Presidenca dhe Bashkia e Tiranës, strehët e punësimeve për të larguarit nga qeveria “Berisha”
Zbardhen këshilltarët e rinj të Nishanit, diplomatë të shkarkuar dhe ish-drejtorë
Nga Artemisa Hoxha
Dy prej institucioneve më të rëndësishme në vend, siç janë Presidenca dhe Bashkia e Tiranës, duket se janë kthyer në strehët kryesorë të ish-drejtuesve pas largimit të PD-së nga drejtimi i qeverisë për tetë vite me radhë. Kështu, përveç disa rasteve që tashmë dihen, siç është rasti i ish-sekretarit të përgjithshëm në Kryeministri gjatë qeverisjes së djathtë, Gjergj Lezhja, i cili aktualisht është këshilltari për çështjet e sigurisë në Presidencë, raste të emërimeve të tilla janë shtuar për këtë institucion. Një emërim që është bërë së fundmi në kabinetin e Presidencës, është pikërisht dhe ai i djalit të Preç Zogajt, ish-aleati i PS-së, Besian Zogaj, i cili është këshilltar për diplomacinë e kreut të shtetit, Bujar Nishani. Së fundmi, një tjetër emër që ka zënë një vend pune në Presidencë, është ai i ish-ambasadorit Flamur Gashi, i cili është shkarkuar si ambasador i Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë pas propozimit të ministrit aktual të Jashtëm për lirimin e Gashit nga detyra. Ndërkohë që në Presidencë, si ndihmëse ligjore, është edhe ish-avokatja e shtetit gjatë qeverisjes së djathtë, Ledina Mandia, e cila së fundmi ka përfaqësuar institucionin e Presidencës në Gjykatën Kushtetuese për mbrojtjen e ankimit të ligjit për Këshillin e lartë të Drejtësisë. Një tjetër emër i ish-qeverisë së djathtë është dhe ajo e bashkëshortes së ish-ministrit të Jashtëm, Aldo Bumçi, Ilda Zhulali, e cila për vite me radhë, gjatë qeverisë “Berisha”, mbante postin e drejtoreshës së përgjithshme për çështjet europiane në MPJ. Pjesë e kabinetit të Presidencës në postin e këshilltarit, është edhe djali i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Olsi Kristo, i cili mban postin e këshilltarit ligjor të Presidentit. Gjithashtu, si një strehë, Presidenca ka shërbyer për të punësuar edhe ish-këshilltarin për pushtetin lokal gjatë qeverisë së Berishës, Ylli Asllani, i cili mban tashmë postin e këshilltarit të Presidentit po për pushtetin lokal. Ky emërim, si dhe ai i këshilltarit për sigurinë kombëtare, kanë qenë dhe dy emërimet e kreut të shtetit që janë shoqëruar edhe me reagime të ashpra politike nga radhët e mazhorancës. Edhe këshilltari për trashëgiminë kulturore, Olsi Lafe, vjen nga radhët e posteve të larta drejtuese që ka mbajtur gjatë qeverisë së djathtë, i cili për shumë vite ka qenë drejtor i trashëgimisë kulturore, në Ministrinë e Kulturës.
Ish-drejtori – Këshilltari për trashëgiminë kulturore, Olsi Lafe, vjen nga radhët e posteve të larta drejtuese që ka mbajtur gjatë qeverisjes së djathtë
Bashkia – Administratori i Bashkisë së Tiranës, Etion Kapedani, është një prurje e Lulzim Bashës, i cili ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme
Ndryshimet
Sipas burimeve pranë Presidencës, mësohet se faqja zyrtare e këtij institucioni pritet të ketë ndryshime, duke sjellë në këtë mënyrë edhe deklarimin e këshilltarëve që kanë ndryshuar apo dhe që janë shtuar në kabinetin e Presidentit. Mësohet se këshilltari i ri diplomatik i Presidentit Bujar Nishani, është Valter Ibrahimi, i cili ka zëvendësuar Besnik Konçin. Ibrahimi më parë ka qenë ambasador në Gjermani. Por edhe pse nuk është shkruar në faqen zyrtare të këtij institucioni, këshilltar diplomatik i Presidentit është caktuar të jetë dhe djali i Prec Zogajt, Besian Zogaj. Një tjetër emër që nuk është shfaqur në faqen zyrtare është dhe ai i studiuesit Ndriçim Kulla, i cili është në postin e këshilltarit të jashtëm për kulturën.
Bashkia e Tiranës
Me të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me ish-qeveritarët e kabinetit Berisha, të cilët në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe pas tyre, destinacion të punësimit kishin pikërisht Bashkinë e Tiranës, që drejtohet nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Një shembull i tillë është emërimi i ish-zëvendësministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, si nënkryetar i bashkisë, i cili do të zëvendësonte më 30 shtator të vitit të kaluar Jorida Tabakun, e cila do të merrte mandatin e deputetes në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, edhe nënkryetarja tjetër e bashkisë, Nevila Xhindi, e cila iu bashkua stafit të Bashës në nëntorin e vitit të kaluar, për më shumë se një vit do të kryente detyrën e koordinatores së qeverisë “Berisha” për ndihmën e huaj. Ndërkaq, edhe drejtoresha e kabinetit në Bashkinë e Tiranë, Greta Deljani, në zgjedhjet e 30 shtatorit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, do të zgjidhej edhe anëtare e Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Po ashtu, edhe administratori i Bashkisë së Tiranës, Etion Kapedani, është një prurje e vetë Lulzim Bashës, i cili nga Ministria e Brendshme, ku Kapedani ishte sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie, do t’i bashkohej stafit të ngushtë të Bashës në bashki. Gjithashtu, Kapedani tashmë është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Pjesë e stafit të ngushtë të Berishës, por edhe e Ramës për pak muaj, pasi u zëvendësua në detyrën e kryeinspektores së Inspektoratit Qendror nga Ilir Zela, ka qenë dhe Mimoza Hajdarmataj. Edhe Herion Lahi, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, më parë ka kryer detyra në administratën “Berisha”, si drejtor i kabinetit të ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.
Peleshi: Të zhbëjmë padrejtësinë e instaluar për vjedhësit e dritave
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka ndjekur dje nga afër një nga aksionet OSHEE-së, në një nga zonat e Tiranës për ndërprerjen e vjedhjes së energjisë, ku tha se sfida me energjinë është madhore, ndaj kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, së pari për të përçuar te qytetarët mesazhin se secili duhet të paguajë energjinë që konsumon. “Duhet zhbërë padrejtësia e instaluar në vite në dëm të atyre që e paguajnë energjinë elektrike”, deklaroi zëvendëskryeministri. Duke u ndalur në protestën e organizuar dy ditë më parë nga PD-ja, numri dy i qeverisë deklaroi se “për përfaqësuesit e qeverisë, në deklarimin e parë mediatik për protestën e opozitës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në të, ajo që bëri Partia Demokratike një ditë më parë, vetëm një vit pasi është larguar nga pushteti, ishte populizëm. Çdo qeveri ka dy rrugë: ose të jetë një qeveri e masave populiste, e koncesioneve dhe faljeve, ose të jetë një qeveri e reformave”, tha ai.