Ekonomia

Presidenti Nishani dekreton Genti Sejkon për Guvernator të Bankës së Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i propozon Kuvendit zgjedhjen e Genti Sejkos për postin e Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.

sejko_nishani

Dekreti i presidentit, që pritet të kalojë për votim në Kuvend, është arsyetuar me përvojën menaxheriale, formimin e lartë profesional, edukimin dhe integritetin moral të Genti Sejkos.

“Eksperienca mbi 20-vjeçare në funksione të ndryshme në sistemin bankar i kanë dhënë zotit Sejko njohje dhe ekspertizë të lartë për sistemin bankar shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Po kështu, edukimi dhe formimi i tij profesional në Shqipëri dhe në vendet e zhvilluara, si dhe integriteti i lartë moral që ka treguar përgjatë këtyre viteve, në vlerësimin tim, e bëjnë zotin Sejko një kandidat serioz që arrin standardet më të larta të kërkuara për funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”- thekson presidenti Nishani.

KUSH ËSHTË GENTI SEJKO

Genti Sejko ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Tiranë, përgjatë periudhës Shtator 1987 – Gusht 1991, ku është diplomuar për ekonomist industrie. Gjithashtu, zoti Sejko ka kryer studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc) të kryer pranë Universitetit të Glasgow-t, Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës, Skoci, Mbretëri e Bashkuar, përgjatë periudhës Shtator 1996 – Tetor 1997 ku ka mbrojtur temën e dizertacionit për: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.

Sejko ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë në periudhën 1993-1995 në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Inspektorit të Mbikëqyrjes, duke u angazhuar për ekzaminimin e bankave private apo Joint venture që operonin në Shqipëri.

Përgjatë periudhës Qershor – Gusht 1996, Zoti Sejko ka qënë pjesëmarrës në ekzaminimet e Bankave tregtare në SHBA, Iowa, Chicago, përkatësisht në Federal Reserve Bank, Departamenti i Mbikëqyrjes.

Përgjatë Tetor 1997 – Janar 1998 ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Kryeinspektorit të mbikëqyrjes, si përgjegjës për përgatitjen e raporteve të mbikëqyrjes bankare sipas sistemit CAMELS.

Sejko ka punuar pranë firmës DELOITTE & TOUCHE, në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000, si auditor i lartë dhe konsulent, ku ka mbuluar detyrën e përgjegjësit për menaxhimin e procesit të auditimit.

Në periudhën janar 2001 deri më gusht 2001 ka punuar në Bankën Amerikane të Shqipërisë si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm dhe Përputhshmërisë duke qenë përgjegjës për procesin e Kontrollit të Brendshëm të Bankës dhe për përputhshmërinë me kuadrin rregullator.

Sejko ka punuar për hapjen e degës së Bankës Amerikane në qytetin e Vlorës, në pozicionin e Drejtorit të kësaj dege në periudhën Shtator 2001 – Qershor 2002.

Në periudhën Qershor 2002- Qershor 2004, zoti Sejko është rikthyer të punojë pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e shefit të sektorit të ekzaminimeve në vend.

Zoti Sejko ka pasur eksperiencë pune pranë Bankës RAIFFEISEN në periudhën Korrik 2004 – Maj 2007 në pozicionin e Drejtorit të Divizionit të Auditimit të Brendshëm, Përputhshmëria dhe Marrëdhëniet me Qeverinë.

Në vijim, ka punuar në RAIFFEISEN LEASING. Sh.A., në periudhën qershor 2007 – nëntor 2008, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm.

Ndërsa në periudhën nëntor 2008 – korrik 2010 ka punuar si Drejtor i Divizionit të Korporatave pranë Bankës RAIFFEISEN BANK, ku krahas detyrave të poshtëshënuara ka qënë dhe Anetar i Komitetit të Kreditit të Bankës, Anëtar i Komitetit të Menaxhimit të Aktiv Pasiveve, Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Raiffeisen Leasing dhe Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Fondit të Pensioneve.

Korriku i vitit 2010 dhe aktualisht e gjen zotin Sejko në pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail dhe Rrjetit të Degëve, pranë Bankës “SOCIETE GENERALE ALBANIA” ku mbulon një seri detyrash dhe është anëtar i Komitetit të Menaxhimit të aktiv-pasiveve, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të SG Leasing dhe anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës.

PROCESI I SELEKSIONIMIT

Arjan Kadare, Genti Sejko dhe Nik Markola mbërritën në fund të procesit të seleksionimit nga ana e presidentit, të mbi 40 CV-ve të paraqitura në aplikimin online për Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore. Arjan Kadare është një emër i njohur në fushën e ekonomi-financës në vend. Ai aktualisht është pedagog në një institut privat në Tiranë dhe më herët ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Genti Sejko është zv/drejtor i një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Nik Markola është drejtor menaxher i “Field Point Bank& Trust Gree-nwich” në Nju Jork, SHBA.

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, zhvilloi ditë më parë konsultime me figurat kryesore të politikës Rama, Meta e Basha, për çështjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri të qartë se mazhoranca nuk ka një emër për postin e guvernatorit, por ka vullnet për të gjetur konsensus. “Natyrisht që ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të presidentit dhe shpresojmë dhe do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të Bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni. Është një proces vullnetmirë për të shkuar drejt konsensusit”, deklaroi Meta.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar katër takime me presidentin për çështjen e guvernatorit, ndërkohë që kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka zhvilluar dy takime për këtë çështje me kreun e shtetit.

Guvernatori i ri me mandat vetëm për katër vjet
Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë nuk do të konsumojë një mandate të plotë shtatë vjeçar në krye të këtij insitutcioni, por do të vijojë mandatin e lënë nga paraardhësi, Ardian Fullani. Ligji “për Bankën e Shqipërisë” përcakton se në rastet kur anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës lënë mandatin para kohe, zëvendësuesit e tyre plotësojnë vitet deri në kuotën e mandatit 7 vjeçar.

“1. Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët mund të japin dorëheqjen duke njoftuar me shkrim përpara jo më pak se tre muajve Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë. Çdo anëtar tjetër i Këshillit Mbikëqyrës mund të jape dorëheqjen duke njoftuar me shkrim përpara jo më pak se një muaj Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë. Çdo vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës do të plotësohet me emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikëqyrës, sipas dispozitave të nenit 44 të këtij ligji, i cili e ushtron këtë funksion brenda afatit të mbetur të anëtarit që ka zëvendësuar”, thuhet në nenin 48 të Bankës së Shqipërisë.

Konkretisht, Ardian Fullani u votua në Parlament për një mandat të dytë në 17 nëntor 2011. Kjo do të thotë se Guvernatori i ri do të vijojë mandatin deri në 16 nëntor 2018. Në të njëjtën kohë ai do të ketë të drejtë të kërkojë një mandat tjetër pas konsumimit të gjysmës së këtij mandati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button