Produktet e Mesdheut, tani prodhohen nga fermerë shqiptarë
Disa produkte të Mesdheut kanë hyrë dhe po bëhen shumë të kërkuara në kuzhinën, restorantet shqiptare, por dhe në tokën tonë.
Prej disa kohësh, arugula, ose rukola siç njihet ndryshe, prodhohet edhe në Divjakë e Lushnjë së bashku, finokun dhe brussel sprout e njohur ndryshe si lakra e vogël pranverore. Interesi i fermerëve të rinj në zonën e Divjakës, po shtohet nga dita në ditë për kultivimin e këtyre produkteve të veçanta bujqësore, që nuk janë mbjellë më parë në vendin tonë.
Kjo jo vetëm për faktin e kërkesës në rritje të tregut konsumator por edhe për eksportet e fitime më të mëdha financiare.
Sipas ekspertëve, vetëm me kulturën e lakrës së vogël në Divjakë mund të ketë afro 20 ha të mbjellë, me një prodhim prej rreth 1.140 ton në vit. Në një kohë kur gjatë viteve të fundit kërkesat për këtë lakër speciale janë shtuar veçanërisht nga Polonia dhe Lituania.
Por modeli i kultivitimit të bimëve mesdhetare shtrihet në fermerë të tjerë me kultura të ndryshme duke e kthyer, Divjakën, pjesë e hambarit të Shqipërisë, në qëndrën e prodhimeve të veçanta Mestare.
Fermerët kultivues të këtyre produkteve, shprehen të kënaqur për investimet që kanë bërë. Në pak kohë thonë ata, kemi pasur kërkesa nga vende të BE-së dhe po ecën shumë mire prodhimi dhe eksporti i këtyre produkteve.
Ekspertët e e bujqësisë vlerësojnë se, këto janë bimë shumë interesante dhe delikate. Si të tilla ato kanë nevojë për një kujdes më të veçantë nga fermerët dhe njohje më të madhe nga konsumatorët në lidhje me cilësitë dhe vlerat e tyre. Pikërisht mosnjohja e këtyre produkteve dhe tregu i vogël, i bëjnë fermerët skeptikë, nëse duhet të prodhojnë më shumë, pasi nuk dinë a do të mund të ketë treg për to. Ashtu siç është rasti i disa fermerëve të tjerë të cilët prodhojnë rukola dhe erëza të tjera në serrën e tyre me klientë të dedikuar dhe me disa restorante në Tiranë, në vend që ta shesë në treg. Gjithësesi modeli i risive të prodhimit bujqësor po shënon zhvillime të reja me premisa optimiste për këtë sektor.