Opinion

Priten tensione ballkanike para hyrjes së Shkupit në NATO

Nga Shaban Murati

Një valë tensionesh lokale me jehonë rajonale po ndihen në Ballkan, të cilat në seizmografin gjeopolitik shënojnë mundësinë e një intensiteti më të madh dhe të një shtrirjeje në vazhdim. Këto sinjale janë pjesë e një harte:
– Në datën 16 janar vritet në Mitrovicë politikani serb, Oliver Ivanoviç dhe menjëherë edhe kryeministrja serbe, edhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë serbe nxituan të deklarojnë se vrasësit nuk janë serbë. Një siguri e tillë publike duket vjen nga fakti që shërbimet sekrete serbe, të cilat kontrollojnë Veriun e Kosovës, e dinin qysh më parë se kush ishte ngarkuar për ta kryer vrasjen.

– Në datën 18 janar, Presidenti Maqedonisë, Gjorgje Ivanov zgjodhi pritjen e vitit të ri për trupin diplomatik në Shkup që të njoftonte solemnisht në fjalimin e tij se një ditë më parë, në 17 janar, kishte vendosur e mos e firmoste dekretin e ligjit të parlamentit për përdorimin e gjuhëve, sepse është “represiv dhe antikushtetues”.
– Në datën 16 janar, Ministria e Jashtme e Rusisë boton një komunikatë lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, në të cilën u bën thirrje “të gjitha pranive ndërkombëtare në Kosovë që të ndërmarrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të mundshme”. Pra, MPJ e Rusisë e di se do të ketë incidente të tjera si ai i Mitrovicës.

Në datën 17 janar, MPJ e Rusisë publikon një komunikatë, duke mbështetur refuzimin e presidentit maqedonas kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe sulmon platformën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni se ajo është kundër bazave kushtetuese të shtetësisë maqedonase, kundër Marrëveshjes së Ohrit, (të cilën diplomatët rusë duket nuk e kanë lexuar) dhe se paralajmëron për tronditje të reja ndëretnike në Ballkan. MPJ ruse e di se do të ketë tronditje të reja ndëretnike në Ballkan. Në 19 janar, politikani shumë i njohur serb dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, deklaroi se vrasja e Oliver Ovanoviçit dhe destabilizimi i Ballkanit i vjen për shtat Rusisë dhe se në bazën ushtarake ruse të Nishit në Serbi janë trajnuar paramilitarët e reparteve sulmuese “serpska çast” për t’u përdorur në Bosnjë. Për këtë trajnim të paramilitarëve serbë nga specialistët rusë bënte të ditur në datën 12 janar edhe portali i Sarajevës “Zhurnal news site”. Këto sinjale janë të mjaftueshme për të qartësuar diagramën e tensioneve të reja, që pritet të kenë seriale të reja më të forta, por edhe një strategji koordinimi dhe interesi për ta rikthyer Ballkanin Perëndimor tek krizat e vështira të viteve 2016-2017.

Çelësi i shpjegimit dhe i origjinës së stinës së re të tensioneve, ku sapo kemi hyrë, është sindroma malazeze, që don të thotë se ka një interes dhe planifikim të qartë për të krijuar trazira, siç ndodhi në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016 në Mal të Zi, dhe për të njëjtat qëllime, që patën atje, ku shërbimi sekret serb në bashkëpunim me shërbimin sekret rus organizuan një fushatë trazirash të brendshme, që kulmuan me përpjekjen për grusht shteti dhe për vrasjen e kryeministrit malazez gjatë zgjedhjeve të muajit tetor, me synimin për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Po përsëritet sindroma malazeze, e cila tani merr emrin sindroma maqedonase, që shkakton tensione. Shkaku është afrimi i fazave të hyrjes së Maqedonisë në NATO. Qeveria e re e Maqedonisë me kryeministër Zoran Zaevin, në këto shtatë muaj në pushtet ka nisur një zhvendosje nga kursi prorus dhe antiperëndimor i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ka ndërmarrë disa hapa për shpejtimin e kohës së anëtarësimit të vendit në NATO, të bllokuar nga Greqia për shkak të konfliktit për emrin. Tani shenjat janë se qeveria e re e Shkupit po demonstron një fleksibilitet më të madh dhe po i jep më shumë rëndësi anëtarësimit në NATO dhe në BE, se sa intransigjencës lidhur me emrin.

Është qëndrim zyrtar i Rusisë, kundërshtimi dhe synimi për të penguar Maqedoninë të hyjë në NATO dhe ministri i Jashtëm rus e ka përkufizuar se ky anëtarësim është për Moskën një vijë e kuqe. Për këtë qëllim, Moska përkrahu me të gjitha forcat dhe mjetet ish-kryeministrin prorus, Nikolla Gruevski gjatë gjithë krizës politike maqedonase 2015-2017 dhe u përpoq ta mbante me zor në pushtet. Pas dështimit të Gruevskit për të ruajtur kolltukun e kryeministrit, Moska shfrytëzoi presidentin prorus Gjorgje Ivanov, i cili vazhdoi trazimin e konfliktit politik dhe etnik në Maqedoni dhe përpjekjet dhe për të sabotuar koalicionin e opozitës maqedonase me partitë politike shqiptare. Karta “Gjorgje Ivanov” po hidhet përsëri në lojën anti-NATO nga Moska dhe akti më i rëndë i tij është jo thjesht mosdekretimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, por nxitja e një konflikti të ri ndëretnik në Maqedoni. Ai dhe partia e tij VMRO-DPMNE po i fryjnë me çdo mënyrë ndezjes së konfliktit ndëretnik dhe pikërisht këtë kërkonte fryma e komunikatës së MPJ të Rusisë.

Element i ri është se MPJ e Rusisë po kërkon që t’i paraqesë Shqipërinë dhe shqiptarët si shkaktarë të kësaj vale të tensioneve në Ballkanin Perëndimor me idetë e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”. Ajo, ku ngatërrohet MPJ e Rusisë, është se nuk kupton që populli shqiptar në Maqedoni ka po aq të drejtë të përdorë gjuhën shqipe sa ç’ka edhe popullsia ruse në Krime për gjuhën ruse. Shqipëria nuk ka asnjë punë me gjuhën ruse në Krime dhe as Rusia nuk ka asnjë punë me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Kjo është e qartë dhe nuk kuptohet pse hyjnë në vallen ruse disa profanë shqiptarë, të cilët bëjnë autogol dhe venë shenjën e barazimit midis interesit të Rusisë dhe atij të Shqipërisë për gjuhën shqipe në Maqedoni. Është e kuptueshme se ndezja e një zjarri ndëretnik në Maqedoni do të ngrinte një pengesë të madhe dhe do të shtynte për një kohë të pacaktuar anëtarësimin e vendit në NATO, gjë që përbën strategjinë ruse të tensioneve në Maqedoni.

Shteti i dytë, i cili ka interes që Maqedonia të mos hyjë në NATO, por që ka edhe një interes të veçantë të vetin strategjik për tensione në Ballkanin Perëndimor është Serbia. Serbia është me shpatulla pas murit prej kushtit të vënë nga BE për njohjen e Kosovës para se të anëtarësohet në BE. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, e përsëriti në 18 janar se në BE nuk mund të pranohen shtete, që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët. Në këtë pozicion në trekëndësh, ku ndodhet lidhur me Kosovën, Serbia po përpiqet të shpëtojë duke provokuar tensione dhe konflikte në Kosovë dhe ajo e ka të lehtë këtë objektiv, sepse ajo mban detonatorët e konflikteve të ngrira edhe në Veriun e Kosovës, edhe në të ashtuquajturën “Serpska republika”. Vrasja e politikanit Ivanoviç, pavarësisht se kush do të dalë kokë turku si ekzekutor, i ka në Beograd përfituesit kryesorë. Nëpërmjet këtij tensioni të ri në Mitrovicë, Serbia dhe presidenti i saj kërkojnë të përfitojnë në dy drejtime: së pari, duke rivendikuar sovranitetin e Serbisë mbi Veriun nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve atje. Së dyti, përfitojnë t’i bëjnë presion Prishtinës të heqë dorë nga kushti i njohjes dhe të xhirojnë në vend me “bisedimet teknike”, të cilat janë një vrimë në ujë në raportet strategjike midis dy shteteve. Nuk është e rastit që Rusia po nxit fort qarqet ultranacionaliste dhe shoviniste të kishës ortodokse serbe, që të ringjallin histerinë antishqiptare. Drejtoresha e Qendrës së Studimeve të Krizave të Ballkanit modern në Akademinë e Shkencave të Rusisë, Elena Guskova, në 18 janar në portalin rus “eadaily.com” përkrahte peshkopin e njohur antishqiptar Amfilohije se “ka plotësisht të drejtë që është e pamundur të njihet pavarësia e Kosovës”.

Veçori e serisë aktuale të tensioneve është gjithashtu bashkëngjitja e një vale të re të hapur antiamerikanizmi edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, e cila ka qëllimin që të godasë faktorin shqiptar në thembrën e Akilit, që janë marrëdhëniet e kombit shqiptar me SHBA. Fenomeni është tepër shqetësues, sepse, siç më tregonte këto ditë në një bisedë ambasadori i një shteti të rëndësishëm i akredituar në Tiranë, disa politikanë shqiptarë kanë filluar të ankohen nëpër disa ambasada joperëndimore në Tiranë për “ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të Shqipërisë”.

Një impostim idiot i disa segmenteve të politikës shqiptare kundër SHBA është e qartë se i shërben strategjisë së Rusisë për të krijuar vakume gjeopolitike dhe për të mënjanuar orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Nuk është rastësi që Serbia kohët e fundit ia ka ulur fanfarat proeuropiane dhe ka harruar edhe “Procesin e Berlinit”, sepse është angazhuar shumë në “Procesin e Moskës”.
Në këto rrethana ka rëndësi të madhe që faktori shqiptar në Ballkan të ruajë kohezionin e tij kombëtar dhe euroatlantik, për të qenë vazhdimisht syçelët për të parandaluar çdo përpjekje të sponsorizuar për rrëshqitje proruse dhe proserbe. Roli rajonal dhe interesi kombëtar i faktorit shqiptar është që të ruajë fort ekuilibrat gjeopolitikë dhe strategjikë në favor të atlantizmit dhe të integrimit euroatlantik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button