Privatizimi i publikes si varfërim i demokracisë sonë
Në shkrimin e tij të fundit për vitin 2023 kolegu Bushati shprehte shqetësimin e tij për gjendjen problematike në të cilën ndodhet demokracia shqiptare teksa identifikonte mungesën e traditës sonë demokratike si një nga shkaqet kryesore të kësaj situate. Mendoj që analiza e Bushatit është e rëndësishme minimalisht si një ftesë për të menduar përse pas më shumë se tridhjetë vitesh demokracia jonë nuk frymëzon as shpresë dhe as pjesmarrje tek popullata.
Ndonëse arësyet janë të shumta, duke përfshirë edhe mungesën e traditës demokratike që përmend Bushati, për mendimin tim shkaku kryesor i krizës sonë demokratike qëndron tek privatizimi i hapsirës publike. Me hapësirë publike nuk nënkuptoj thjesht territoret publike qe privatizohen nga bizneset afër pushtetit, qoftë me ligjin Shqipëria një euro dje apo me ligjin e investitorëve strategjik sot. Hapësira publike përfshin të gjitha ato sfera ku formësohet ndërveprimi dhe vullneti kolektiv që nga politika deri tek media dhe tek akademia.
Në fakt privatizimi i tokës publike është thjesht një nga pasojat e shumëta dhe perverse të privatizimit të pushtetit politik, mediatik dhe akademik. Privatizimi i terreneve publike nuk do ishte i mundur pa privatizimin e ekzekutivit, të partive politike, të mediave apo të arësimit publik. Të gjitha këto janë hapësria publike po aq të rëndësishme për demokracinë sa edhe toka, në mos më shumë.
E megjithatë gjatë 30 viteve të fundit të gjitha këto hapësira janë privatizuar dhe funksionojnë gjithnjë e më shumë sipas llogjikës së interesit personal duke fshirë gradualisht edhe vetë konceptin e interesit publik. Ky proces privatizimi është më i qartë se kudo tek partitë politike që mbeten institucionet themelore të demokracisë.
Nuk e kam fjalën thjesht për partizat e vogla që tashmë kanë marrë emrin e pronarit, partia e Mediut, e Metës, e Doshit apo e Dukës. Privatizimi i partive politke, që në thelb janë hapësira politike publike, tashmë është thelluar si tek Partia Socialiste në pushtet edhe tek Partia Demokratike dhe fragmentet e saj në opozitë.
Lufta për vulën që prej kohësh po zhvillohet tek PD-ja më shumë se një luftë politike, ideologjike apo programore i ngjan një çështje prone që palët po e zgjidhin në gjykatë, me të gjitha zvarritjet juridike që shfaqin përplasje të tilla në sistemin tonë të drejtësisë. Të dyja palët, Basha nga njëra anë dhe Berisha nga ana tjetër, pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të PD-së. Madje janë zënë me gurë dhe trungje edhe për godinën e saj, ashtu sikurse me mijëra shqiptarë në tranzicion janë sherrosur dhe vrarë për një kufi, truall apo plazh.
Lufta Basha – Berisha tashmë është reduktuar tek përpjekja për të pasur secili copën e tij të PD-së, sado e vogël dhe e pafuqishme qoftë ajo përballë pushtetit të Ramës. Debati themelor nuk është mbi llojin e opozitarizmit që duhet ndërtuar përballë pushtetit por mbi pronësinë e tij. Nuk ka si shpjegohet ndryshe insistimi i Bashës për të vazhduar në krye të PD-së zyrtare edhe pse nuk prodhon asnjë aksion apo ligjërim politik opozitar që do justifikonte rikthimin e tij.
Po kështu Foltorja e Berishës, siç e thotë edhe vetë emri, është një hapësirë familjare ku doktori këndon bëmat e tij në vetën e tretë; “Sali Berisha e tmerron Edi Ramën”, “Sali Berisha mbron kushtetutën dhe demokracinë” ose “Sali Berisha nuk jepet”, deklaron ai pa pushim. Hapësira në të cilën politikanët i referohen vetvetes në vetën e tretë nuk është as politike dhe aq më pak publike, është thjesht një zgjatim i egos së tyre personale.
I njëjti proces ndonëse në mënyrë më pak evidente dhe më graduale po zhvillohet edhe tek Partia Socialiste që si kurrë më parë është reduktuar tek lideri i saj. Më shumë se një hapësirë publike politike e të majtëve PS-ja sot është transformuar në një podium që shërben për të lartësuar liderin e saj. Një pjesë e mirë e fjalimeve në kongresin e fundit socialist fillonin me shprehjen e famëshme “Nën udhëheqjen e kryeministrit Rama…”.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me identifikimin e partisë me liderin nëpërmjet ideologjisë, siç ndodhte në kohën e Enverit, por me privatizimin e saj, sepse Partia Socialiste sot mund të marrë çdo formë politike, ideolgjike apo strukturore që asaj i jep lideri. E thënë ndryshe ajo sot më shumë se kurrë i ngjan një prone private me të cilën lideri mund të bëjë çfarë të dojë, pasi nuk ka asnjë limit politik, statutor apo ideolgjik që mund ta kufizojë atë. Madje as humbja elektorale.
Janë të shumtë ata që mendojnë se pushteti i Ramës buron nga sukseset e tij elektorale dhe qeverisëse. Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Së pari, sepse suksesi elektoral i Ramës është shumë më i vogël se ai i Partisë Socialiste, edhe pse ai e monopolizon atë tërësisht. Së dyti, sepse forca reale e Ramës tashmë qëndron tek mungesa e konkurrencës ndaj tij brenda PS-së. Ashtu sikurse Berisha sot, edhe Rama nesër, nëse humbet zgjedhjet mund të thotë që nuk ka më mirë se ai sepse ky është realiteti që ai vetë ka krijuar në PS.
Eleminimi i çdo konkurrence politike brenda partisë, transformimi i liderit në domosdoshmëri politike, monopolizimi i suksesit elektoral të saj, dhe fshirja e çdo lloj ideologjie politike që mund ta de-personalizojë partinë janë disa nga elementët kyç të privatizimit të saj. Në këtë mënyrë partitë reduktohen tek personaliteti, vizioni, dëshirat dhe tekat e liderit.
Nga privatizimi i partisë buron edhe privatizimi i pushtetit, që është një tjetër hapësirë publike. Këtu natyrisht kemi të bëjmë me një traditë të herëshme të politikës shqiptare. Idea se pushteti i përket një individi del qartë tek shprehjet tona popullore, “Në kohën e Zogut”, “Në kohën e Enverit”, apo “Në kohën e Berishës”. Nëpërmjet privatizimit të partisë kryeministri kontrollon jo thjesht ekzektuvin por edhe legjislativin, që tashmë kthehet në zgjatim privat të tij.
Në këtë pikë të shumtë janë ata që do më thonë se njësimi i partisë me liderin është diçka normale në demokraci, sepse lideri duhet të imponojë vizionin e tij për të qeverisur. Ka pasur liderë të fuqishëm si Margaret Thatcher që kanë formësuar politikisht dhe ideologjikisht partitë e tyre, dhe madje i janë imponuar nëpërmjet sukseseve të mëdha elektorale.
Ama në asnjë moment nuk i kanë privatizuar ato. Mjafton të kujtojmë se Partia Konservatore Britanike e shkarkoi si udhëheqëse Margaret Thatcher kur ishte kryeministre, edhe pse ajo kish fituar tre palë zgjedhje të përgjithëshme dhe ishte politikania më e famëshme konservatore jo vetëm në Britani por edhe në botë.
Efektet perverse të privatizimit të hapësirës publike politike dallohen lehtësisht. Në momentin që partia transformohet në pronë private të kryetarit ajo tërheq dhe prodhon mediokritet politik. Llogjika dhe aksioni politik i antarëve të partisë reduktohet tek llogjika dhe interesi personal. Karriera politike reduktohet tek përmbushja e interesit të ngushtë personal të politikanit brenda interesit personal të kryetarit. Në këto kushte i vetmi orientim politik është forca dhe pushteti sepse normat apo idealet politike nuk mund të ekzistojnë në mungesë të artikulimit të interesit publik.
Shfaqjen më të shëmtuar të këtij fenomeni e pamë tek fragmentimi i PD-së ku lëvizjet e një pjese të mirë të deputetëve të nivelit të lartë nuk kishin asnjë llogjikë politike, parimore apo ideolgjike. Ata thjesht rrjeshtoheshin me më të fortin e rradhës. Kur mendonin se Basha do fitonte sepse kishte nga pas amerikanët rrjeshtoheshin me Bashën dhe shanin Berishën. Kur Berisha shfaqej më i fuqishëm rrjeshtoheshin me të për të denoncuar Bashën.
Ky është tipi i politikanit që tërheq dhe prodhon një parti e privatizuar nga lideri. Është politikani që jo vetëm nuk di ta artikulojë interesin publik por mendon se vetë koncepti është një trillim fantastik. Është një specie pa verb dhe pa artikulim politik sepse politikja në thelb ka të bëjë me identifikimin dhe artikulimin e interesit publik dhe jo të atij privat.
Këtë specie politike e gjejmë sot sa tek PD-ja aq edhe tek PS-ja në pushtet. Skandalet korruptive të qeverisë aktuale janë në thelb pasojë e një klase politike në pushtet që ka si far ndriçues interesin e ngushtë personal edhe kur ky dhunon rëndë interesin publik. Makutëria që u shfaq në rastin e inceneratorëve, përmasa e vjedhjes dhe mungesa totale e funksionimit të tyre janë provë e nivelit të degradimit politik të pushtetarëve që i “ndërtuan” ato. Ky është lloji i politikanit që prodhon një parti e privatizuar nga kryetari.
Fatkeqësisht privatizmi i hapësirës publike nuk është një fenomen që kufizohet tek partitë politike. Ky proces dhe efektet e tij perverse janë shtrirë mjaft thellë edhe në hapsirën mediatike, një tjetër hapësirë publike pa të cilën funksionimi i demokracisë bëhet pothuajse i pamundur. Privatizimi i hapësirës mediatike është normalizuar deri në atë pikë saqë tashmë nuk na bën përshtypje.
Muri ndarës që duhet të ekzistonte teorikisht mes pronarëve dhe gazetarëve është shembur prej vitesh. Biznesmenët pronarë të mediave janë kthyer në gazetarë dhe gazetarët janë transformuar në biznesmenë. Për pasojë në shumë raste gazetaria është reduktuar në zëdhënëse të interesave të biznesit. Gazetari apo gazetarja e suksesshme është ai apo ajo që di të lexojë mirë interesat e pronarit, të autocensurohet duke mos prekur tema apo çështje që bien ndesh me interesat e biznesit që e financojnë.
Natyrisht në këto media shpesh artikulohet dhe mbrohet interesi publik, por vetëm për aq kohë sa nuk bie ndesh me interesin privat të pronarëve, sepse media shikohet jo si një e mirë publike por si një pronë thellësisht private. E thënë ndryshe nëse ekziston një përplasje mes interesit publik të shoqërisë dhe interesit privat të pronarëve të gazetës, gjithmonë mbizotëron kjo e fundit.
Pikërisht për këtë arësye mediat e privatizuara në funksion të interesave të bizneseve që i financojnë kanë një censurë shumë më të rreptë sesa mediat e rrjeshtuara qartësisht politikisht por që janë në pronësi të gazetarëve. Mjafton të shikosh mënyrën se si media thellësisht të rrjeshtuara si Tema e Mero Bazes apo Lapsi.al i Andi Bushatit rëndom botojnë artikuj që bien ndesh me linjën e tyre editoriale apo me qëndrimet politike të pronarëve të gazetës.
Kjo për faktin e thjeshtë sepse është me lehtë të tolerosh një qëndrim apo ide sesa një interes të ndryshëm nga i yti. Pluraliteti i qëndrimeve dhe tolerimi i ideve të ndryshme është i natyrshëm për gazetarinë dhe demokracinë. Ndërkohë për biznesin është sa e pamundur po aq edhe e papërgjegjëshme të tolerojë qëndrime që dëmtojnë interesin e tij ekonomik. E thënë thjesht, një pronar nuk mund të lejojë kritikën e një politikani që i mundëson biznesin dhe aq më pak lavdërimin e një politikani që ia prish atë. Diçka e tillë bie ndesh me llogjikën bazë të biznesit, që është krejt e ndryshme nga llogjika mediatike.
Kjo është njëra nga arësyet se përse pushtimi i hapësirës mediatike nga llogjika e interesit personal të biznesit që e financon atë e ka deformuar thellë median shqiptare. Nëse privatizimi i partive politike ka prodhuar politikanë mediokër që promovohen se i shërbejnë shefit, privatizimi i hapësirës mediatike prodhon gazetarë të frikësuar që specializohen në nuhatjen e interesave të pronarit më shumë se në leximin e shqetësimeve të publikut.
I njëjti fenomen zhvillohet prej kohësh edhe në botën e arësimit dhe shkencës. Për këdo që ka eksperiencë në mësimdhënie në universitetet tona publike është e qartë mënyra se si ato privatizohen nga shefat që nga niveli i departamentit deri tek niveli i rektoratit. Shumica e përplasjeve që ndodhin në arsimin e lartë publik nuk kanë të bëjnë shumë me debate akademike sa me interesa për të kontrolluar një institut kërkimor, departament, dekanaturë apo rektorat në mënyrë që shefi i rradhës ta mbushë me njerëzit e tij apo të saj.
Shembulli i fundit i këtij procesi të shëmtuar ishte mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe kalimi i aseteve të saj tek Akademia e Shkencave që tashmë është në pronësinë e Skënder Gjinushit. Ky i fundit u rizgjodh në krye të Akademisë në fund të vitit 2023 për një mandat të dytë me 98% të votave, në një proces zgjedhor të mbyllur, ku ai ishte kandidat i vetëm, dhe pa praninë e mediave. (shiko Pa garë dhe me vetëm një kandidaturë, Skënder Gjinushi rizgjidhet në krye të Akademisë së Shkencave – Gazeta Shqiptare Online).
Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) nuk erdhi si pasojë e një diskutimi të gjerë akademik, apo e një vlerësimi të studimeve të saj të shumta akademike të botuara edhe në revista shkencore ndërkombëtare. Me një sinqeritet të admirueshëm vetë Gjinushi ka treguar se i gjithë procesi u krye pas një bisede të tij me Ramën, i cili ishte fillimisht skeptik, por më pas u bind nga Gjinushi për kalimin e ASA-ës tek Akademia e tij.
Pra i gjithë procesi i ristrukturimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) u bë si një negociatë mes dy pronarëve, Rama dhe Gjinushi, ku i pari i kalon të dytit asetet, buxhetet dhe vendet e punës të ASA-ës. Roli i Ministrisë së Arësimit dhe i Parlamentit Shqiptar u reduktua në zbatimin e marrëveshjes Rama-Gjinushi, shpesh në shkelje të ligjit dhe duke injoruar ekspertizën dhe protestën e dhjetra akademikëve shqiptarë dhe të huaj, brenda dhe jashtë vendit.
Ky privatizim i pareshtur i arësimit dhe kërkimit shkencor publik prodhon largimin edhe të atyre pak akademikëve serioz që kanë mbetur në Shqipëri, të cilët nuk mund të pranojnë që karriera e tyre akademike të përcaktohet nga interesat e Gjinushit apo nga partia e Ramës. Ashtu sikurse privatizimi i partive politike mban larg cdo politikan idealist, parimor dhe të aftë që nuk mund të pranojë një karrierë politike të dhuruar nga familja Berisha, Rama apo Basha. Në të njëjtën mënyrë reduktimi i mediave tek interesat e biznesit që i financon largon gazetarët dhe gazetaret profesioniste që e marrin seriozisht idenë se media është megafon i interesit publik dhe jo mburojë e interesit personal.
Në këto kushte demokracia shqiptare kalbet sepse asnjë nga sferat e rëndësishme të hapësirës sonë publike nuk është e aftë ta ushqejë atë. Si pasojë e privatizmit të hapësirës publike ajo nuk arrin të rigjenerojë as klasën politike, as atë intelektuale dhe as atë mediatike. Secila nga këto sfera largohet gjithnjë e më shumë nga shqetësimet e publikut teksa merret me shqetësimet e pronarëve të saj.
Pushteti socialist është vënë tërësisht në funksion të vizionit të Ramës për rrugë, ndërtime dhe aeroporte pa kuptuar se shqiptarët tashmë nuk mund të ushqehen thjesht me infrastrukturë. Shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale sepse zhvillimin ekonomik që ajo ka prodhuar e kanë përjetuar si inflacion më shumë se si rritje të ardhurash. Rritja marramendëse e çmimeve të apartamenteve në Tiranë, një shenjë e qartë e zhvillimit të kryeqytetit, është fitimprurëse për një pakicë pronarësh por është një grusht ekonomik për shumicën e qytetarëve dhe sidomos të brezave të rinj.
Ndërkohë opozita shqiptare merret më shumë me hallet e Berishës sesa sa me krizën socio-ekonomike në të cilën ndodhet shumica e shqiptarëve. Ashtu sikurse mjaft media kryesore shpesh merren më shumë me hallin e pronarit sesa me atë të qytetarit dhe për pasojë humbasin besueshmërinë në sytë e publikut. Shumica dërrmuese e gazetarisë shqiptare sot zhvillohet brenda unazës së vogël të Tiranës.
Ngushtimi i hapësirës publike tek interesat e pronarëve të saj e bën të pamundur zhvillimin e demokracisë si një sistem politik në qendër të të cilit ndodhet agora e lashtë greke, që në thelb ishte një hapësirë publike. Në momentin që agorat politike, mediatike apo akademike privatizohen nga shefi politik, mediatik apo akademik i rradhës gara politike reduktohet tek servilizmi ndaj shefit, gazetaria transformohet në autoparlant të pronarit dhe akademia kufizohet tek rroga. Në këto kushte demokcracia reduktohet në një lojë të ngushtë interesash private ndërsa publiku në një spektator cinik dhe pasiv.