Politika

Prezantohen kandidatët për ambasadorë në Danimarkë e Rumani, Dade: Opozita të vijë në komision

arta_copy_5Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot seancë dëgjimore me dy kandidatë për ambasadorë, Kastriot Robo, në Mbretërinë e Danimarkës dhe Ilir Tepelena në Republikën e Rumanisë.

Kryetarja e komisionit, Arta Dade i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në komision gjatë seancave dëgjimore për ambasador, pasi shpeshherë ka ngritur shqetësimin për zbatim të ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm”.

“Shpreh keqardhje që në të gjitha seancat për ambasador që ne kemi zhvilluar, opozita nuk ka qenë e pranishme. Në fakt ne do të kishim dëshirë  të ishin të pranishëm sepse vazhdimisht kanë ngritur shqetësimin për zbatimin e ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm” dhe realisht në të gjitha seancat që opozita nuk ka qenë e pranishme ne kemi zhvilluar seanca dëgjimore për kandidat për ambasador që vijnë vetëm nga shërbimi diplomatik, pra ne respekt të ligjit”,  u shpreh Dade.

Gjatë prezantimit të dy kandidaturave, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko, theksoi karrierën e tyre të gjatë në fushën e diplomacisë.

Më tej, kandidati për ambasador në  Danimarkë,  Kastriot Robo paraqiti prioritetet e tij në këtë mision. Sipas tij, marrëdhëniet Shqiptaro-Daneze janë  shumë të mira në të gjitha fushat, ndërsa theksoi mbështetjen që pala daneze i ka dhënë vendit tonë në  procesin e anëtarësimit në NATO dhe  integrimin në BE.

Kandidati Robo  vuri ne dukje rritjen e shkëmbimeve ekonomike midis  vendeve, si dhe  mbështetjen që Danimarka ka dhënë për Kosovën dhe  për institucionin e Avokatit te Popullit.

Ndërsa, kandidati për ambasador në  Rumani,  Ilir Tepelena, tha se në fokus të punës së tij  do të jetë  njohja e Kosovës. Sipas Tepelenës, parlamenti dhe qeveria rumune kanë mbajtur një  qëndrim pozitiv në favor të   njohjes së Kosovës,  por kjo u kundërshtua nga presidenti Basesku . “Sfida ime do të jetë  intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe,  konsolidimi i dialogut politik”, u shpreh Tepelena.

Dy kandidaturat për ambasadorë theksuan gjithashtu se në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendeve ku ata pritet të emërohen do të përqendrohen edhe në bashkëpunimin ekonomik, politik,  investimeve, arsim,  turizëm, bujqësi, etj.

Anëtarët e Komisionit të Jashtëm  shprehën  mbështetjen e tyre  për dy  kandidaturat në fjalë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button