Ekonomia

Produkteve bujqësore autentike shqiptare me një markë të unifikuar

USAID dhe Creative Business Solutions (CBS) prezantuan projektin Brand Albania në mbështetje të agrobiznesit dhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Catherine Johnson, diskutuan mbi rëndësinë e projektit dhe rolin e rëndësishëm të bujqësisë dhe turizmit në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Projekti do të krijojë një trupë kombëtare për një markë të unifikuar të produkteve bujqësore autentike shqiptare dhe integrimin e tyre në nisma për turizmin.

Shtatë institucione publike dhe private do të bashkërendojnë punën për të zbatuar me sukses Projektin Brand Albania. Partnerët kryesorë si anëtarë të Komitetit Drejtues në Projekt janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson vlerësoi se përmes këtij projekti nxitet njohja e vlerave të vërteta të produkteve autentike shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Një nyjë e rëndësishme kjo, në ndërthurjen dhe zhvillimin e agro-turizmit në Shqipëri.

“Ne duam t’u themi se sa shumë Bashkimi Europian dhe tregjet ndërkombëtare i kërkojnë dhe i tërheqin produktet tradicionale, të cilat janë të certifikuara për cilësinë dhe standardet e tyre. Pikërisht, ky projekt do të nxjerrë në pah këto cilësi për t’i promovuar produktet autentike shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ne e dimë fort se sa e rëndësishme është bujqësia në Shqipëri dhe sigurisht prodhimet e saj. Identifikimi i produkteve autentike, me cilësi të lartë dhe me standard të lartë gjithashtu do të sjellë një imazh pozitiv tërheqës për prodhimet e veçanta shqiptare.

Ky është një projekt unik i cili ndërthur bujqësinë dhe turizmin, dy sektorë që USAID prej kohësh po i mbështet fort dhe ku ne besojmë, për potencialin e madh që ato kanë. ” u shpreh Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Catherine Johnson.

“Një mundësi të jashtëzakonshme për agro-turizmin shqiptar”, e cilësoi Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi projektin “Brand Albania”.

Ai tha se ky është një projekt i munguar prej kohësh dhe do të shërbejë si vula e identitetit të prodhimeve shqiptare, në nisjen e një rrugëtimi pa kthim drejt të ardhmes së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për sfidën e produkteve tipike të zonave tradicionale dhe vjen në kohën e duhur. Një prodhim tipik mund të ketë një vlerë shumë të lartë por nëse nuk ka një brand apo markë vlera e tyre është disa fish më e ulët se sa vlera që në të vërtetë meritojnë.  Nëse do jemi të suksesshëm në krijimin e një brandi për prodhimet tradicionale shqiptare, nëse do të jemi të suksesshëm për t’i nxjerrë këto prodhime tradicionale në treg duke u dhënë statusin që u takon për t’i bërë të denja për një treg që imponon standarde të larta siç është Bashkimi Evropian, ne do të jemi në gjendje për t’i ruajtur këto produkte. Këto produkte krahas vlerave të mëdha që kanë në kulinarinë tonë janë edhe një mjet shpëtimi për strukturën ekonomike të fshatit shqiptar dhe hapësirës rurale në vendin tonë. Ky projekt do t’i ndihmojë agro prodhuesit të gjejnë kanalet e duhura për t’i marrë vlerën maksimale prodhimeve tipike. Ne do të jemi në mbështetje të fortë të këtij projekti, i cili me patjetër do të jetë i suksesshëm dhe do të shndërrohet në një logo që do t’i qëndrojë kohës” tha Peleshi.

Nga ana e tij, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se objektivat janë të qarta dhe se të gjitha përpjekjet po shkojnë për një Shqipëri me turizëm 12 mujor dhe një turizëm që shtrihet nga Veriu në Jug.

“Përpjekja e sotme, padyshim, nxit dhe promovon këtë përpjekje të përbashkët që të gjitha institucionet e këtij vendi kanë pranuar që Shqipëria duhet të jetë një destinacion turistik i diversifikuar që nuk afrohet vetëm për 60 ditët e sezonit të turizmit por është një turizëm permanent. Kjo iniciativë e sotme shkon si një certifikim nëpërmjet dhomës së zejeve dhe prodhuesve lokalë për të prodhuar brandin shqiptar. Sa do të kemi ne të mundur që veprimet tona të shkojnë në përputhje me atë çfarë zejtarët prodhojnë kjo do të jetë një pëpjekje e vështirë për të cilën ne duhet të bashkëpunojmë të gjithë” u shpreh Ministri Klosi.

Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, diskutoi mbi mënyrat se si Brand Albania do të shërbejë si një platformë ndërlidhëse për të gjitha palët ekzistuese të interesit, si dhe për projektet në bujqësi, turizëm dhe agro-turizëm, duke shërbyer edhe si katalizator i agro-turizmit përmes promovimit të karakteristikave unike, cilësore dhe autentike të produkteve bujqësore të përzgjedhura shqiptare e duke i përdorur ato si ‘ambasadorë’ të turizmit.

“Projekti “Brand Albania” synon krijimin e një strukture apo mekanizmi, i cili do të promovojë produktet shqiptare duke u dhënë akses në tregjet e brendshme lokale dhe gjithashtu në tregjet ndërkombëtare. Ne mendojmë dhe besojmë se ky projekt do të rrisë gjithashtu edhe konkurrencën në sektorin e bujqësisë shqiptare.  Natyrisht që, ky mekanizëm do të jetë në përputhje me standardet e Komunitetit Evropian. Detyrë e këtij projekti është të krijojë vizionin dhe modelin e biznesit që ky organizëm të funksionojë edhe pas projektit të USAID. Qëllimi është krijimi i një projekti, vizioni i të cilit do të jetë i qëndrueshëm edhe me kalimin e kohës”, u shpreh Jaço.

Aktiviteti u mbyll me një mini – panair produktesh autentike shqiptare.

Aktivitetet kryesore të projektit Brand Albania, përfshijnë por nuk kufizohen me hapat e mëposhtëm:

• Krijimi i një partneriteti publik-privat për agro-turizmin, me qëllim themelimin e një dialogu më efikas ndërmjet sektorëve në nivel kombëtar. Këtu përfshihet edhe ngritja e një Komiteti Drejtues me pjesëmarrjen e palëve kryesore të interesit, për analizimin, diskutimin dhe vendim-marrjen.
• Përpilimi, përcaktimi dhe shqyrtimi i nismave ekzistuese të njëjta ose të ngjashme, evenimenteve, produkteve, etj.
• Krijimi i një marke kombëtare ose nën-marke që do të promovojë produkte cilësore dhe nisma turistike, si dhe do të përmirësojë mundësitë për prodhuesit lokalë të Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
• Rritje e ndërgjegjësimit për nevojshmërinë e çertifikimeve ndërkombëtare dhe plotësimit të standardeve, si dhe rritje e cilësisë së produkteve dhe mundësisë për eksport.

Në kuadrin e programit të USAID-it për rritjen e ekonomisë rajonale (REG), USAID/Shqipëri, së bashku me partnerin e aktivitetit lokal, Creative Business Solutions (CBS), ka nisur një projekt për të zhvilluar një markë kombëtare për produkte ushqimore autentike shqiptare.

Projekti, nëpërmjet një financimi prej $ 500,000 nga REG, do të ofrojë asistencë të drejtpërdrejtë teknike për sektorin privat, duke inkurajuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me Qeverinë Shqiptare për të krijuar ‘Brand Albania’, një instrument që promovon prodhime vendore të cilësisë së lartë dhe iniciativa të lidhura me turizmin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button