Politika

Presidenti polak: Rritje me 60% e shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda u angazhua sot për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Bajram Begaj, pas takimit dypalësh  në Tiranë, Duda tha se, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, në vitin 2022, u rritën me 60 %, por se potenciali është për shumë më tepër.

“Shqipëria po zhvillohet në mënyrë dinamike nga ana ekonomike e nga ana infrastrukturore. E meriton të pranohet sa më shpejt në BE dhe anëtarësimi i saj është në interesin tonë dhe në atë të BE-së. E sigurova homologun Begaj për mbështetjen e Polonisë për këtë proces. Biseduam dhe për çështje ekonomike. Bashkë me mua Shqipërinë po e vizitojnë dhe një numër i madh sipërmarrësish polakë për të vendosur ura të reja bashkëpunimi dhe që do të jenë pjesë e forumit ekonomik Poloni-Shqipëri. Shpresoj të arrijnë kontrata të reja. Volumi tregtar mes dy vendeve në vitin 2022 shënoi rritje me 60 %. Nëse çdo vit do të kemi rritje me ritme të tilla, duhet të jemi të qetë për dinamikën e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve. Kemi potencial të jashtëzakonshëm. Në vlerë shkëmbimet tregtare në 2022 llogariten 200 milionë euro, por ato duhet të jenë shumë më të larta”, deklaroi Duda.

Më tej, ai theksoi se, kishte ftuar Shqipërinë të bashkëpunojë me vendet anëtare të 3 deteve.

“Që sot kemi shprehur dëshirën që Shqipëria të bashkëpunojë me vendet anëtare të 3 deteve, për infrastrukturën. Zhvillimi i infrastrukturës ishte arsyeja kryesore e krijimit të 3 deteve. Duke shkuar në drejtim të BE, Shqipëria të bashkëpunojë në drejtim të infrastrukturës me vendet e Evropës Qendrore dhe ato të BE-së, në mënyrë që në momentin e anëtarësimit të ketë një infrastrukturë të zhvilluar”, tha ai.

Duda vuri në dukej se, turizmi është një tjetër fushë bashkëpunimi, ndërsa vlerësoi se, gjithnjë e më shumë polakë po vizitojnë Shqipërinë, e cila ka çfarë të ofrojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button