Prindërit e tyre u diagnostikuan me demencë: 20+ fëmijë tregojnë shenjat e para që vunë re
Harresa nuk ishte gjithmonë shenja e parë. Për disa familje, gjithçka nisi me ndryshime të vogla në sjellje, orientim apo mënyrën e të folurit.
Kur mendojmë për demencën ose Alzheimerin, shenja e parë që na vjen ndër mend është zakonisht humbja e kujtesës. Por për shumë familje, historia nuk ka nisur domosdoshmërisht me dikë që harronte emra apo data.
Në një diskutim në Reddit, njerëz që kanë parë prindërit ose gjyshërit e tyre të përballen me demencën treguan ndryshimet e para që, në atë moment, nuk i kishin kuptuar si sinjale paralajmëruese.
Mes përvojave që përsëriteshin më shpesh ishin këto:
Ndryshime të papritura në karakter
Disa treguan se një prind ose gjysh që kishte qenë gjithmonë i qetë dhe i dashur, papritur ishte bërë më nervoz, dyshues ose konfliktual. Një grua tregoi se gjyshja e saj nisi ta akuzonte se po gënjente, sepse vetë nuk mbante mend më bisedat që kishin bërë. Të tjerë vunë re komente krejt jashtë karakterit ose reagime emocionale që nuk përputheshin me mënyrën se si personi ishte sjellë gjithë jetën.
Përsëritja e të njëjtave gjëra
Një nga shenjat më të zakonshme ishte përsëritja e të njëjtës histori ose pyetje disa herë brenda së njëjtës bisedë. Në fillim mund të duket si shpërqendrim apo harresë e zakonshme. Por familjarët treguan se, me kalimin e kohës, episodet bëheshin gjithnjë e më të shpeshta.
Humbja e orientimit në vende shumë të njohura
Disa persona nisën të humbisnin rrugën gjatë itinerareve që kishin bërë qindra herë. Një përdorues tregoi se gjyshi i tij la bashkëshorten përpara një dyqani, harroi pse kishte shkuar aty dhe u kthye vetëm në shtëpi. Një tjetër përshkroi sesi babai i tij nisi të humbiste rrugën edhe gjatë udhëtimeve të shkurtra pranë shtëpisë.
Vështirësi me aktivitete që më parë ishin rutinë
Telefonat, kompjuterët, faturat, gatimi apo lojërat që një person i kishte bërë prej dekadash papritur nisnin të dukeshin të vështira. Një burrë që kishte qenë mësues matematike dhe luante rregullisht solitaire nuk ishte më në gjendje të ndiqte rregullat. Një grua që kishte menaxhuar gjithmonë financat e familjes nisi të bënte pagesa të pazakonta dhe të paguante disa abonime të njëjta pa e kuptuar.
Ngatërrimi i kohës dhe njerëzve
Për disa familje, shenja e parë ishte ngatërrimi i së shkuarës me të tashmen. Një grua foli për hallën e saj, e cila iu referua nënës së vet sikur të ishte ende gjallë, ndonëse kishte vdekur dekada më parë. Të tjerë treguan se të afërmit nisën të ngatërronin fëmijët apo nipërit me njerëz nga rinia e tyre.
Dyshime dhe paranojë
Disa njerëz filluan të besonin se fqinjët po i ndiqnin, se dikush po hynte në shtëpi ose se njerëzit përreth po përpiqeshin t’i mashtronin. Një person tregoi se prindërit e tij u bënë jashtëzakonisht dyshues dhe filluan të besonin vazhdimisht se të tjerët kishin qëllime të këqija ndaj tyre.
Vështirësi për të ndjekur një bisedë apo histori
Për disa, ndryshimi u vu re ndërsa shihnin televizor ose filma. Një përdoruese tregoi se nëna e saj nisi të kishte vështirësi për të kuptuar ngjarje shumë të thjeshta në filma dhe nuk ndiqte më logjikën e historisë si më parë. Të tjerë përshkruan ndërprerje në mes të fjalive, vështirësi për të gjetur fjalët ose tërheqje nga bisedat.
Humbja e interesit për gjërat që dikur i donin
Leximi, gatimi, aktivitetet sociale ose hobet që kishin qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre papritur u lanë mënjanë. Një grua tregoi se nëna e saj vazhdonte të blinte libra, por nuk i lexonte më. Një tjetër kishte harruar recetat që kishte gatuar gjatë gjithë jetës.
Ndryshime në gjykim
Shpesh problemi nuk ishte vetëm kujtesa, por vendimmarrja. Disa familjarë vunë re blerje të pazakonta, pakujdesi në trafik, aksidente të vogla me makinë, harrim të ilaçeve apo sjellje të tjera që mund të rrezikonin sigurinë.
Halucinacione ose perceptime që nuk përputheshin me realitetin
Në disa raste më të avancuara, njerëzit nisën të shihnin apo dëgjonin gjëra që të tjerët nuk i perceptonin. Një grua e moshuar shihte pula imagjinare nëpër shtëpi, ndërsa një tjetër dukej sikur po përjetonte episode nga e shkuara sikur po ndodhnin në atë moment.
Por jo çdo harresë do të thotë demencë
Është normale që herë pas here të harrojmë pse hymë në dhomë, ku kemi vendosur çelësat apo emrin e dikujt. Mosha, lodhja, stresi, depresioni, mungesa e gjumit, disa ilaçe dhe probleme të tjera shëndetësore mund të ndikojnë gjithashtu te kujtesa dhe përqendrimi.
Mirëpo duhet të tërheqë më shumë vëmendjen ndryshimi i vazhdueshëm dhe progresiv nga mënyra se si personi funksiononte më parë, veçanërisht kur fillon të ndikojë në jetën e përditshme, orientimin, sigurinë apo aftësinë për të kryer aktivitete të zakonshme.
Nëse këto ndryshime shfaqen te një person i afërt, hapi i duhur nuk është vetëdiagnostikimi, por konsultimi me një mjek.
-
-
Ky veprim i zakontë në mëngjes mund të rrisë rrezikun për demencë
26 Qershor, 12:22
-
-
-
-









Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.