Projekti “1 miliard euro”, ja 5 akset e mëdha rrugore që do të ndërtohen dhe skema e financimit
Plani i qeverisë për të investuar në infrastrukturë rreth 1 miliard euro nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik-Privat, duket se do të përfshijë të paktën pesë projekte të mëdha rrugore.
Sipas burimeve të ‘Monitor’, nëpërmjet kësaj skeme, do të financohet ndërtimi i Rrugës së Arbrit, rruga Kardhiq-Delvinë, aksi Durrës-Plepa, dhe aksi Thumanë-Vorë-Rrogozhinë. Pjesë e kësaj pakete është edhe ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës.
Katër nga pesë projektet kanë nisur të paktën 6 vite më parë, por punimet kanë ngelur në fillesa, pasi qeveritë nuk kanë mundur të përballojnë me fonde buxhetore financimin e tyre. Nga ana tjetër, borxhi i lartë publik mbi 70% të PBB kufizon mundësitë e qeverisë për të ndërtuar këto vepra me kredi të huaja.
Vitin e kaluar, kompania “Gjoka Construction” ka propozuar të përfundojë të gjithë pjesën e mbetur të Rrugës së Arbrit, dhe jo vetëm 27 kilometra të saj, për një vlerë prej 190 milionë dollarësh. Një komision i ngritur në Ministrinë e Transporteve është duke marrë në shqyrtim këtë ofertë, e cila me sa duket do të jetë fituesja e ndërtimit e Rrugës së Arbrit.
Kompania Gjoka është duke ndërtuar tashmë dy lote të kësaj rruge nga ura e Vlashës deri në Bulqizë me një gjatësi prej 2 kilometrash dhe ka ndërtuar më parë 4 kilometra të tjera të saj. Vetëm në vitet 2013-2015, qeveria aktuale ka investuar 6 miliardë lekë, ndërkohë që kërkohen edhe mbi 200 milionë euro për të përfunduar segmentin kryesor prej 26.7 km të kësaj rruge.
Ky projekt është iniciuar në vitin 2008, dhe parashikon një gjatësi prej 72 km, krahasuar me lidhjen e vjetër ekzistuese që është rreth 130 km, rreth 50 km më e shkurtër. Ka një gjerësi të planifikuar prej 10.5 m, një pjerrësi maksimale 6,99%.
Projekti i dytë, sipas financave, është ai i rrugës Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i së cilës është braktisur prej vitesh. Sipas burimeve nga financat ka oferta nga disa kompani për këtë segment, që janë në shqyrtim, dhe projekti nuk pritet të kushtojë më shumë se 150 milionë dollarë. Kjo rrugë do ta shmangte Gjirokastrën dhe qafën e Muzinës, duke bërë distanca Tiranë-Sarandë të përshkohej normalisht për 3-3.5 orë, duke e shkurtuar atë me 50 km. Përpjekjet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur që në vitin 2003, në kohën e qeverisë Nano. Gjatësia e saj është 28 km, një pjesë e së cilës është e ndërtuar. Pjesa më e vështirë është ndërtimi i një tuneli 1 km të gjatë.
Skema e financimeve
Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftohet se sipërmarrësit, që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financojnë 20 për qind të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët vetëm, pasi të jetë bërë 50 për qind e investimit, por këto hollësi do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet.
Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhë 10-15-vjeçare. Ndërtuesit e kontaktuar nga ‘Monitor’ e kanë mirëpritur nismën e qeverisë. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve, pohon se nëpërmjet kësaj forme qeveria do të plotësojë nevojat infrastrukturore të vendit, ndërsa kompanitë e ndërtimit do të mund të aktivizojnë fondet e të lira në këto projekte.
Bankat gjithashtu do të kenë një front të ri kreditimi më të sigurt, duke qenë se garant në këto projekte është qeveria. Mirëpo sipas ndërtueseve që skema të mos jetë me rrezik duhet që qeveria të lëshojë garanci sovrane për kompanitë që do të ndërtojnë objekte me kredi bankare.
Pesë akset rrugore që do të ndërtohen me PPP
-Rruga e Arbrit
-Kardhiq-Delvinë
-Unaza e Madhe
-Durrës-Plepa
-Thumanë-Vorë-Rrogozhinë