“Procesi i Berlinit”, Shqipëria dhe Serbia përfitueset më të mëdha
Shqipëria dhe Serbia konsiderohen si përfitueset mëtë mëdha nga i ashtuquajturi “Procesi i Berlinit”. Kështu thuhet në studimin e realizuar mbi progresin e bërë nga vendet pjesëmarrëse në këtë projekt të iniciuar nga Gjermania (Foreign Policy Papers No.1, 2017, Stocktaking of the Berlin Process).
Sipas dokumentit, Shqipëria u bë selia e disa organizmave të rëndësishme rajonale siç është RYCO ( Zyra rajonale për bashkëpunimin e të rinjve) dhe Western Balkan Fund.
Ndërsa Serbia, për shkak të pozicionit gjeografik qendror është përfituese më e madhe sa i përket Axhendës së Ndërlidhjes, si dhe luan një rol drejtues në dimensionin e biznesit sa i përket procesit, kjo pasi së bashku me Odën Ekonimike të Kosovës po bëjnë të mundur që dhomat tregtare të lidhen mes tyre dhe të promovojnë investimet, turizmin etj.
Por, mbi të gjitha, thuhet në këtë studim, si Shqipëria, ashtu edhe Serbia kanë zhvilluar më tej marrëdhëniet mes tyre nën ‘ombrellën” e Procesit të Berlinit.
Në total janë 50 nisma rajonale që duket se kanë pasur një progres të mirë, thuhet në këtë studim, që po japin rezultat në lidhjen mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse këto iniciativa i përkasin fushave të ndryshme ato kanë një qëllim të përbashkët: stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin drejt BE-së të rajonit.
Por, cila ka qenë fusha në të cilën procesi i Berlinit ka shënuar më shumë sukses? Kjo, thuhet në studim, do të mund të zbulohet në samitin e radhës që do të mbahet së shpejti në Trieste, axhenda e së cilës do të fokusohet në : sigurinë dhe rritjen, sundimin e ligjit dhe korrupsionin, mjedisin e biznesit dhe inovacionin, qeverisjen efikase, të gjitha çështje që paraqesin probleme për rajonin.
Procesi i Berlinit u lançua në 28 gusht 2014 dhe do të përfundojë në vitin 2018. Është një iniciativë e Bashkimit Europian për të mbështetur integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një nismë e re e cila ecën paralelisht me atë të përafrimit me legjislacionin europian, si dhe me hapjen e 35 kapitujve për secilin shtet.