Politika

Programi IPARD II/ Opozita akuza qeverisë: SPAK të hetojë pa humbur kohë skemat korruptive

Opozita ka akuzuar qeverinë për abuzim me fondet e BE-së për mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve. Megjithëse qeveria, sqaroi më herët se IPARD II nuk është ndërprerë, përfaqësues të opozitës e kanë konsideruar rastin një tjetër skandal korrupsioni nga ana e mazhorancës, pas inceneratorëve.

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje SPAK-ut të mos humbas kohë por të nis hetimet mbi skemat korruptive.

“Pezullimi i granteve për bujqësinë të programit IPARD nga ana e Komisionit Europian tregon se si kjo qeveri nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE. SPAK duhet të hetojë pa humbur kohë skemat korruptive. E zhytur në skandale korruptive kjo mazhorancë arrin deri në dhunimin e parlamentarizmit vetëm për të kontrolluar edhe Akademin e Shkencave. Të gjithë politikanët duhet t’i nënshtohen vetting-ut, hetimit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre si dhe marrëdhënieve me persona të botës së krimit”- tha Basha.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi theksoi se “ky është nga rastet e rralla që pezullohet një projekt, ndalohen fondet aq të nevojshme për bujqësinë tonë, për shkak se qeveritaret, zyrtarët, ministrat, pra qeveria e Edi Ramës, vjedh”.

Sipas Bardhit, tashmë s’ka më justifikime për Edi Ramën.

“Vendimi i BE, për të pezulluar financimin e bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë për shkak të korrupsionit qeveritar, është një prej goditjeve më të mëdha që ka marrë vendi në rrugen e integrimit europian, në dekadën e fundit.

BE ka vedosur gjithnjë kushte dhe kritere, ka ushtruar presion ndaj autoriteteve duke kërkuar standarde dhe demokraci. Por ky është nga rastet e rralla që pezullohet një projekt, ndalohen fondet aq të nevojshme për bujqësinë tonë, për shkak se qeveritaret, zyrtarët, ministrat, pra qeveria e Edi Ramës, vjedh. Vjedh në këtë rast paratë që vijnë nga taksapaguesit europianë.

Ky akt i BE që vjen pas një hetimi të gjatë që ata vetë kanë bërë, tejkalon çdo analizë, çdo raport progresi, çdo lëvdatë e formalizëm, dhe tregon gjendjen reale, nxjerr haptazi në dritë si funksionon qeveria e Edi Ramës, ku drejtuesit dhe ministrat e tij, duan para në dorë për çdo projekt.

Pas këtij hetimi të BE, gjëja më normale do të ishte që drejtesia jonë të vinte para përgjegjesisë penale, Ministren e Bujqësisë, e cila para se të promovohej nga Rama ka qene shefe e AZHBR, direkt përgjegjese për fondet bujare të BE që janë abuzuar këtu.

Është e papranueshme që fermerët e bujqit tanë punëtorë e të varfër, të ndëshkohen për hajdutërinë e qeverisë së Edi Ramës. Teksa nuk ju gjendet në krah, kjo qeveri u bën edhe më keq, duke ndaluar kështu një projekt jetik si IPARD, për shkak të vesit që Rama dhe të tijtë kanë për të vjedhur.

Pas ketij vendimi të BE, nuk ka më asnjë justifikim për Kryeministrin, asnjë fjalim të dalë boje për përgjegjësi personale. Ai është i rrethuar nga të korruptuar nga bujqësia te financat, nga mbrojtja te diplomacia, nga shëndetësia te punët publile, e në çdo sektor të qeverisjes. Sepse, ai vetë është në krye, është bosi i korrupsionit”- shkruan Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se kapja totale e shtetit dhe drejtësia me regji do të sjellin pasoja edhe më të rënda për vendin.

“Sikur të mos mjaftonte deri tani nënfinancimi në ekstrem i bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, duke e renditur vendin të fundit në rajon dhe Europë dhe sidomos me një diferencë skandaloze të mbështetjes krahasuar me fqinjët, tani bujqësisë se rrënuar në mbijetesë i ndërpritet edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian për shkak të korrupsionit shpërthyes.

Kapja totale e shtetit dhe drejtësia me regji do të sjellin pasoja edhe më të rënda për vendin dhe qytetarët tanë sepse korrupsioni dhe pushteti me çdo cmim janë të vetmet qëllime të “Rilindjes“”- tha Meta.

Më herët, Ministria e Bujqësisë theksoi se programi IPARD II vazhdon dhe aktualisht po verifikohen disa shpenzime të dyshuara jo konform rregullave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button