Te ndryshme

Probabiliteti: Tre avionë të rrëzuar për tetë ditë, çfarë thotë matematika?

avioniNë hapësirën e tetë ditëve, tre avionë që transportonin pasagjerë u rrëzuan në mes të fluturimit. A janë rastësi aksidentet kaq të shpeshta?

BBC 

I pari aksident ndodhi të enjten e 17 korrikut, kur fluturimi MH17 i Malaysia Airlines ra nga qielli në Ukrainën Lindore, me sa duket i qëlluar nga një raketë. Shtatë ditë më vonë një avion u përplas në Tajvan dhe në ditën e tetë një tjetër fluturim u rrëzua gjatë destinacionit Algjeri-Burkina Faso. Në të gjithë aksidentet kanë vdekur gjithsej 462 njerëz.

Disa njerëz mund të kenë filluar të pyesin veten sesa siguri ka të fluturosh?

Por Harro Ranter, drejtor i Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit që përllogarit përplasjet e avionëve, thotë se një grup i tillë aksidentesh nuk është i pazakontë. Duke analizuar numrin dhe frekuencën e përplasjeve fatale të avionëve që ishin në gjendje të mbanin të paktën 14 pasagjerë që nga viti 1990, ai zbulon 45 data kur kanë ndodhur dy ose më shumë përplasje.

Në 105 raste kanë ndodhur aksidente në ditët pasuese. Në fakt, Ranter thotë se është më e zakonshme për një aksident të ndodhë një ditë pas një përplasjeje tjetër, sesa dy apo tri ditë më pas.

Përse ndodh kështu?

“Është përgjithësisht një rastësi, përveç motit të pafavorshëm me stuhi që ndodh në stinë të caktuara”, thotë Arnold Barnett, profesor i statistikave në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. Megjithatë, Barnett tërheq vëmendjen për teorinë e shpërndarjes së Pauson (sipas matematikanit francez). Teoria ngrihet mbi hipotezën se intervale të shkurtra kohore mes përplasjeve janë më të mundshme se ato të gjata.

“Le të supozojmë se është një mesatare prej një aksidenti fatal në vit, që do të thotë se shanset e përplasjes për çdo ditë janë 1 në 365”, thotë Barnett. “Nëse ndodh një përplasje më 1 gusht, shansi që të ndodhë një tjetër aksident ajror një ditë më vonë është 1/365. Por shansi që të ndodhë një tjetër përplasje më 3 gusht është (365/365) x (1/365), sepse përplasja tjetër ndodh më 3 gusht vetëm nëse nuk pati përplasje më 2 gusht”.

“Duket diçka e kundërt me pritshmërinë, por përfundimi ndjek rigorozitetin e ligjeve të probabilitetit”, thotë Barnett.

Rreth 500 pasagjerë vdesin në aksidente që përfshijnë fluturime të planifikuara çdo vit, dhe ndonëse ky numër është tejkaluar për 2014-n, me rreth 200, ne nuk duhet të presim muajt në vazhdim të kenë numër të lartë aksidentesh.

Barnett thekson se gjatë muajit prill, maj dhe qershor të këtij viti, nuk pati aksidente që përfshinin fluturime komerciale të planifikuara. “Është e vështirë për t’u imagjinuar që shtysa që udhëhoqi këtë rekord të mrekullueshëm, u zhduk në një farë mënyre në korrik”, thotë ai.

Profesori i statistikave llogarit se në vendet e zhvilluara shansi i vdekjes është rreth 1 në 25 milionë për fluturim. “Një fëmijë në një aeroport në Britaninë e Madhe ka më shumë gjasa të rritet e të bëhet kryeministër sesa të humbë jetën në aksident. Ai ka më shumë shanse të fitojë një medalje të artë olimpike apo të marrë një çmim Nobel në fizikë”.

Edhe në vendet më pak të zhvilluara të botës, shansi i vdekjes në një fluturim është rreth 1 në 750 mijë. I pyetur për dukurinë e tri përplasjeve fatale në tetë ditë, David Spiegelhalter, profesor për Kuptimin e Rrezikut Publik në Universitetin e Kembrixhit, ka kuptuar se ka mundësi gjashtë me dhjetë që të shohim një ngjarje të ngjashme gjatë 10 viteve të ardhshme. Numri maksimal i mundshëm i aksidenteve të avionëve komercialë me mbi 18 pasagjerë në çdo tetë ditë për 10 vite është tre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button