Populli i votave, jo i zgjedhjeve
NDUE DEDAJ
“A jemi ne popull?”, pyeste në mënyrë retorike një miku ynë në një nga pasditet e mbushura me politikë kafenesh, pasi politikën për brirësh shesheve e tribunave e kanë kapur shefat e partive dhe kandidatët për kryetarë bashkish. Jo jemi, jo s’jemi popull e grishnin bisedën bashkëbiseduesit e tjerë. Zgjedhjet e 21 qershorit kanë zgjuar debatin, nëse publiku te ne është me të vërtet zgjedhës. Zor se ndokush, sidomos liderët e palodhur populistë, mund të na bindin se populli është sovrani i votës, për rrjedhojë dhe i republikës. Populli te ne nuk zgjedh mes alternativave, kurrfarë alternative ndryshe nuk ka një parti nga tjetra, njeriu thjesht voton atë emër që i çohet në kutinë e votimit. Dhe jo vetëm populli që nuk zgjedh, por nuk zgjedh as partia, nuk zgjedhin strukturat drejtuese të PS-së, PD-së, LSI-së, ato nuk i pyet kush dhe në u mbledhshin ndonjëherë, shpërfillja e krerëve i ka shndërruar në një rudiment të demokracisë. Forumet partiake janë veçse lista të gjata apo të shkurtra individësh, u rroftë “fotografia” e ditës së parë, ku të zgjedhurit janë sup më sup. Jo, në Shqipëri vendosin vetëm dy apo tre vetë për ata që do të ngjiten apo do të ulen në karrierë. Të tjerët mbetet t’i nënshtrohen vullnetit të “Enverit” ndarë në dy-tri pjesë. Shihni këto zgjedhje, kush u pyet në bazë, për kë? As nuk u pyet, as nuk u dëgjua kush. Mbi të gjitha kush e analizoi punën e kryer për 4, 8, 12 apo 16 vjet të iksit në krye të bashkisë apo komunës ypsilon për ta kandiduar apo moskandiduar? Doli ajo teoria me demek e sondazheve, që paskan bërë udhëheqësit në terren. Kjo është më shumë një legjendë urbane, sa për t’u hedhur hi syve strukturave dhe publikut.
Psikologjia e njëshit te ne është ajo e supermenit politik, që e njeh veten për të plotfuqishëm në partinë e tij dhe në Shqipëri dhe një lideri të tillë me mendësi mundësi kuptohet që i intereson një skuadër mundësish (me gjithë respektin për këtë sport) në përballjen me kundërshtarin politik, thënë ndryshe, dikush që siguron votat me çdo kusht dhe asgjë më shumë. Mbi të gjitha nuk ka pyetur askush nëse kandidati është intelektual i mirëfilltë apo jo. Madje, duket sikur është synuar sa më pak i tillë. Po është edhe tjetra, kandidat të varfër nuk mund të ketë më, harrojeni, kandidati lypet ta përballojë vetë fushatën, pra ta ketë xhepin plot, e nëse nuk e ka buxhetin e nevojshëm, ka kredi në bankë, apo “kreditim” nga ata që mendojnë se do ta (për)fitojnë nesër humbjen financiare të sotme. Të gjitha këto përfliten në popull po nuk thuhen açik në media e publik. Është tabu të flasësh për këto skaje të hidhura të së vërtetës elektorale, që ndonjë parti i ka fort për zemër. I “fortë”, me shumë parà dhe i besuar, ky është trekëndëshi i detyrueshëm për të kandiduar në zonat e nxehta. Se cili sondazh i tha kryesocialistit Rama se në Durrës duhej rikandiduar për të tretën herë Dako, kur sivëllezërit e tij të Gjirokastrës, Beratit e të tjerë me nga tre mandate ikën dhe mirë u bë? Cili sondazh i tha kryedemokratit Basha se në Kamzë duhej të kandidohej patjetër për të tretën herë i pazëvendësueshmi Mziu, për më tepër me një proces penal në gjykatë? E kështu mund të vazhdohet me kandidatë të tjerë të debatuar nga publiku, nga qendra në periferi, ku për të gjithë është e papranueshme trashëgimia e pushtetit nga të njëjtët individë, si majtas, si djathtas. Është e habitshme se si në Shqipëri askush nuk bën llogari se sa konsumim ka pësuar nga ushtrimi i pushtetit ky apo ai kryetar, le pastaj sa abuzues ka qenë me fondet publike, duket sikur ka një dorë njerëzish të “lindur” për pushtet, për të mos i zbritur kurrë kalit të tij. Të pazëvendësueshëm të regjimit, njëlloj si dje kur disa kuadro të rangut të mesëm shëtiteshin nga njëri rreth në tjetrin, gjithmonë sekretarë të parë e kryetarë komitetesh. Sot dallimi është se i marrin nga një komunë pas dy a tre mandatesh dhe i gradojnë në qendër të rrethit, për të qeverisur atë që quhet bashkia e madhe, kur nuk ishin të zotët as për atë të voglën. Vota dhe vetëm vota është i vetmi “kriter”, po munde me mbledh vota, ia ke zbardhur faqen partisë. Punë e madhe se kush je e sa vlen për komunitetin. (Për analogji, si ato firmat e stërvitura që i “fitojnë” vazhdimisht tenderët!) Në rrallë ndonjë përballje elektorale të ngjit syri për mirë, si në Fier, ku të dy partitë kanë kandiduar emra të spikatur, Alibeaj dhe Subashi, me të vetmin “defekt” që të dy janë importuar nga Tirana. Ndërkohë që gjëja më pozitive kësaj here ka qenë kandidimi i jo pak femrave për kryetare bashkie, si për të thënë se ky “log” nuk është më vetëm i burrave.
Por nuk është vetëm faza e përzgjedhjes së kandidatëve ajo që të bind se populli në këtë vend është gjëja më formale. I keni vënë re takimet elektorale paraprake të kandidatëve në bazë, që shpesh quhen dëgjesa të elektoratit? Kush flet e mbizotëron në to? Sa për garniturë flasin dy a tre votues, zakonisht nëpunës, që thurin lavde për kandidatin si për një yll që do të ndrisë sa për njëzet e pesë vite tranzicion së bashku dhe pastaj fjalën e merr shefi partiak që nuk e lëshon mikrofonin për një orë e gjysmë. Të tjerët vetëm e dëgjojnë këtë oratori uniforme, nga njëri podium te tjetri, kur kandidati sokëllin se do ta mund 8 me 2 kundërshtarin, si të jenë duke luajtur futboll çunat e lagjes. Kaq shumë fjalë nga ana e tyre, kaq shumë premtime, gjer stratosferike dhe ata që dëgjojnë shohin atë çast ëndrra me sy hapur. Bie në sy veçanërisht stili shpërfillës i Kryeministrit ndaj kandidatëve të opozitës, që gjithandej i rezultojnë “të lodhur” dhe pa akses me qeverinë kombëtare. Vota! Vota! Vota! Kjo është thirrja e ditës. A je burrë që mbledh vota? E kush ua ka ngenë fjalëve të urta “Mos i shiko gunën, por shikoi punën”. Ngjajnë të vjetruara shprehje të tilla. Ashtu si kurrkush nuk bën pyetje të vështira për kandidatët. Habitesh sa lehtë merren këto punë ndër ne, duke u kujtuar se si janë përballur në publik me pyetje “bombë” sendërtuesit e demokracisë parlamentare europiane, përfshi dhe gratë kandiduese ndër të parat, si Margaret Theçër në fundin e viteve ’50 etj. Njerëzit janë të pakënaqur me udhëheqësit e tyre, po s’kanë ç’bëjnë. Të pakënaqur me kandidaturat, po s’kanë nga t’ia mbajnë. Është ndërkohë një kategori në dukje militante (që e fyen këtë emër), pas-shpinasit e kandidatëve, që nuk kanë ideal, por kërkojnë tollovi zgjedhore për përfitime vetjake, një specie e degraduar në këto njëzet e pesë vite, që jo vetëm nuk po flaket, po diku-diku sa vjen e bëhet më e kërkuar në gjirizet e politikës.
Kthehemi te fillimi. A jemi ne popull? Nuk jemi përderisa nuk kemi arritur ta refuzojmë politikën e keqe, aq më tepër atë keqbërëse. Nuk e kemi moderuar dhe pastruar nga korrupsioni. Ka kandidatë që e kanë blerë herët e vonë kandidimin. Kërkohet test profesional për mësuesin e mjekun, po jo për kryebashkiakun. Ai mjafton që është besnik i kryetarit të partisë, të tjerat nuk kanë rëndësi. E kur nuk funksionon konkurrimi real për “qytetarin e parë”, kush i merr seriozisht konkurrimet e tjera në administratën publike? Pashpinasit janë më të (pa)përshtatshmit për të shërbyer nëpër zyrat e shtetit dhe bordet e krimbura në lekë. Si duket jemi ende herët për të kërkuar një tjetër qasje zgjedhore nga kjo e sotmja. Nëse reforma ka bërë mirë që ka shkurtuar numrin e njësive vendore letargjike nëpër Shqipëri, nuk ia ka dalë mbanë të vërë në garë elitën e politikës. Paçka se sa u intereson drejtuesve të partive ta pranojnë, ka një krizë të elitës politike shqiptare, e cila dhe aty ku është nuk përfillet, as për deputetë, as për kryebashkiakë, as për poste të tjera. Vetë socialistët e demokratët shprehën me shqetësim se lidershipet sillen e përsillen rreth disa individëve pa ndonjë spikatje publike, por që partia i ka si asin nën mëngë për ditë të vështira. Janë bijtë e etur për pushtet të tranzicionit, që u ka ecur fati. Nuk shkohet përtej tyre, sidomos nuk hidhen sytë nga ata që “na qesin punë” dhe kur janë tanët. Plëngprishësit nuk bën as të prishin humorin e të mëdhenjve, jo më të shpallin programe alternative të qeverisjes vendore etj.
Në 122 kandidatët e dy koalicioneve për kryebashkiakë ka të mplakur elektoralisht dhe të parakohshëm, natyrisht dhe figura publike të merituara. Çdo gjë ka kuptim, kandidatët dinjitozë të reflektojnë qytetari, të vonuarit të digjen e të rinjtë të rriten, por në këtë laryshi kandidimesh ata që nuk duhet të fitojnë janë të fortit e partive, besnikët e orëve të para dhe listave të fundit, që thellë-thellë askush nuk i do, por politika e partive nuk bën pa ta, dhe pse e kaluara e tyre nuk është pa hije të krimit të votës dhe korrupsionit.