Kronika

Prokuroria: Ardian Fullani cenoi autoritetin e Kuvendit

Aktakuza

Nuk propozoi zv.guvernatorin e dytë, gjë e cila cenoi sistemin e kontrollit në BSH

Nga Sokol Çobo

Fullani gjykate1Prokuroria thotë se guvernatori Ardian Fullani ka cenuar autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke mos emëruar për një kohë të gjatë zëvendësguvernatorin e dytë. Për pasojë, vendi vakant solli vakancë në ushtrimin e përgjegjësive të kontrollit në Bankën e Shqipërisë, duke i hapur rrugë vjedhjes katërvjeçare në Thesarin e Shtetit. Sipas aktakuzës, “mungesa e zv.guvernatorit të dytë përbën cenim të autoritetit të Kuvendit që ka përcaktuar drejtimin e Bankës nga tre administratorë”.

Zv.guvernatori i dytë

Akuza thotë se Banka e Shqipërisë rregullon veprimtarinë e saj me ligjin me numër 8269 të datë 23 dhjetor 1997, shtuar një dispozitë tranzitore në vitin 1998. Në nenin 44 të këtij ligji parashikohet që Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ndërsa sanksionohet se Këshilli zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori. Ndërkohë, neni 48 i këtij ligji parashikon se, çdo vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës do të plotësohet me emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikëqyrës. “Siç rezulton nga aktet, pozicioni i zëvendësguvernatorit të dytë prej disa vitesh është vakant si rezultat i mospropozimit të tij nga guvernatori, i cili është dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, si detyrim që buron nga neni 44 i Ligjit për Bankën e Shqipërisë”, thotë akuza. Sipas saj, në statutin e Bankës së Shqipërisë, të vitit 2000, në nenin 11 të tij gjen rregullim funksioni i zëvendësguvernatorit të dytë, i cili ka një sërë detyrash për zbatimin e politikave të administrimit të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës e deri te  mbikëqyrja drejtpërsëdrejti e veprimtarisë dhe strukturave të caktuara në Bankën e Shqipërisë dhe organizon dhe drejton mbledhje periodike të tyre. Më konkretisht përgjigjet para guvernatorit për zbatimin e politikës rregullatore dhe juridike, zbatimin e politikave të administrimit të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, mbikëqyrjen e zbatimit të procedurave të përdorimit të mjeteve financiare të Bankës së Shqipërisë dhe zbatimin e procedurave në drejtimin e përgjithshëm ekzekutiv dhe administrativ të Bankës së Shqipërisë. “Ky funksion është vakant, pasi nuk është nga guvernatori, duke sjellë një vakancë në ushtrimin e përgjegjësive të parashikuara nga neni 11 i statutit të Bankës së Shqipërisë. Mungesa e guvernatorit të dytë ka cenuar sistemin e kontrollit pranë Bankës së Shqipërisë, përpos kësaj kjo përbën cenim të autoritetit të Kuvendit që ka përcaktuar drejtimin e Bankës nga tre administratorë”, pohon akuza.

Bazuar në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës numër 13 datë 22.02.2006, ‘për miratimin e rregullores për nxjerrjen e akteve juridike’ parashikon se nismën propozuese për hartimin e akteve juridike e kanë Këshilli Mbikëqyrës. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. “Në vijim, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori, përgjigjet për hartimin dhe zbatimin e vendimeve të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës”, thotë akuza.

 

Rregullorja e çelësave

Mësohet se një ndër verifikimet e akuzës ka qenë edhe “rregullorja e çelësave”, e cila ka munguar për një kohë të gjatë në Thesar, duke i hapur rrugën Bitrajt të kryente edhe vjedhjen katërvjeçare. Akuza thotë se mungesa e një rregulloreje të tillë është edhe shkelje e vetë Fullanit, i cili e ka “harruar” këtë departament për një kohë të gjatë. Sipas dosjes së njësisë Task-Forcë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se Departamenti i Emisionit deri në muajin mars të vitit 2014 ka funksionuar jo me rregullore të veçantë, por me urdhrin numër 1798 datë 06.11.2001. Ky urdhër, sipas akuzës, nuk përcaktonte mënyrën e përdorimit dhe administrimit të çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë nga ana e treshes për veprim dhe asaj të arkës stok. “Nisur nga këto rrethana, ka përfituar dhe personi nën hetim Ardian Bitraj, duke përvetësuar shuma të mëdha parash që gjendeshin në të dyja arkat”, thotë akuza. Sipas saj, Fullani, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës, duke përmendur mosmarrjen e masave për zbatimin e rregullores me numër 741 të datës 28.03.2014, gjë e cila ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ardhjen e pasojës. “Ky fakt është provuar nga këqyrjet e dokumentuara në ambientet e Departamentit të Emisionit, procesverbali i pamjeve filmike, si dhe tabela fotografike, pyetjet e të arrestuarve etj”., pohon akuza, duke mos dhënë detaje të tjera.

Bitraj “fundosi” guvernatorin

Mësohet se dëshmia e Ardian Bitrajt, organizatorit të supervjedhjes në Thesarin e Shtetit, është një nga provat kryesore të prokurorisë kundër guvernatorit të arrestuar Ardian Fullani. Në aktakuzën e prokurorisë ndodhet dëshmia e përgjegjësit të arkës stok, i cili ka folur gjerë e gjatë për vjedhjen katërvjeçare, ndërsa ka përmendur se ka vepruar si pasojë e mungesës së urdhrave apo rregulloreve, duke marrë prej andej mbi 7 milionë USD. Këto deklarime, akuza i ka krahasuar me tabelat fotografike, filmimet, si dhe dëshmitë e tjera.

Më tej, akuza vijon se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë.

Statusi

Neni 11

Zëvendësguvernatori i dytë

11.1 Zëvendësguvernatori i dytë asiston dhe përgjigjet përpara guvernatorit për:

  1. a) zbatimin e politikës rregullatore dhe juridike;
  2. b) zbatimin e politikave të administrimit të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës;
  3. c) mbikëqyrjen e zbatimit të procedurave të përdorimit të mjeteve financiare të Bankës së Shqipërisë;
  4. dh) për zbatimin e procedurave në drejtimin e përgjithshëm ekzekutiv dhe administrativ në Bankën e Shqipërisë.

11.2 Për vlerësimin periodik të administrimit në përgjithësi në Bankën e Shqipërisë, zëvendësguvernatori i dytë përgatit dhe paraqet raporte në Këshillin Mbikëqyrës si më poshtë:

  1. a) për marrëdhëniet kontraktore juridike civile të Bankës së Shqipërisë;
  2. b) për ecurinë e procedurave dhe të praktikave administrative.

11.3 Zëvendësguvernatori i dytë monitoron dhe mbikëqyr drejtpërsëdrejti veprimtarinë e strukturave të caktuara në Bankën e Shqipërisë me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, dhe organizon dhe drejton mbledhje periodike të tyre. Në mbledhjet periodike mund të ftohen për raportime, referime dhe këshillime nëpunës, ekspertë ose specialistë të tjerë të punësuar ose jo në Bankën e Shqipërisë.

11.4 Zëvendësguvernatori i dytë përgatit dhe lëshon urdhra të brendshëm, të detyrueshëm për zbatim në Bankën e Shqipërisë, si dhe nxjerr rekomandime e opinione.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button