Presidenciale

Presidenti Nishani takon kryetarin e Asamblesë së Katarit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadër të vizitës shtetërore në Shtetin e Katarit, ku e shoqërojnë dhe disa ministra të kabinetit qeveritar, u takua me Kryetarin e Asamblesë Konsultative të Shtetit të Katarit, Sheikun Muhamed Al Khulaifi.

presidenti-nishani-emiri-i-katarit-4Sipas njoftimit nga Presidenca, Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që Emiri dhe Shteti i Katarit i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, duke e mbështetur financiarisht dhe me projekte konkrete zhvillimin ekonomiko-social të vendit pas daljes nga izolimi i regjimit komunist, por edhe për nxitjen e investimeve të Katarit në Shqipëri.
Presidenti i Republikës ndërsa vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve vuri në dukje interesin e palës shqiptare për të bashkëpunuar në fushën e arsimit, ekonomisë dhe tregtisë, si dhe për thithjen e investimeve të Katarit në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, si transporti, infrastruktura, turizmi, bujqësia, energjia, etj., për të cilat duhet bashkëpunuar në identifikimin e projekteve dhe realizimin e tyre.
Nishani shprehu gjithashtu dhe mirënjohjen për kontributin e Emirit Baba të Katarit, si dhe të Shtetit të Katarit për mbështetjen e dhënë dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, si një kontribut shumë domethënës për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Shtetin e Katarit Presidenti Nishani u prit dhe nga Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Arsimin, Shkencën dhe Zhvillimin e Komunitetit, Saad Al Muhannadi. Ai u njoh me bashkëpunimin e këtij Fondacioni me Universitetet më të mira të botës në fusha të ndryshme, për të realizuar një strategji arsimi modern dhe kërkime shkencore të thelluara në Katar, sipas Vizionit Kombëtar 2030, ku rreth 2.8% e buxhetit vjetor të vendit i dedikohet shkencës dhe kërkimeve shkencore.
Gjatë bashkëbisedimit me Presidentin Saad Al Muhannadi, z. Nishani vlerësoi nevojën e shkëmbimit të eksperiencës në fushën e arsimit, si një bazë e nevojshme për shkëmbimet ndërkulturore mes dy vendeve.
Kreu i Shtetit gjithashtu, gjatë qëndrimit në këtë vend dekoroi Babain Emir të Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al-Thani me Dekoratën e “Flamurit Kombëtar” për mbështetjen e dhënë në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve; për mbështetjen e të drejtave të popullit shqiptar në Ballkan; për ndihmën e pakursyer në rimëkëmbjen ekonomike e sociale të Shqipërisë si dhe për nxitjen e investimeve direkte të Katarit në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button