Prezantohet në Shkodër kandidatja e majtë Keti Bazhdari
Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta prezantuan të dielën kandidaten e koalicionit të majtë për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari.
Gjatë takimit me qytetarët shkodranë, Meta tha se, Keti Bazhdari ka një projekt gjithëpërfshirës dhe jo vetëm për të majtët. Ndërsa Edi Rama deklaroi se “vota për Keti Bazhdarin është votë për Shkodrën”.
Meta: Keti Bazhdari, me projekt gjithëpërfshirës
Gjatë takimit me qytetarët shkodranë, Kryetari i LSI-së u shpreh se Keti Bazhdari ka një projekt gjithëpërfshirës dhe se ajo ka energjinë e duhur për transformuar këtë qytet. Meta theksoi se Shkodra gjithnjë ka ditur të japë mesazhe të forta ndryshimi, transformimi e emancipimi për këtë vend dhe beson se këtë gjë do ta bëj shumë mirë edhe në 21 qershor.
“Është kënaqësi e veçantë për mua të jem në prezantimin e kandidates për kryetare të Bashkisë Shkodrës, znj. Keti Bazhdari dhe të mbështes së bashku me ju projektin e saj dhe të gjithë ekipit përfaqësues ‘Keti për Shkodrën’. Unë besoj shumë tek ky projekt sepse besoj tek energjitë e jashtëzakonshme të shkodranëve për ndryshime, për transformime dhe Keti i simbolizon dhe i mëshiron këto energji më së miri. Besoj shumë tek historia e Shkodrës që gjithnjë ka ditur të japi mesazhe të forta ndryshimi, transformimi dhe emancipimi për këtë vend dhe besoj se këtë gjë do ta bëj shumë mirë edhe në 21 qershor”, tha Meta.
Ai shprehu gjithashtu besimin se reforma administrative–territoriale, e cila i jep një dimension krejt tjetër Bashkisë së Shkodrës, duke bashkuar të gjithë resurset e jashtëzakonshme natyrore, turistike por edhe njerëzore nga Velipoja deri në Theth, kërkon një drejtuese me vizionin, me përkushtimin, me dedikimin dhe me ambicien për të bërë një transformim historik për Bashkinë e Shkodrës në drejtim të shërbimeve dhe standardeve evropiane që duhen afruar për të gjithë komunitetin.
Ndërkaq, Kryetari i LSI-së shtoi se beson tek projekti Bazhdari, pasi është një projekt jo për të majtën, por për të gjithë qytetin e Shkodrës dhe këtë e tregon dhe historia e familjes së saj.
“Unë besoj tek projekti ‘Keti për Shkodrën’. Nuk është një projekt ‘Keti për të majtët’. Edhe vetë historia e Ketit, e familjes së saj, është një histori e cila është e ngjashme për shumë familje të tjera të Shkodrës të cilat kanë vuajtur gjatë sistemit të kaluar komunist, por këto vuajtje absolutisht i kanë ndihmuar për tu bërë më të fortë në jetë, për tu bërë më optimist dhe për të qenë të bindur se çdo gjë mund të arrihet dhe se suksesi me punë dhe me këmbëngulje është i sigurt dhe ky projekt nuk është një projekt ideologjik, është një projekt shkodran i lindur në Shkodër dhe që i dedikohet tërësisht Shkodrës”, tha Meta, duke u ndalur më tej te prioritetet që duhet të ketë një bashki dhe politikat që duhet të ndjekë.
Sipas, Liderit të LSI-së bashkia duhet të ofrojë shërbime më të mira dhe të reja për qytetarët, politika zhvillimi dhe punësimi, ndërsa vlerësoi znj. Bazhdari si një model suksesi për atë që ajo ka arritur në jetë, duke qenë një sipërmarrëse e zonja. Meta tha se beson tek projekti Bazhdari, pasi është një projekt jo për të majtën, por për të gjithë qytetin e Shkodrës dhe këtë e tregon dhe historia e familjes së saj.
“Unë jam i bindur se të gjithë e gjejnë veten tek Keti Bazhdari, si kryebashkiake e ardhshme e Shkodrës, e gjejnë veten të majtë, e gjejnë vetën të djathtë, e gjejnë veten ata që janë pa parti, sepse të gjithë ata që duan që Bashkitë të mos merren më vetëm me tendera pastrimi e kanalizimesh e kur i jep ndonjë fond qeveria, por që të bëjnë politika zhvillimi, të bëjnë politika punësimi, të ofrojnë shërbime të reja”, vijoi Meta.
“Të gjithë këta janë të bindur se kandidatja jonë është modeli i suksesit, sepse një kandidate si Keti Bazhdari, e cila në jetën e saj ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke ndërtuar, jo duke kërkuar një punë në shtet, por duke arritur përmes sipërmarrjes dhe vizionit të saj, iniciativës së saj, këmbënguljes së saj, të punësojë me qindra të tjerë, absolutisht që do të ketë punësim përmes bashkisë së re, përmes këtij besimi të madh që ajo pret me shumë të drejtë nga qytetarët e Shkodrës, përmes bashkëpunimit me qeverinë qendrore, por dhe këmbënguljes së saj për të çuar përpara projekte të cilat do ta bëjnë Shkodrën një model transformimi për të gjithë vendin”, vijoi z. Meta.
Në fund, Lideri i LSI-së shprehu bindjen se Bazhdari meriton mbështetjen më të madhe të shkodranëve dhe se projekti i saj nuk synon të krijojë hendeqe politike për qytetarët e Shkodrës.
“Ne besojmë tek fuqia transformuese e shkodranëve dhe unë besoj se Keti Bazhdari është simbol i kësaj fuqie dhe tek ajo e gjejnë veten vajza, gratë e Shkodrës, e gjen veten rinia e Shkodrës, dhe në projektin e saj ka vend për të gjithë. Projekti i saj është një projekt gjithëpërfshirës që nuk synon të krijojë hendeqe politike mbi qytetarët e Shkodrës, që nuk flet në emër të partisë, por flet në emër të së ardhmes së qytetit tuaj dhe të bashkisë së re. Bashkia e re e Shkodrës e meriton një kryetare si Keti Bazhdari prandaj do të kërkoja mbështetjen e të gjithë juve për këtë kandidate dhe sidomos për projektin e saj i cili është edhe projekti i juaj, ‘Keti për Shkodrën”, – u shpreh ndër të tjerash Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Rama: Vota për Ketin Bazhdarin është votë për Shkodrën
Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e tij se, vota ndaj Ketit është votë për Shkodrën. “Një kryetar bashkie më mori në telefon dhe kërkoi bashkëpunim. I them hajde në zyrë dhe ai refuzon dhe më thotë se do e shihnin dhe i krijonte probleme. Por, si duhet të bëshkëpunoj qeveria me pushtetin lokal nëse ata kanë hall se i shohin? Prandaj për të hequr këtë mentalitet vota e 21 qershorit nuk duhet të jetë një votë për të shpresuar në ndryshimin e qeverisë, por për ndryshimin e bashkisë dhe modelit të qeverisjes lokale dhe tek Keti Bazhdari qytetarët e Shkodrës kanë zgjedhjen më të mirë”, vijoi Rama.
“Unë nuk kam asnjë gjë me kundërshtaren e Keti Bazhdarit, por di të them që kandidatja e PD-së nuk mund të ndihmojë qytetin. Kemi kaq kohë që diskutojmë me Bashkinë për Stadiumin e Shkodrës dhe deri para pak kohësh bashkia nuk na jepte çelësat e tij, por tani që nuk do rikandidojë ai kryetar, na i dha çelësat. Pse duhet të vononte kaq shumë? Kemi projektuar rrugën e Velipojës, por kryetari Bashkisë nuk bashkëpunon, prandaj duhet të votoni Keti Bazhdarin. Nuk na duhet një kryetar që ka frikë se e shohin”, shtoi Rama.
“Qeveria nuk mund të punojë me kryetarë bashkie që refuzojnë të bashkëpunojnë me qeverinë, por kur duan të bashkëpunojnë kanë hall se i shohin. Ne kemi hartuar reformën territoriale, ku Bashkia e Shkodrës bëhet edhe më e madhe, por me cilindo bashkëpunojmë. Ne duam një kryetar bashkie i cili nuk ka frikë se e shohin, por që punon për qytetin. Kemi gati pr/ligjin që i jep bashkisë menaxhimin e kanaleve të ujitjes, por kush do e bëjë këtë ai që ka frikë që e shohin. Jo, mendojmë se duhet një tjetër frymë dhe për këtë është Keti Bazhdari”, përfundoi Rama
Bazhdari: Do t’i kthej bashkinë qytetarëve
Ndërsa, kandidatja për kryetare e Bashkisë Shkodër, Keti Bazhdari u shpreh se pas shumë konsultimeve me grupet e interesit, pas shumë dëgjesave të problematikave e sugjerimeve, pas përfshirjes së shumë ekspertëve në zonjën e fushën që mbulon programi i saj, është shumë afër projektit, që ka si synim kryesor përmirësimin e jetës së qytetarit.
“Në qendër do të jenë nevojat tuaja, do të jenë nevojat tona, dhe zgjidhja e tyre nga ana jonë në mënyrë efiçente dhe efikase do të realizohet përmes një rrjeti të standardizuar të shërbimeve që do të ofrojmë. Ne do t’i kthejmë bashkinë qytetarëve duke vënë dorë pikë së pari në mënyrën e funksionimit të administratës, bazuar në një pjesëmarrje aktive të qytetarëve, transparencë dhe ofrimin e shërbimit larg burokracive të panevojshme”, tha ajo.
Punësimi dhe zhvillimi ekonomik është në qendër të ofertës tonë qeverisëse, vijoi Bazhdari. “Bashkia nuk mund të krijojë direkt vende pune, por përmes vizionit që kemi për zhvillimin e turizmit dhe nxitjen qoftë të partneritetit publik-privat, qoftë të biznesit, qoftë në kuadër të bashkëpunimit me qeverisë për një Rilindje Urbane, ne do t’i ndërrojmë faqen Shkodrës, sepse Shkodra ka vokacion, ka shpirt sipërmarrës të jashtëzakonshëm, ka potenciale turistike tu përqendrua gjeografikisht për tu patuar zili, dhe do të kthehet në një nga vendet më të vizituara në rajon”, tha ndër të tjerash gjatë fjalës së saj, znj. Bazhdari./