Kronika

Prokuroria, “diplomaci” me dosjet nën hetim

Prokuroria-e-Pergjithshme-320x186Rastet kur akuza qendrore urdhëron goditjen e të dyja krahëve të politikës

Prokuroria ka trazuar ujërat e politikës me disa nga çështjet që ka nën hetim. Kohët e fundit, organi i akuzës, i cili është edhe institucioni që përfaqëson shtetin në një proces gjyqësor, po përdor “diplomacinë”, ndoshta për t’iu shpëtuar sulmeve të politikës. Kreu i akuzës qendrore, Adriatik Llalla, duket se po mban një balancë mes dy krahëve të politikës. Ai u zgjodh me votat e opozitës së sotme, ndërsa mazhoranca aktuale vendosi në atë kohë që të abstenojë. Ai ka edhe pak më shumë se dy vite nga përfundimi i mandatit, ndërsa shpeshherë ka deklaruar se ka çështje që do të ndryshojnë fatet e vendit. Opinioni publik ka një pritshmëri shumë herë më të lartë nga sa po vepron akuza qendrore, pasi vendimmarrjet e saj duken vetëm si “flluska sapuni”. Disa ditë më parë, në momentin që akuza qendrore tha se ka marrë të pandehur zyrtarë të lartë, u mendua se nën hetim mund të ishin pikërisht “peshqit e mëdhenj”, ata që kanë abuzuar me fondet publike apo kanë bërë korrupsion, duke shkaktuar një gropë të madhe në buxhetin e shtetit. Madje, u mendua se akuza do të vepronte pas shumë kohësh ndaj të “paprekshmëve”. Por, gjithsecili u gabua. Nën akuzë ishin vënë tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Akuzat duken qesharake, pasi dy prej tyre hetohen për goditje për shkak të detyrës dhe i treti për ndërtim pa leje. Ndoshta, këto çështje mund të mos përfundojnë kurrë, pasi edhe goditja për shkak të detyrës mund të kthehet në rrahje, ndërsa akuza e ndërtimit pa leje mund të jetë amnistuar apo mund të ndryshohet me kalimin e kohës. Megjithatë, edhe kjo lëvizje e akuzës solli pështjellim në radhët e politikës, ku të dyja krahët mbrojtën njerëzit e tyre.

Por, ajo që u vu re në qëndrimin e institucionit të pavarur të prokurorisë ishte fakti se nën akuzë u vunë politikanë të të dyja krahëve të politikës. Megjithëse të pandehurit nuk ishin në një çështje penale, ata u përmendën njëkohësisht nga akuza qendrore. Hetimet duket se kanë qenë selektive dhe janë kryer edhe për të mos prishur balancat politike. Akuza mund të zgjidhte një tjetër mënyrë për njoftimin e marrjes si të pandehur të këtyre deputetëve.

Megjithatë, rasti i fundit i goditjes së të dyja krahëve të politikës nuk ka qenë i vetmi për prokurorinë. Pak muaj më parë, prokuroria njoftoi se kishte marrë të pandehur dy krerët e inspektorateve ndërtimore, Zyhdi Dajtin e INUK-ut dhe Florenc Hoxhën e INUV-it të Bashkisë së Tiranës. Madje, në gjykatë ishin zhvilluar edhe masat e sigurisë ndaj këtyre zyrtarëve, ku për të dy u vendos arresti me burg. Hoxha u arrestua ditën kur u pre fletarresti, ndërsa Dajti u vetëdorëzua një ditë më pas në Vlorë, ku dhe ishte me shërbim. Megjithatë, vetëm pas dy ditëve, ata i liruan nga i njëjti gjyqtar. Në disa prononcime publike, ata akuzuan njëri-tjetrin se ishin krahasuar me ordinerë të tillë. Dosja ndaj Zyhdi Dajtit ka shkuar në gjykatë, ndërsa ajo ndaj Florenc Hoxhës vazhdon të hetohet nga Prokuroria e Tiranës.

Prokuroria ka vepruar edhe më parë me këtë skemë, në kohën kur ka ngritur akuzë ndaj dy kryebashkiakëve, Shpëtim Gjikës të Vlorës dhe Xhelal Mziut të Kamzës. Të dy personazhet karizmatike u vunë njëkohësisht nën akuzë, Gjika për falsifikim dokumentesh, ndërsa Mziu për pabarazi në tenderë. Por, ky i dyti u arrestua, ndërsa u lirua pas disa javësh nga Gjykata e Apelit. Sërish pati deklarata për krahasime të tilla, ku askush nuk donte të krahasohej me të pandehurin tjetër, ndërsa akuza “justifikohej” se dosjet nuk janë penale.

Ndërkohë, një nga vendimmarrjet më të vështira të kryeprokurorit Adriatik Llalla, duket se ka kaluar në heshtje. Në fillim të këtij muaji, njësia Task-Forcë tha se ka pushuar hetimet ndaj Arben Imamit, i kallëzuar për një tender miliona eurosh. Arsyeja ishte se ai kishte zbatuar një VKM, pra një vendim kolegjial. Çështja është diskutuar për javë me radhë në prokurori, ku askush nuk firmoste marrjen si të pandehur të Imamit apo vartësve të tij. Në fund, prokuroria gjeti kohën e përshtatshme për të vendosur pushimin e hetimeve, e cila koincidonte me arrestimin e guvernatorit Ardian Fullani. Kjo solli që ky vendim të mos diskutohej apo të ankimohej, megjithëse kjo e drejtë i lind Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është edhe firmëtarja e këtij kallëzimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button