Ekonomia

Pro dhe kundër importit të plehrave

Një nismë e depozituar në Kuvendin e Shqipërisë për lejimin e importit të mbetjeve hapi sërish debatet nëse duhet lënë hyrja e tyre në territorin tonë apo jo. Përballë rrezikut që i kanoset shëndetit të qytetarëve nga futja e lëndëve të rrezikshme, një tjetër sfidë qëndron te vendimmarrësit: falimenti i afro 60 shoqërive që riciklojnë mbetjet vendase, gjë e cila degradon sërish mjedisin dhe sjell pasoja për të gjithë. Por sa është gati Shqipëria për të lejuar këtë import dhe çfarë i kujton industria e riciklimit politikanëve dhe shoqërisë civile?

Vullnet Haka, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ricikluesve të Shqipërisë është mjaft i zhgënjyer nga keqinterpretimi dhe populizmi që shumë ambientalistë kanë përdorur në emër të shpëtimit të shëndetit publik. Për të qytetarët “harrojnë” se, në fakt, ka qenë kjo industri e cila ka shpëtuar në vite ndotjen e Shqipërisë duke ricikluar mbetjet, duke investuar miliona euro dhe po ashtu duke mbajtur me pagë, edhe pse modeste, shtresat më vunerabël të saj.

Në një intervistë për “Monitor”, Haka thotë se në fakt e gjithë nisma ligjore është keqkuptuar dhe përdorur për interesa të ngushta. Pikësëpari, ricikluesit i kujtojnë të gjithëve rrugën e sigurt të importit të mbetjeve dhe futjen e tyre në territorin shqiptar, në bazë të mekanizmave dhe direktivave që përdor Bashkimi Europian dhe po ashtu ata thonë se po lexohet vetëm njëra anë e ligjit. Industria e riciklimit në Shqipëri kërkon që pushteti vendor të nisë të zbatojë ndarjen e mbetjeve, e cila do të përmbushte 70% të kapacitetit të tyre, ndërsa pjesën tjetër kërkon ta marrë nga jashtë. Pyetja që kjo industri ngre është se si mund të punojë një biznes pa lëndë të parë?

Por shoqëria civile nuk mendon kështu, Aleanca Kundër Importit të Plehrave thotë se po rikthehet i njëjti ligj që ka qenë në vitin 2011, me të njëjtën listë të mbetjeve ku një pjesë ekspertët i cilësojnë të rrezikshme. Elsa Ballauri është aktiviste e shoqërisë civile dhe anëtare e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Ajo thotë se kjo është një lojë që biznesi dhe qeveria po bën në kurriz të qytetarëve, duke përfituar paratë e të ardhurave e ndikuar nga interesa të ngushtë. “Është një ligj i vjetër dhe është një debat që është bërë prej kohësh dhe me qeverinë e parë. Ka pasur një listë me kategoritë e mbetjeve që lejoheshin të hynin në Shqipëri dhe një pjesë e tyre ishte mjaft e rrezikshme, madje një pjesë e tyre shumë e rrezikshme”, thotë ajo.

Një nga nismëtarët e këtij ligji në Kuvend, Ervin Bushati, thotë se i gjithë debati që po bëhet është keqkuptuar, pasi nisma në thelb ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit. “Njeriu bashkëjeton me natyrën. Për ta mbrojtur atë dhe për ta pasur si burim rigjenerimi, duhet që të investojmë në riciklim dhe në strategji të integruar për menaxhimin e mbetjeve që krijon puna dhe ekzistenca jonë. Ndaj na duhet një përqasje ambientaliste dhe funksionale ekonomike për të mbrojtur mjedisin dhe për të jetuar në mirëqenie si shoqëri. Praktikat më të avancuara në Europë i kthejnë në kapital dhe jo barrë mbi mjedisin, mbeturinat e punës dhe zhvillimit të pandalshëm njerëzor”.

Por shoqëria civile e konsideron këtë ligj si një turp politik për qeverinë ‘Rama’, e cila më parë mori vota pasi premtoi shfuqizimin e këtij ligji që tashmë po e rikthen. “Politikisht është turp i kësaj qeverie sepse fitoi shumë vota nga kundërshtimi që i bëri para zgjedhjeve dhe pati kurajën ta largojë që në ditët e para këtë ligj dhe tani vjen e kthen në një kohë ku askush nuk e ka mendjen, pasi kemi një situatë të ndezur dhe me tensione politike. Është zgjedhur kjo periudhë që çështja të mbetet jashtë vëmendjes së publikut”, – thekson Ballauri.

Riciklimi për Ervin Bushatin shpesh keqkuptohet. Ai thotë se është një standard mirëqenie ekonomike dhe tregues ndërgjegjësimi për të gjitha shtresat. “Koncepti i riciklimit është tashmë një standard në të gjitha shtëpitë europiane, por mbetet ende diçka e padëgjuar ose të paktën e pakonsiderueshme në shumicën e mjediseve shqiptare. Po çfarë është realisht riciklimi? Riciklimi është procesi i mbledhjes dhe përpunimit të materialeve, të cilat janë të destinuara për t’u hedhur si mbetje dhe kthimi i tyre në produkte të reja konsumi. ‘Pakëso, ripërdor, riciklo’, është slogani i riciklimit që promovon ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe prodhuesve”, thotë ai.

Aktivistët e AKIP thonë se nuk mbeti zhvillimi i industrisë ricikluese në plehrat e gatshme që merren nga jashtë, por mbledhja e tyre në territorin shqiptar. “Sigurisht që bizneset mendojnë për veten. Ne nuk kemi biznese kaq humane për të parë se cila është e mira publike dhe nuk kemi biznese që të mendojnë jashtë politikave dhe interesave të ngushtë për të fituar. Më e keqja është se interesat e tyre shpesh lidhen me ato të politikanëve dhe pala më e dëmtuar është qytetari. Ne kemi parë shpesh që interesat e politikanëve lidhen me ato të biznesit dhe kjo nuk ka nevojë për më shumë fjalë”, shton Elsa Ballauri.

Bushati tregon se qëllimi i ligjit është të riciklojë mbetjet vendase. “Me miratimin e ligjit ‘Mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve’, objektivat janë që 25% e mbetjeve urbane të riciklohen prej vitit 2015, dhe 50% e tyre të riciklohen në vitin 2020. Nga ana tjetër, ka rreth 15 vjet që BE-ja ka përcaktuar objektivat e riciklimit, duke ecur në drejtim të idesë për një shoqëri të riciklimit përmes një legjislacioni të mirëpërcaktuar”, argumenton ai. “Për këtë është folur shumë herët, por ligji nuk ndryshoi por ai ka mbetur i njëjtë. Një pjesë e plehrave në listë ishin të dyshimta ne duam rishikim të listës, ne duam debat me specialistët që të ndahen përgjegjësitë dhe të ndahen punët. Vërtet duan material për ta ricikluar por me plehrat e Shqipërisë çfarë po ndodh. Lista duhet riparë dhe duhen ekspertët që ta përcaktojnë. Disa ekspertë thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ne nuk jemi kundër idesë së riciklimit, por më parë duhet të vijnë e ta diskutojnë e jo të depozitojnë një nismë fshehurazi. Kjo lë për të dyshuar!”, përfundon Ballauri.

————–

 

Biznesi i riciklimit është në kushte mbijetese

Intervistë me z. Vullnet Haka, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ricikluesve të Shqipërisë

 

Përse ka shumë vite që Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë kërkon me ngulm importin e mbetjeve?

Bëhet fjalë për diçka shumë të rëndësishme për industrinë tonë: mbetjet janë lëndë e parë për riciklimin si çdo produkt tjetër në çdo vend dhe në çdo ndërmarrje. I vetmi vend në rruzull është Shqipëria që e pengon futjen e këtyre lëndëve me qëllim riciklimin. Në kundërshtim me Shqipërinë ka vende që kufizojnë eksportin ose nuk e lejojnë fare daljen jashtë të tyre me qëllim që të zhvillojnë industrinë e tyre. Kjo është një “no sens” logjik, sepse edhe në bazë të marrëveshjeve së stabilizim-asocimit dhe rregullave të vendosura nga organizata botërore të tregtisë, është e parashikuar me ligj kur ndalohet importi. Importi ndalohet kur ai shkakton dëm në mjedis apo shëndet publik. Kështu që të gjithë argumentet këtu përdoren në bazë të supozimeve hipotetike. Si e ndalon këtë import Organizata Botërore e Tregtisë dhe BE? Ato i thonë qeverisë se nëse shkaktohen dëme në mjedis merr masa dhe analizo e për 6 muaj kthe përgjigje dhe nis sërish lejimin e importit, nëse kërkon kohë shtesë, qeveria merr dhe 6 muaj të tjera. Pra maksimumi që ndalohet është 1 vit. Ne jemi në vitin e tretë të ndalimit. Qeveria duhet ta kishte ezauruar këtë që para dy vitesh. Më në fund një grup deputetësh morën nismën ligjore që ta mundësojnë këtë dhe ne e përshëndesim.

Sa është investuar nga bizneset në industrinë e ricklimit?

Industria e riciklimit është një bashkudhëtare e investimit dhe biznesit pas viteve ‘90 në Shqipëri. Gjithë planifikimi dhe investimet janë bërë në bazë të legjislacionit që ka pasur Shqipëria. Në vitin 2011 u hartua ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili bëri të mundur në Shqipëri importin e tyre. Investimet që ka bërë industria jonë kanë qenë në rritje në përshtatje me kapacitetet dhe teknologjinë e kohës, pavarësisht vendimeve që ka marrë qeveria. Janë 200 milionë euro investime që kur ka filluar punën kjo industri dhe deri tani. Por në tre vitet e fundit investimet janë ndalur, ka pasur më tepër rregullime të vogla për t’u përshtatur pas këtyre masave që u morën. Ne po punojmë me më pak se 30% të kapaciteteve, jemi në kushte mbijetese. Alarmi është për qeverinë se nëse falimentojmë ne, do të dështojë edhe riciklimi i mbetjeve. Aktualisht edhe mbetjet që menaxhohen brenda vendit, ne nuk mund të mendojmë se pushteti vendor nuk do ta implementojë këtë ligj, i cili bën të mundur ndarjen e tyre. Nëse kjo ndodh, atëherë ne do të kemi lëndë të parë, industria jonë kërkon ato mbetje që nuk rigjenerohen më dhe që nuk kthehen.

Sa të punësuar ka industria juaj? Ju keni dhe një pjesë të shtresave vulnerabël të shoqërisë, që janë treg informal dhe nuk mund të numërohen dot, por a keni një shifër të tyre?

Punonjësit e punësuar drejtpërdrejt te ne janë të gjithë siguruar, janë 3000 vetë që janë të punësuar te ne. 35 deri në 40 mijë të tjerë në të gjithë Shqipërinë janë grumbullues të vetëpunësuar që shkojnë dhe i çojnë te kompanitë e riciklimit. Në fund të ditës, ata shesin mbetjet dhe marrin paratë, duke nxjerrë kështu nevojat e familjes së tyre. Ne i kemi propozuar Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që t’i futë ata te profesionet e lira, të mos paguajnë taksa, por të jenë të regjistruar, të jenë të identifikueshëm. Nuk kemi gjetur mirëkuptim nga institucionet shtetërore. Kjo është shtresa më vulnerabël për të hyrë në tregun e punës, kanë gjetur një mënyrë të mbijetojnë janë pa arsim. Ka një tendencë për të mos i vlerësuar por ata në fakt mbrojnë mjedisin.

Mendoni se duhet të zbatohet të paktën një pjesë e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, pjesa që bën ndarjen e tyre nga bashkitë?

Do të doja të fokusoja pikërisht këtë. Gjithë debati është i përqendruar te importi, por pika më e madhe që duam ne është që pushteti lokal të bëjë ndarjen e mbetjeve në burim dhe pjesën më të madhe të lëndës së parë ta marrim në vend.

Sa i përket debatit se rrezikohet futja e mbetjeve të rrezikshme, sa i mbrojtur është territori shqiptar dhe a ka infrastrukturë dogana në vendin tonë për të bërë këtë kontroll?

Infrastruktura është në dogana pa diskutim, ekziston sipas Konventës së Bazelit dhe është e njehsuar me kodin doganor, është dhe katalogu mjedisor i mbetjeve që i klasifikon si të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Praktikisht nuk ka asnjë pengesë për të ndaluar kontrollin dhe monitorimin e lëndëve të para. Kohët e fundit është instaluar një laborator modern që bën analiza të shumëllojshme nga më të ndryshmet, për të verifikuar nëse ka mbetje të rrezikshme. Dua të theksoj se që nga vendet ku merren mbetjet e deri te ne ekziston një zinxhir monitorimi, transporti, tranzitimi në dogana i pakapërcyeshëm. Lihet një person që shoqëron eksportin deri te importuesi final, që është një kusht të ketë dhe impiantin e riciklimit. I gjithë ky protokoll eksporti quhet “dokumenti i lëvizjes ndërkombëtare të mbetjeve” dhe kërkon të dhëna se cili person e merr, në cilën doganë kalon dhe cili është importuesi që e merr dhe a ka impiant të ricikluar. Këtë rrugë e kanë ngritur vendet e BE-së. Me këtë nismë të re që është depozituar në Kuvend futet komplet legjislacioni i Bashkimit Europian. Kemi ngritur një stuhi në gotë uji. Kosova ka 8 vite shtet dhe ka 3 vjet që e ka lejuar futjen e mbetjeve. Ka një problematikë në origjinë në vitin 2004, që atëherë kishte mbetje të përziera të cilat kishin destinacion djegien, prandaj opinioni publik është i frikësuar. Segmente të caktuara të shoqërisë civile e bëjnë këtë për interesa të ndryshme dhe përfitime populiste.

A keni pasur kontakte me AKIP, Aleancën Kundër Importit të Plehrave dhe a keni dëgjuar ankesat që ata kanë?

Ne ua japim të gjitha projektet dhe të vijë të ulet të bisedojë me ne dhe t’i sqarojmë. Ata na refuzuan të na takonin dhe dëgjonin, ka qenë refuzuese edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për të biseduar dhe për të na dëgjuar. Ata janë të mirëpritur të kontrollojnë dhe monitorojnë sa herë të duan, shoqëria civile dhe kush të dojë.

Pro

Ka një rrugë të sigurt të importit të mbetjeve dhe futjen e tyre në territorin shqiptar, në bazë të mekanizmave dhe direktivave që përdor Bashkimi Europian.

Për të mbrojtur natyrën dhe për ta pasur si burim rigjenerimi, duhet që të investojmë në riciklim dhe në strategji të integruar për menaxhimin e mbetjeve që krijon puna dhe ekzistenca jonë.

Industria ricikluesve: Alarmi është për qeverinë se nëse falimentojmë ne, do të dështojë edhe riciklimi i mbetjeve.

Kundër

Kjo është një lojë që biznesi dhe qeveria po bën në kurriz të qytetarëve, duke përfituar paratë e të ardhurave e ndikuar nga interesa të ngushtë.

Lista duhet riparë dhe duhen ekspertët që ta përcaktojnë. Disa ekspertë thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ne nuk jemi kundër idesë së riciklimit, por më parë duhet të vijnë e ta diskutojnë e jo të depozitojnë një nismë fshehurazi. Kjo lë për të dyshuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button