Porti i Durrësit, mallra me anije në 60 porte të botës
Gjatë vitit 2014, porti i Durrësit ka patur kontakte me rreth 60 porte në të gjithë globin. Anijet tregtare kanë transportuar afro 1.7 milion ton mallra gjithsej, pa përfshirë transportin e mallrave me kontejnerë apo me tragete. Anijet kanë lundruar në portet e 20 vendeve, duke përfshirë edhe SHBA.
Shkëmbimet tregtare nga Durrësi kryhen me më shumë se 15 porte të Italisë, që zë vendin e parë për nga numri I porteve, megjithëse vëllimi më I madh i mallrave me anije realizohet me Rusinë, më shumë se 340 mijë ton.
Sipas të dhënave të sektorit të statistikave portuale, sasia më e madhe e mallrave për eksport është nisur me anije drejt porteve të Egjiptit, ndërsa importet më të mëdha i përkasin Rusisë.
Burimet bëjnë me dije se gjatë vitit 2014 në portet e Dekhelias, Damietas, Aleksandrisë dhe Port Saidit (Egjipt) janë shkarkuar më shumë se 235 mijë ton mallra shqiptare, kryesisht klinker lëndë e parë për prodhimin e çimentos. Nga Durrësi drejt Libisë janë nisur afro 170 mijë ton mallra, ndërsa 159 mijë ton mallra të tjera drejt porteve të Turqisë. 111 mijë ton mallra kanë patur si destinacion tre porte të Kinës. Në vendin e pestë ndodhet Italia, në portet e së cilës kanë mbërritur me anije tregtare 34 mijë ton mallra shqiptare.
Rusia, Turqia dhe Ukraina janë tre vendet e para nga portet e së cilës nisen drejt vendit tonë mallrat e importit. Rusia zë vendin e parë, me afro 340 mijë ton mallra, kryesisht grurë. Turqia dhe Ukraina kanë sjellë në Durrës gjatë vitit të kaluar përkatësisht 143 mijë dhe 78 mijë ton mallrat ë ndryshme.