Presidenti Topi pret përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dha sot pritjen tradicionale në ambientet e Presidencës me rastin e festave të fundvitit ku ishin të ftuar drejtues, gazetarë, analistë, studiues, administratorë dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare.
Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kryetari i Shtetit, duke u përcjellë të pranishmëve urimet më të mira, u shpreh:
“Përshëndetje!
Së pari ju uroj mirëseardhjen! Ndihem mjaft i gëzuar, njëkohësisht shumë i emocionuar që jam këtu së bashku me ju sot në një ritual të përvitshëm, në vigjilje të Vitit të Ri, me ju gazetarë të nderuar, përfaqësues të mediave, të cilët jeni bërë shumë të dashur për çdo familje shqiptare.
Në përfundim të një viti, dëshiroj t’ju falenderoj për komunikimin që kemi pasur së bashku! T’ju falenderoj për impenjimin e jashtëzakonshëm! Kam rastin të them sot që gjatë këtij viti, media shqiptare ka arritur një sukses të merituar në shumë dimensione. Së pari dëshiroj të nënvizoj përmirësimin e dukshëm të teknologjisë. Së bashku me teknologjinë kanë shkuar në sinkron edhe përmirësimi i ndjeshëm i përmbajtjes strukturore-programore. Nga ana tjetër, bashkë me këtë, kam parë dhe jo vetëm unë, sepse sot vendosem në pozicionin e përçuesit të një opinioni të gjerë, edhe rritjen e ndjeshme të cilësisë së programeve, cilësisë së gazetarëve. Ju jeni bërë përçues direktë jo vetëm të lajmeve, por të mjaft opinioneve që vijnë nga një pjesë elitare e shoqërisë. Realisht gjërat ndodhin në kohë dhe në hapësirë, por nëpërmjet teknologjisë që ju keni absorbuar duke bërë të mundur që të eliminohet kjo distancë në hapësirë dhe në kohë duke sjellë drejtpërdrejtë, në kohë reale lajmin që është jetik jo vetëm për qytetarët e thjeshtë, por për të gjitha institucionet.
Unë e kam thënë edhe herë tjetër, por po e përsëris edhe sot që ju jepni mundësi që atë informacion që institucionet duhet ta marrin në një rrugë tjetër, e cila ndoshta kërkon më shumë kohë, juve ta jepni drejtpërdrejt duke dhënë një ndihmë të vyer për çdo institucion në Shqipëri.
Sigurisht viti ka qenë mjaft i pasur, i ngarkuar, qoftë me ngjarje politike: ju keni qenë prezent jo vetëm duke e përcjellë lajmin politik, por edhe duke debatuar me opinione të ndryshme, duke u bërë ndoshta komplementarë të një situate, së cilës ndoshta i ka munguar ndonjëherë debati politik institucional.
Patjetër që ju keni përcjellë edhe situata, të cilat kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me fatkeqësi natyrore. Keni përcjellë momente të gëzuara sikurse ka qenë liberalizimi i vizave duke u bërë pjesë problemike e gëzimeve, por edhe shqetësimeve që ka shoqëria në përgjithësi.
Unë nuk dëshiroj të zgjatem në këtë eveniment, aq më shumë kur përballem me shumë sy profesionalë dhe veshë profesionalë që gjykojnë në këtë rast, kështu që sa më shkurt, sa më lakonik, aq më pak shanse do të ketë për lapsuse.
Unë dëshiroj vetëm t’ju falenderoj! T’ju falenderoj pamasë për misionin tuaj dhe jam i bindur që viti që vjen do të sjellë suksese të reja për të gjithë ju, për mediat shqiptare! Dhe besoj se edhe viti që vjen do të sjellë po të njëjtin perceptim që ka pasur publiku: keni qenë institucioni më i dashur për shqiptarët. Në të gjitha sondazhet keni qenë të parët dhe ky është treguesi më i fortë për secilin nga ju. Natyrisht edhe një refleksion që duhet të vijë nga të gjithë ne të tjerët që të jemi të barabartë me ju.
Urimet më të mira për një Vit të mbarë, në radhë të parë të shëndetshëm, pastaj të suksesshëm! Ju falemnderit dhe urime!”
Në vijim, në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, Kryetari i Shtetit shqiptar u takua dhe u përshëndet nga afër përzemërsisht me të gjithë të pranishmit në këtë pritje.