollo e cilëson pozitive trysninë ndërkombëtare dhe në këtë kuadër sheh edhe kushtet e vendosura.
Në fund, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha se data është elementi më i parëndësishëm në gjithë këtë proces.
“Data është pjesa më e parëndësishme. Procesi në vetvete është jetik për vendin. Të mos harrojmë që Komisioni rekomandon hapjen e negociatave në kohën më të vështirë të integrimit, kur nuk diskutohet fare zgjerimi”, u shpreh ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button