Projektbuxheti 2018, Xhacka: Siguron vazhdimësinë e reformës së mbrojtjes
Modernizimi i Forcave të Armatosura, pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare dhe stërvitjet brenda apo jashtë vendit, ishin pikat kryesore të projektbuxhetit të Mbrojtjes për vitin 2018, i cili u prezantua sot nga ministrja Olta Xhaçka në Komisionin parlamentar të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Projektbuxheti i Mbrojtjes për vitin e ardhshëm ka një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar duke arritur në vlerën e 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sipas ministres Xhaçka i përgjigjet më së miri nevojave të Forcave të Armatosura në përmbushjen e misionit të tyre.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ministrja e Mbrojtjes konfirmoi se Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) është në funksion të plotë dhe punon pa asnjë ndërprerje. “Sistemi i vëzhgimit te hapësirës detare është plotësisht funksional dhe në gatishmëri te plotë operacionale. Sistemi punon pa ndërprerje dhe personeli ushtarak punon 24 orë në ditë, 7 ditë të javës për të zbatuar detyrën.” – u shpreh ministrja Xhaçka, duke kërkuar të mos hidhet baltë mbi ushtarakët, të cilët ajo i konsideroi si njerëz të përkushtimit dhe sakrificës.
Gjithashtu ministrja Xhaçka iu përgjigj edhe interesit dhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, në lidhje me projektbuxhetin e Mbrojtjes për vitin 2018.
Më poshtë prezantimi i projektbuxhetit të Mbrojtjes për vitin 2018 nga ministrja Olta Xhaçka në të Komisionin e Sigurisë Kombëtare:
Projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2018 siguron vazhdimësinë e zhvillimit të reformës së Mbrojtjes, në përputhje me angazhimet dhe detyrimet si vend anëtar i NATO dhe kërkesat e dokumenteve kryesorë të planifikimit dhe programimit që ne kemi për Forcat e Armatosura.
Shqipëria ka marrë një angazhim në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që buxheti i Mbrojtjes deri në vitin 2024 të arrijë vlerën e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Para zhvillimit të Samitit të NATO të këtij viti, në muajin prill Ministria e Mbrojtjes ka dakordësuar me Ministrinë e Financave për një plan rritje të buxhetit të mbrojtjes deri në vitin 2024.
Në terma reale projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ka rritje të ndjeshme në krahasim me 2017. Konsolidimi makro-ekonomik dhe fiskal, tashmë ka krijuar premisat e duhura, për plotësimin e detyrimeve të qeverisë shqiptare ndaj Aleancës.
Shqipëria, është një vend që ka nevojë për më shumë rrugë, shkolla, spitale, kopshte, infrastrukturë dhe, debati për të shtuar buxhetin e mbrojtjes, kur nuk ka një rrezik direkt të jashtëm, është i vështirë. Gjithsesi, bazuar në këtë buxhet që na është vënë në dispozicion, ne e tejkalojmë lehtësisht nivelin e ambicies kombëtare, duke marrë pjesë në të gjitha operacionet e NATO.
Për hartimin e buxhetit 2018, strukturat e Forcave të Armatosura, janë mbështetur në dokumentet e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Strategjisë Ushtarake, Planin Afatgjatë të Zhvillimit 2016-2025, planet mbështetëse e në kërkesat e paketës së objektivave të kapaciteteve. Ai përfaqësohet si përkthim i objektivave të vendosura gjatë fazës së planifikimit dhe kërkesave operacionale, që i nevojiten strukturave të Forcave të Armatosura për të përmbushur misionin e tyre kushtetues.
Trendi i rritjes është i dakordësuar gjithashtu edhe me aleatët strategjike amerikanë si edhe me vete NATO. Kjo dakordësi është pritur me vlerësim maksimal pozitiv pasi kemi qenë një nga vendet e para që paraqitën trendin rritës të buxhetit.
Ne buxhetin do ta ndihmojmë edhe me asistencën e aleatëve dhe grantet për vitin 2018. Janë 230 mjete të blinduara, që nëse do të bliheshin të reja, mund të kapnin një vlerë të përafërt me 40 milion dollarë amerikanë. Në fund të këtij viti, Ministria italiane e Mbrojtjes do të dhurojë 5000 armë automatike, vlera e të cilave, nëse do të bliheshin, do të kapte vlerën e 7 milion eurove. Si dhe do të përfitojmë edhe nga granti i përvitshëm turk. (rreth 1 milion dollarë në vit).
Ka një ridimensionim të punës së Forcave të Armatosura në shërbim të komunitetit për Emergjencat Civile. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave i është bashkuar strukturalisht Ministrisë së Mbrojtjes. Ne kemi filluar përshtatjen e strukturave ushtarake për t’iu përgjigjur sa më shpejt të gjitha emergjencave me të cilat përballet popullata.
Do të shfrytëzojmë në maksimum burimet financiare në dispozicion për përballimin e emergjencave civile, por duke koordinuar më mirë punën me pushtetin lokal, në mënyrë që fondet, që bashkitë dhe prefekturat kanë në dispozicion për emergjencat civile, të vihen drejtpërdrejt në shërbim të emergjencave civile. Shumë bashki kanë fonde që nuk i shfrytëzojnë, apo i kalojnë në aspekte të tjera, duke sjellë barrën më të madhe tek pushteti qendror.
Shpenzimet kapitale (investimet) për vitin 2018, kanë një rritje prej 32% më shumë se sa 2017. Kërkesat për modernizim, janë hartuar duke u bazuar ne Programet e Mbrojtjes dhe në Listën e Integruar të Prioriteteve. Këto kërkesa përfshijnë projekte që janë në vazhdimësi si: “Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të hapësirës ajrore”, implementimi i të cilit filloi që këtë vit. Ky projekt është me një shtrirje kohore prej 3 vitesh dhe kushton përafërsisht 22 milionë dollarë. SHBA financon rreth 3 milionë dollarë për projektin. Aktualisht vëzhgimi i hapësirës ajrore kryhet nga NATO.
Sistemet e armatimit në anijet patrulluese janë një objektiv tjetër me rëndësi. Për këtë qëllim, Ministria e Mbrojtjes ka planifikuar në buxhet projektin e pajisjes së anijeve patrulluese të klasit Iliria me sistem armatimi 20mm. Anijet patrulluese të klasit Iliria nuk kanë sisteme armatimi dhe pajisja me këto sisteme, ndikon në rritjen e operacionalitetit të këtyre anijeve në kuadër dhe të misionit paqeruajtës në detin Egje. Të dy këto projekte, zënë rreth 68% te investime ne total, që korrespondon me vlerën 1.5 miliard Lek.
Gjithashtu, prioritet do të kenë sistemet e mbështetjes me zjarr, sistemet e zbulimit taktik, sistemet vetëmbrojtëse të helikopterëve.
Një projekt tjetër i rëndësishëm, sikurse thuhet në programin e qeverisë, është Grup -batalioni I Këmbësorisë së Lehtë, si një pjesë tejet e rëndësishme e paketës së objektivave të kapaciteteve të NATO për vendin tonë. Ky objektiv duhet plotësuar me të gjithë komponentët e tij në janar të vitit 2019. Plotësimi i pajisjeve luftarake individuale dhe kolektive në funksion të Batalionit II të Këmbësorisë, i cili është dhe thelbi i grup-batalionit të këmbësorisë së lehtë, përveç të tjerave do të rrisë operacionalitetin e Forcave të Armatosura.
Në fushën e infrastrukturës, prioritet do të ketë ndërtimi i objekteve të reja dhe rikonstruksionet e ambienteve të Forcave të Armatosura për krijimin e kushteve të sigurisë në njësitë e reparteve ushtarake, modernizimin e kushteve të ruajtjes së armatim – municionit, krijimin e kushteve të favorshme për personelin ushtarak .
Brenda fondeve të planifikuara në zërin “Mallra dhe Shërbime”, do të vazhdojë të realizohet me sukses mbajtja e gatishmërisë operacionale e teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura nëpërmjet: realizimit të shërbimeve për mirëmbajtjen, trajnimit të ekuipazheve dhe personelit të tyre, rritjes së orëve të patrullimit në det (FD) dhe orëve të fluturimit (FAj) sipas standardeve të NATO, sigurimit të karburantit dhe lubrifikantëve, të cilat janë të domosdoshme për mjetet e transportit tokësor, detar dhe ajror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Një vend të rëndësishëm në artikullin “Mallra dhe Shërbime”, zënë misionet paqeruajtëse ndërkombëtare në të cilat Forcat e Armatosura janë angazhuar; prej të cilave mund përmendim:
- anije patrulluese në mbështetje të operacioneve detare në detin Egje,
-
togë për detyra ruajtje në Kabul,
-
togë për detyra ruajtje në Herat,
-
përfaqësues në shtabin KFOR; grup special në operacionin ushtarak KFOR,
-
përfaqësues në misionin e BE në Bosnje dhe Hercegovinë,
-
një grup EOD (grup çminimi) në operacionin ushtarak të Bashkimit Europian në Mali,
-
një grup EOD në Forcën e Prezencës së Përparuar së NATO në Letoni
-
si dhe plotësimin me personel të strukturës së komandës dhe forcës së NATO, ku përfshihen rreth 100 njerëz, ushtarakë dhe civilë.
Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të menaxhojë me kujdes e transparencë burimet financiare të alokuara, duke siguruar përmbushjen e angazhimeve të saj kombëtare në kuadër të Aleancës.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë do të punojmë fort, që Ministrisë së Mbrojtjes të vazhdojnë t’i alokohen fonde për modernizimin e Forcave të Armatosura, si një angazhim i marrë nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në Samitin e Uellsit.
Sa më sipër, të nderuar anëtarë të komisionit, kërkojmë prej jush dakordësinë, për ta mbështetur projektbuxhetin e vitit 2018.