Politika

“Presidenti, jo nga kuvendi”/ Rama ndërpret ëndrrën për deputetët, majtas e djathtas

Kryeministri Edi Rama është ndjekës i rregullt i Netflix, por në parlamentin ku ai kontrollon shumicën, ai nuk ka nevoje të flasë për ndonjë serial politik. Mjaft të tregojë përvojat e tij, kryesisht te dështuara, për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Socialistëve, u mungon një president prej çerek shekulli, por kryeministri i zhgënjeu sot. Tradita e një presidenti jo të majtë do të vazhdojë.

“E kemi detyrim ndaj vendit, që t’i japim mundësisht një president i cili nuk duhet të jetë njëri nga ne që jemi këtu, nga ju jo e jo kuptohet, por as nga ne që jemi këtu dhe patjetër kemi dhe një detyrim që sidoqoftë pavarësisht se në këtë derexhe ku jeni katandisur”.- tha Rama sot në parlament.

Ky qëndrim i  kryeministrit nëse nuk do të ndryshojë në ditët e ardhshme, ia shuajti shpresat aspirantëve të vjetër e të rinj brenda PS-s për tu bërë president.  Sikurse dogji propozimet e deputetëve të tij shumica të cilëve sytë i kishin nga besnikja dhe katolikja  Lindita Nikolla.

Por ka një gjë që kryeministri nuk e ndalon dot.

Sindromën presidenciale.

Ethet e vetëkandidimeve për kryetar shteti, kanë kapur, portalet, fejsbukun dhe kanë kapërcyer oqeanet.

Nga përtej atlantikut, shoqata Vatra ka mbështetur Dritan Demirajn, kolonelin që u bë ministër në 2017.

Tregtarët italiane, kërkojnë Përparim Kalon.

Elena Kocaqi flet për sakrificën që është  gati ta nisë nga ‘Facebooku’, e ta mbarojë në presidencë.

Elena Kocaqi: Kemi që në kohën e mbretëreshës Teutë që nuk kemi patur një presidente të mirëfilltë femër në krye të shtetit. Dua të jem jo vetëm presidentja e Shqipërisë por e të gjithë shqiptarëve.

Por ka dhe nga ata qe sfidën nuk e kane me Ilir Metën, por me Volodymir Zelensky.

Gernard Hajdini: Kisha dëshirë të bëja edhe gjëra të tjera si gala party, në vënd që të shpërndaja vetëm dekorata. Jo ta kthejmë në disko por gala party për disa gjëra serioze.

I pari dhe më origjinali Genard Hajdini. Ish student në SHBA, i cili u bë i famshëm me komentet dhe analizën e tij gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale amerikane duke u kthyer në mbështetësin e zjarrtë të Trump. Në kushtet kur Trump humbi Genardi kërkon të triumfojë drejt presidencës shqiptare duke ndjekur moton “Kap Momentin”.

Njëri më serioz se tjetri por të bindur me veten e tyre se ata janë të duhurit për ti a bërë më të lehtë e pa lodhje Edi Ramës gjetjen e kandidaturës për president.

Amerikanët mund të kenë dëshirë  për naltmadhninë e re, por nëse Edi Rama mendonte se shpëtoi nga ai që e quante Naltmadhnia i parlamentit ish deputeti Kujtim Gjuzi është gabuar.

Zoti Gjuzi një konkurrent i fortë i avokat Ngjelës për Londrën dhe Churchillin, pasi shkëlqeu ne parlament me batuta inteligjente me kryeministrin tonë modest, tashmë ka ambicien të jetë një shkallë më sipër mbi Ramën në hirarkinë shtetërore të Republikës.

Kujtim Gjuzi: Për shembull nëse do kishim presidentin Putin unë ju sjell një fakt, ai ushqehet me vezët e shqiponjave.

Por kryeministri i apasionuar pas gradaçelave, sot ka përballe edhe një ambientalist të thekur. Ai është Selami Jenisheri ish deputeti listës Basha, i cili udhëton vetëm me biçikletë dhe thotë se ka edhe besimin e pensionistëve.

Jenisheri: Mund të pranoj kandidaturën për president të Republikës, meqënëse kam verifikuar dhe konstatuar që jam deputeti më i pakonkushëm.

Selami Jenisheri nuk është i vetmi në aleancën serioze dhe jeshile të kandidatëve për kryetar shteti. Sazan Guri tashmë e ka nisur fushatën e tij presidenciale në rrjetet sociale. Ai thotë se do të shkojë në presidencë  ti  mësojë  të pamësuarve, atë çfarë mund të ndodh, duke i dhënë vendimmarrësve arsye sesi mund ta rregullojnë atë që ndodh.

Sazan Guri: Kandidova për të bërë një model të një figure që e mbushja me figurën e Sazanit.

Një top talk i vërtetë. Tani tema e emrit me shumë sesa e presidentit ka kapur të gjithë shoqërinë civile. Dhe atë ushtarake.

Kemi bërë një  propozim zyrtar për zotin Kujtim Çako dhe është depozituar në sekretarinë tuaj.

Telenovela presidenciale 2022 ka hyrë në fazën më interesante. Të propozuar, të vetë ofruar, te mbyllur ne zarfe, por më shumë në sirtarët e ëndrrave të një liste shumëngjyrëshe personazhesh. Të paktën sot Edi Rama i beri një nder socialisteve. E hoqi delirin presidencial, nga selia blu dhe selia roze. Si në një  anekdotë të  famshme: Nuk ka rëndësi ta kesh vetë. Rëndësi ka ti heqësh lopën komshiut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button