Procedim penal për marrëveshjen e detit
“Prokurori i Përgjithshëm ka të gjithë dokumentacionin përkatës, ka vendimin e Gjykatës Kushtetuese në dorë, ka praktikën e së drejtës ndërkombëtare, e cila konsiderohet tërësisht e shkelur nga gjykata…”, kishte thënë Ditmir Bushati, një ditë më parë.
“Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se nga marrëveshja e detit me Greqinë janë cënuar rëndë interesat e Shqipërisë, e për këtë ka regjistruar procedimin penal, që vjen pak kohë pasi Ministria e Jashtme depozitoi në organin qendror të akuzës një material voluminoz për çështjen më të debatuar që nga viti 2009. Prokurorët e mbajtën këtë çështje nën verifikim për disa kohë, deri sa ata u bindën se në materialin e Ministrisë së Jashtme ka të dhëna të mjaftueshme,
që i bëjnë ata të dyshojnë se është shkelur neni 210 i kodit penal”.
11 ekspertë, të cilët, të aktivizuar përgjatë vitit 2009 për paktin detar, në të cilin Shqipëria humbiste një sipërfaqe prej gati 354 miljesh katrorë sipërfaqe detare, priten të thirren në Prokurorinë e kryeqytetit, në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen, menjëherë pasi dosja kaloi fazën e verifikimeve, një kusht procedurial ky, që ndiqet nga organi i hetimit.
“Ne – thanë pjesëtarë të prokurorisë, – kemi verifikuar dokumentacionin e referuar, më i rëndësishmi i të cilëve është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili anuloi më 26 Janar 2010 zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar si antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare”.
Mes ekspertëve, që do të thirren për t’u pyetur, janë specialistë që ishin në rolin e negociatorëve, sikurse kryenegociatori i palës shqiptare Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni, në atë kohë me detyrë zëvendës/shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, drejtori i çështjeve juridike dhe ndërkombëtare Ilir Tepelena, drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i sektorit të Hartave Dixhitale.
Për momentin, prokurorët nuk konfirmojnë nëse do të jetë në këtë listë edhe ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, në rolin e njeiut që firmosi marrëveshjen me homologen greke, Dora Bakojanis, kjo pasi – sipas burimeve – është ende herët për ta konfirmuar diçka të tillë, pa përfunduar me pyetjen e 11 ekspertëve.
Në kodin penal, konsumimi i veprës penale të parashikuar nga neni 210, parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.